​Qeverisë i kërkohet të fillojë dialogun e brendshëm me komunitetin serb në Kosovë

Aktuale

​Qeverisë i kërkohet të fillojë dialogun e brendshëm me komunitetin serb në Kosovë

Më: 25 maj 2022 Në ora: 08:00 Përditësuar në ora: 12:14 më 25.05.2022
KDI

Haxholli: Është e rëndësishme të fillohet dialogu me serbët e Kosovës

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet të fillojë dialogun e brendshëm me komunitetin serb në vend. Përveç si zotim i kahershëm i kryeministrit Albin Kurti, kjo vlerësohet se do të lehtësonte integrimin e tyre dhe se do të krijonte përshtypjen se çka do të përmbante marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, në tryezën e organizuar të mërkurën nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), u tha se marrëveshja finale në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është ende larg e arritshme.

Hulumtuesja në KDI-së, Violeta Haxholli, tha se në dy vitet e fundit s’ka pasur asnjë progres në dialog, megjithëse ka pasur takime të shpeshta.

Haxholli: Është e rëndësishme të fillohet dialogu me serbët e Kosovës

Është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të fillojnë një dialog të brendshëm me qytetarët e komunitetit serb. Kjo do të ndikonte që institucionet të merrnin kërkesa direkt nga tereni nga ky komunitet dhe të shohin cilat janë kërkesat apo këndvështrimet e tyre, qoftë mbi atë çka ka ndodhur në dialog, marrëveshjet që janë arritur, zbatimin e tyre dhe kërkesat e reja që mund të adresonin për integrimin e tyre... Në dy vitet e fundit dialogu Kosovë-Serbi ka pasur progresin më të ngadalshëm që nga fillimi i tij. Edhe pse ka pasur takime mes palëve, s’ka pasur dakordime ose marrëveshje që nga viti 2020, ku u arritën zotimet e Uashingtonit. Nga ajo kohë, dialogu ka pasur progres shumë të ngadalshëm dhe nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të re, apo dakordim të ri mes dy palëve. Kjo pavarësisht faktit se mbesin shumë çështje të pazgjidhura që prekin direkt edhe jetën e qytetarëve”, tha ajo.

Kërkesë të ngjashme për dialogun e brendshëm me serbët e Kosovës shfaqi edhe publicisti, Dukagjin Gorani.

Ai vuri në pah edhe tabutë lidhur me zgjidhjet e mundshme, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shkëmbimin territorial.

Gorani: Qeveria të fillojë dialogun e brendshëm me komunitetit serb

Nëse kjo është një zotim real dhe një zotim serioz, kjo është një pikënisje që përmes dialogut të brendshëm së paku të arrihet një përshtypje se çka ish dashur të përmbajë pakoja e zgjidhjes gjithëpërfshirëse. Ky dialog me komunitetin serb nuk ndodhi kurrë, së paku jo deri sot... Diskutimi për procesin e dialogut në parim nënkuptohet si ide e keqe për me fol në publik. Sot pa një zë të madh askush nuk del me fol në publik për këtë temë. Pasi reagimet e opinionit publik për këtë temë janë tabu. Tabu është edhe diskutimi për përmbajtjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tabu është edhe çfarëdo zgjidhje tjetër alternative nëse asociacioni nuk është i pranueshëm, tabu kanë qenë temat e shkëmbimeve territoriale”, theksoi Gorani.

Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Visar Ymeri u shpreh kritik ndaj Qeverisë së Kosovës për qasjen në dialog.

Ymeri: Qeveria Kurti dialogun nuk e sheh nga perspektiva e së ardhmes

Nuk e sheh nga perspektiva e së ardhmes, por nga perspektiva së tashmes që kryesisht është elektorale dhe perspektiva e së kaluarës e cila është një dozë e theksuar e ngrohjes së mendjeve dhe zemrave të njerëzve, e cila po ashtu ka qëllime elektorale. Kështu kurthohemi drejt një pamundësie absolute të realizimit të sovranitetit që flasim ne”, shtoi ai.

Përndryshe, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, sot u takuan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Alekasandër Vuçiq.

KDI diskuton për tabelat e veturave dhe dialogun Kosovë – Serbi

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizon diskutimin publik me temën “Raportet Kosovë-Serbi: Tabelat e veturave dhe një Dialog që nuk po lëvizë!”, një diskutim i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile me pjesëmarrës nga politika, mediat dhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Në këtë diskutim synohet që t’iu jepet përgjigje çështjes së pse nuk ka ende një marrëveshje finale mes mes Kosovës dhe Serbisë edhe pas më shumë se një dekade dialog.

Nga tabelat e veturave tek diskutimet mbi elementet e marrëveshjes finale, sa janë gjasat që Kosova dhe Serbia të gjejnë zgjidhje për të gjitha çështjet?

Si mund të ndikojë situata e re gjeopolitike në raportet dhe dialogun mes Kosovës e Serbisë? A mund ti jap Berlini një dinamikë të re procesit të dialogut?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat