Sulme terroriste të pandëshkuara / Pse Prokuroria i fshehu provat e krimit, CD-të...

Aktuale

Sulme terroriste të pandëshkuara / Pse Prokuroria i fshehu provat e krimit, CD-të...

Nga: Idriz Morina Më: 25 maj 2022 Në ora: 20:15
Pamje nga gjykimi i "Grupit të Kaçanikut"

Pyetja është se si mund të jeshë pjesëmarrës në dy sulme terroriste dhe të mos dënohesh nga drejtësia, apo me dënime aq të lehta sikur të kishe kryer një kundërvajtje në trafik.

Pse është proces i dyshuar rasti i “Grupit të Kaçanikut”

Përveç dyshimeve në prokurorin e parë të rastit, z.Millaku, dëshmitarët në këtë proces kanë sjellur informacione, që në këtë rast edhe prokurorja speciale, Fikrije Krasniqi dyshohet se ishte komprometuar në këtë proces.

Sipas dyshimeve të familjarëve të të akuzuarve, prokurorja Krasniqi besohet se fshehu pesë video-incizime CD, të cilat mund ta kishin ndryshuar rrjedhën e procesit gjyqësor, duke ndikuar në vendimmarrjen e gjykatësve.

Ilir Qerimi, dëshmitar në procesin gjyqësor ndoshta më të gjatin në Kosovë, vëllai i të dënuarit në një proces Shpend Qerimi, vitin e kaluar e kishte paditur prokuroren e rastit Krasniqi-Fejzullahu për fshehjen e provave të rastit. Për shmangien e tyre të qëllimshme në procedurë penale, duke dëmtuar të dënuarit nga Gjykata Themelore, në favor të të liruarve nga dënimet.

Iliri pikërisht një vit më parë kishte bërë kallëzim penal, sipas të cilit prokurorja speciale Krasniqi i kishte “shkatërruar provat e rëndësishme”.

Ato që nga fillimi i procesit ishin shmangur, edhe kur aktakuza drejtohej nga prokurori Reshat Millaku.

“Andaj, kam arsyeje dhe besoj se ish-prokurori (i rastit) z. Reshat Millaku dhe prokurorja speciale e tanishme znj. Fikrije Krasniqi janë të kapur nga krimi organizuar vetëm dhe vetëm që ky proces gjyqësor të dështoj në favor të akuzuarve”, deklaronte Qerimi në gjykatë, përcillnin mediat nga raportimi i procesit.

Këtë padi, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, u.d. Blerim Isufaj, lëndën e padisë ndaj vartëses së tij, ia kishte referuar Gjykatës Themelore të Prishtinës, dhe që me të mos të merrej Prokuroria Speciale, për shkak të konfliktit të interesit.

Sidoqoftë Isufaj kishte gjetur prova, të cilat duhej t’i administronte në proces Prokuroria Speciale.

“Duke pasur parasysh faktin që gjatë shqyrtimit gjyqësor nga shumë dëshmitarë, përfshirë Shpend Qerimin dhe Besnik Hasanin, janë potencuar të dhëna që mund të jenë të përfshira në këto prova – CD, prokuroria ju njofton se tani për tani është duke shqyrtuar rëndësinë e tyre dhe sipas nevojës të njëjtat do t’i propozoj për administrim në gjykatë”, shkruante prokurori i Speciales Blerim Isufaj, në aktin përcjellës për Gjykatën Themelore në Prishtinë, transmetonin mediat më parë.

Pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore, po hetohen edhe tre të dyshuar të tjerë, dy prej të cilëve, Nusret Cena dhe Agron Dalloshi, akuzohen nga dy të dënuar se ata ishin dorasit e tre viktimave dhe të plagosjes së një tjetri.

Situata e deritanishme i jep kuptim akuzave të dënuarve, Hasani dhe Qerimi, se në lirimin e të akuzuarve të tjerë, kishin dorë Elmi Reçica, ish-drejtor në SHIK, Xhabir Zharku, dhe madje edhe ish-deputeti Fatmir Xhelili.

Për rastin e vrasjes së trefishtë, dy nga të cilët ishin adoleshent, janë dënuar me nga 33 vjet burg, dy ish polic, Shpend Qerimi i njësisë së hetimeve dhe Besnik Hasani, i njësisë speciale, të cilët së bashku me disa të përfshirë të tjerë, Afet dhe Agron Dalloshin dhe Nusret Cenën, këta tre sipas vendimit të mëparshëm të Gjykatës ishin liruar nga akuzat, kanë planifikuar dhe kanë marrë pjesë më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun dhe kanë plagosur një tjetër.

Rasti është në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
 

Një tjetër rrëmbim

Disa në anëtarët e “Grupit të Kaçanikut” dhe bashkëpunëtorë të tyre qenë arrestuar në vitin 2008, sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, Policia arreston katër persona për detyrim dhe rrëmbim.

Image
Xhabir Zharku, ish-kryetari i Kaçanikut

 

Ndërsa, në opinion përfolej asokohe për rrëmbim dhe zhdukje të një shqiptari nga Maqedonia, ngjarje që kishte ndodhur vite më parë para arrestimit dhe bastisjeve në fjalë.

“Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës dhe Policia e UNMIK-ut ka zbatuar këtë urdhëresë me ç’rast janë bastisur dhe arrestuar katër persona, ndërsa i kërkuari i pestë nuk është gjendur në shtëpi”, thuhej në njoftimin e policisë, të prillit 2008, pak javë pas shpalljes së Pavarësisë. Personi, që nuk ishte gjetur në shtëpi ishte kryetari i Komunës së Kaçanikut asokohe Xhabir Zharku (1964).

Por, policia ia kishte bastisur shtëpinë dhe kishte gjetur disa prova të rëndësishme: një pushkë automatike AK 47, dy pushkë automatike MP5, një revole, një sasi eksplozivi etj.

Xhabir Zharku i kishte quajtur këto të pavërteta, dhe tendencioze.

Arrestimeve dhe bastisjeve i kishte paraprirë një ankesë në polici për rrëmbim dhe detyrim, 10 muaj më parë, pra diku në qershor të vitit 2007.

Policia kishte arrestuar: Nesim Curri (1969) nga Hani i Elezit; Arsim Kolshin (1978) fshati Doganaj, Kaçanik, i përfshirë në vrasjen e trefishtë në Kaçanik; Fikri Hasani (1969) nga fshati Firajë, Shtërpcë; Afet Dalloshi (1978) nga Saponica, Kaçanik, po ashtu i përfshirë në vrasjen e trefishtë në Kaçanik.

Policia kishte bastisur asokohe edhe shtëpitë e dy të arrestuarve për vrasjen e trefishtë: Besnik Hasanit (27 Tetor 1976) nga fshati Firajë, Shtërpcë dhe Nusret Cenës (1 Janar 1975) nga fshati Doganaj, Kaçanik.

Ngjarja sipas aktakuzës për vrasjen e trefishtë

Sipas të dënuarit të parë, Besnik Hasanit, Nysret Cena së bashku me Afet dhe Agron Dalloshin, ishin pajisur me armë dhe maska, të cilat i kishte parë vetë në takimin që kishte me Nysret Cenën në pompën e benzinës “T. Xhafa” në natën e krimit.

Sipas tij, armët ishin nxjerrë nga vetura e Afet Dalloshit “Golf 3”, të cilën e ka drejtuar Hasani, prej Agron Dalloshit dhe kishin qenë të mbështjella, të cilat ishin futur në veturën Audi A4 ngjyrë hiri, pronë e Nysret Cenës.

“Afeti i kishte përcjellë më veturë deri tek ura – vendi i krimit Nysret Cenën dhe Agron Dalloshin, të cilët i kishte ndaluar aty, për të vazhduar vetë rrugën. Sipas dëshmisë, kjo kishte ndodhur pasi që Nysret Cena dhe Afet Dalloshi, kishin kuptuar se Neshat Baftiu gjendej në restorantin “Mani” dhe do ta prisnin në atë vend, kur ai do të kthehej në shtëpinë e tij. Këta të dy kishin pritur veturën e Neshat Baftiut dhe në momentin kur kishin marrë shenjën e borisë nga Besnik Hasani, ata kishin qëlluar në veturën e Neshat Baftiut. Vetëm dy nga pesë që gjendeshin në veturë, Bujar dhe Sadik Baftiu, i kishin shpëtuar vrasjes, ndërsa tre të tjerët Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiu kishin gjetur vdekjen, kanë deklaruar dëshmitarët”, raportonin mediat, si Betimi për Drejtësi dhe të tjera.

Sipas rrëfimit të dy të akuarve, Hasani dhe Qerimi, dy të dyshuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi, kishin ikur nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Rrakaj.

Shpend Qerimi është ankuar se që pas natës së krimit, ishte kërcënuar nga Grupi i Kaçanikut në rast se do të tregonte të vërtetën. Ai ka folur edhe në emër të Hasanit, duke thënë se edhe ai ka qenë i kërcënuar dhe detyruar të veprojë për Grupin e Kaçanikut.

Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, në shtator të vitit 2009, janë dënuar me nga 25 vjet burgim për tri vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, në rastin e sulmit terrorist me 24 shtator 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku qenë vrarë dy qytetarë të pafajshëm dhe 11 të tjerë qenë plagosur.

Aktakuza re

Pas prishjes së vendimit të gjykimit paraprak, për “Grupin e Kaçanikut”, tre të liruarit po gjykohen sërish, Afet dhe Agron Dalloshi dhe Nysret Cena.

Njëri nga viktima Neshat Baftiu kishte hyrë dorëzan për borxhin që Nexhat Koxhaj ia kishte Arsim Kaloshit, nga i cili e kishte blerë një veturë. Kthimin e këtij borxhi e kishte marrë përsipër Nysret Cena, gjë që ka çuar në fjalosjen e tij me Baftiun.

Ndërsa, një përplasje kishte ndodhur edhe për një incident tjetër. I akuzuari tjetër Afet Dalloshi ishte përplasur “lidhur me një femër, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt dhe në mënyrë dinake”.

Në seancën gjyqësore të 31 marsit ka dëshmuar edhe Luan Keka, udhëheqës i Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës.

Në kohën kur ishte kryer krimi i rëndë Keka ishte zyrtar në stacionin e Policisë në Ferizaj.

Image
Drejtori i antiterrorizmit Luan Keka
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat