​Ambasadori italian: Dialogu është mundësi historike, liberalizimi s’mund të presë më

Aktuale

​Ambasadori italian: Dialogu është mundësi historike, liberalizimi s’mund të presë më

Më: 28 maj 2022 Në ora: 15:12
Ambasadori i Italisë në Kosovë Antonello De Riu

Ambasadori i Italisë në Kosovë Antonello De Riu, në një intervistë për ANSA-n ka folur për angazhimin për të forcuar bashkëpunimin dypalësh me Prishtinën dhe për të inkurajuar reformat e brendshme, mbështetje të plotë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën mbikëqyrjen e BE-së dhe ka shprehur mbështetje për perspektivën evropiane e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

De Riu trajton çështjet kryesore në tryezë në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënvizuar “dëshirën e madhe për Italinë” që ekziston në Kosovë.

“Italia është njëra ndër vendet e para që ka njohur Republikën e Kosovës dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera. Sigurisht, sektori ekonomik është sektori ku bashkëpunimi ynë shënon perspektiva më interesante të rritjes”, pohon ambasadori, sipas të cilit, përveç rritjes së thjeshtë të eksporteve dhe importeve të mallrave dhe shërbimeve (tregtia në vitin 2021 ishte 334 milionë euro, një rritje e theksuar, krahasuar me një vit më parë), ekziston edhe mundësia që investitorët italianë të fokusohen në tregun kosovar, i cili paraqet komplementaritete interesante me ekonominë tonë: e jam fjalën për taksimin e favorshëm dhe praninë e fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar”. "Natyrisht - vëren De Riu - progresi në reforma është një faktor kyç në konsolidimin e dimensionit ekonomik dypalësh, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe nxitjen e tërheqjes së investimeve".

Në Kosovë, thekson ambasadori, "ka një dëshirë të madhe për Italinë. Këtë e dëshmon, ndër të tjera, reagimi entuziast i institucioneve, shoqatave, studentëve dhe sipërmarrësve ndaj nismave tona të promovimit të integruar, të realizuara deri më tani: nga Java e Kuzhinës Italiane te Dita e Dizajnit Italian, nga retrospektivat e filmave për Antonionin dhe Pasolinin deri te Dita e Hulumtitmit Italian në Botë, duke kaluar përmes ekspozitës mbi portretet e Rafaelos”. Për muajt e ardhshëm, vazhdon Ambasadori, "jemi duke punuar me Manifesta (bienalja e artit urban që mbahet këtë vit në Prishtinë nga korriku deri në tetor, me pjesëmarrjen e Carlo Ratti) dhe po përpiqemi të bashkëpunojmë me Sunny Hill Festival (festivali që organizohet çdo vit, në gusht nga Dua Lipa). “Në fusha të tjera, për të mbështetur mësimin e gjuhës italiane në Kosovë, Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë, së fundi ka themeluar një lektorat në Universitetin e Prishtinës, i cili tashmë ka rritur interesin e studentëve për gjuhën tonë, mbështetur edhe nga pjesëmarrja e lektores sonë në aktivitetet ndërmjet fakulteteve, përmes Qendres Gjuhësore të sapokrijuar.

Ndërsa, për mundësinë që kandidatura e fundit e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës mund të komplikojë dialogun me Beogradin, ambasadori pohon se "Italia mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të lehtësuar nga BE-ja. Është një mundësi historike për të dyja vendet që të mbyllin përfundimisht trashëgimitë tragjike të së kaluarës dhe të shohin përpara drejt perspektivës së hyrjes në Bashkimin Evropian. Pra është thelbësore aspirata legjitime e Kosovës për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - sinjal i rëndësishëm i angazhimit për demokracinë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të saj - të ushqehet edhe nga një progres thelbësor në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Lidhur me këtë, De Riu thekson se Italia, “së bashku me partnerët e tjerë të Quintit (Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në), është në ballë për të inkurajuar të dyja palët që të punojnë në mënyrë konstruktive nën lehtësimin e BE-së, për të arritur një marrëveshje vendimtare për stabilizimin e rajonit dhe perspektiven evropiane të të dyja vendeve”.

Ambasadori, më pas i referohet KFOR-it dhe kontingjentit italian (aktualisht pak më shumë se 600 efektivë), misioni i të cilit "mbetet të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë për të mirën e popullatës së Kosovës". “Në konfirmim të vlerës strategjike që i kemi rezervuar këtij misioni dhe kontributit të tij në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, nga vjeshta e ardhshme Italia do ta marrë sërish pozitën e komandantit”.

Për mundësinë që konflikti i armatosur në Ukrainë të transferojë paqëndrueshmëri të mëtejshme në Ballkan, Ambasadori De Riu pohon se mund të shmanget një përkeqësim i situatës në rajon dhe në Kosovë në veçanti, “duke bërë perspektivën evropiane për Ballkanin konkrete dhe të prekshme, i cili është pjesë përbërëse e hapësirës sonë strategjike”. 

“Në rastin e Kosovës – shton ai – është e nevojshme të tejkalohet zhgënjimi në rritje i opinionit publik vendor për procesin e integrimit evropian, edhe për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë – të vetmit në rajon që nuk përfitojnë nga kjo masë – pavarësisht se vendi ka kohë që ka arritur të gjithë parametrat për ta marrë atë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat