​Ministria e Mjedisit nuk lëshon lejet mjedisore dhe ujore, ankohen bizneset

Aktuale

​Ministria e Mjedisit nuk lëshon lejet mjedisore dhe ujore, ankohen bizneset

Më: 29 maj 2022 Në ora: 10:49
Foto ilustrim

Një nga sfidat me të cilat po përballen bizneset kohët e fundit janë pajisja me leje mjedisore dhe leje ujore nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Kjo për shkak të procedurave burokratike në këtë ministri, numrit të madh të lëndëve për trajtim dhe numrit të vogël të stafit për këtë punë, apo mosnënshkrimit nga ana e sekretarit të përgjithshëm.

Si rrjedhojë, inspektoret e po kësaj ministrie, gjatë vizitave në terren, në mungesë të lejes mjedisore, respektivisht lejes ujore, u japin ultimatum bizneseve për ndalje të punës, ndërsa vet kjo ministri nuk po i pajis me të njëjtat, edhe pse aplikimi nga ana e bizneseve është bërë me kohë për vazhdimin e këtyre lejeve.

Kjo sfidë, po i vendos bizneset në një pozitë të pafavorshme, ku si pasojë e procedurave burokratike në MMPHI, pa fajin e tyre detyrohen që ta ndalin punën dhe largojnë nga puna punëtorët.

KP ka kërkuar përgjigje direkt nga zëvendësministri i kësaj ministrie, Hysen Durmishi, por nuk është deklaruar lidhur me këtë temë.

Po ashtu, redaksia dhjetë ditë më parë ka drejtuar pyetje në zyrën për media të kësaj ministrie, lidhur me këtë temë, por që nuk janë përgjigjur. 

Merret vesh se rreth 700 kërkesa të bizneseve për leje mjedisore dhe ujore janë në sirtar të kësaj ministrie. 

Kompania nga Ferizaj me tri njësi, për prodhimin e betonit, gurore dhe ndërtim nuk po arrin të marrë nga kjo ministri lejen mjedisore dhe atë ujore. 

Bujar Avdyli nga kompania “Toni Company”, thotë për KosovaPress, se si kompani me tri njësi, janë duke hasur në vështirësi lidhur me marrjen e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve të tjera që jepen nga Ministria e Mjedisit, siç thekson ai si pasojë e prolongimeve në marrjen e vendimeve nga kjo ministri. 

Afaristi Avdyli thotë po ashtu se është bërë një kohë e gjatë që nuk ka një vendimarrje në MMPHI, dhe kështu këto çështje që kanë mbetur pezull, sipas tij, ndikojnë negativisht në biznes dhe në krejt kompanitë tjera. 

Ai thotë se rezervat e tyre janë të kufizuara dhe nëse vazhdohet kështu për një kohë të pacaktuar, janë të detyruar ta ndalojnë aktivitetin afarist. 

Avdyli: Shqetësimi ynë është që nuk kemi asnjë përgjigje

“Shqetësimi ynë është që nuk kemi asnjë përgjigje. Kushtimisht, nëse është që nuk jemi në harmoni me legjislacionin në fuqi, ne jemi të hapur dhe synimi ynë është që t’i plotësojmë të gjitha kërkesat ligjore, çka besojmë që e kemi bërë, por aktualisht nuk kemi përgjigje dhe çështja është lënë pezull, as nuk është aprovuar e as nuk është refuzuar si kërkesë”, thotë ai. 

Ai ka thënë se përveç që nuk po arrijnë të marrinë lejet, po gjobiten edhe nga inspektorati i kësaj ministrie. 

Avdyli: Halli ynë se përveç se s’e kemi marrë lejen, ne po detyrohemi të ballafaqohemi edhe me gjobat 

“Aplikimin e kemi bërë gjatë muajt janar, ndërsa brenda tre muajsh do të duhej dhënë përgjigja. Por, ende vazhdojmë të mos kemi përgjigje lidhur me kërkesën tonë për leje mjedisore. Për leje ujore çështja është më gjatë se kaq, aplikimin e kemi bërë gjatë vitit të kaluar, por përkundër kësaj ne kemi qenë në vazhdimësi në kontakt me përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, por ende nuk e kemi marrjen e vendimit, ku është arsyeja nuk e dimë. Halli ynë se përveç se s’e kemi marrë lejen, ne po detyrohemi të ballafaqohemi edhe me gjobat potenciale që na shqipton inspektorati i Ministrisë. Përkundër qe ne u kemi prezantuar dëshmitë që kemi aplikuar me kohë dhe kemi plotësuar të gjitha kërkesat ligjore”, thekson ai. 

Përveç kësaj, Avdyli shton se nëse vazhdohet ky prolongim rreth 100 punëtorë mbesin papunë. 

Avdyli: Rrezikohen të mbesin pa punë rreth 100 punëtorë

“Duke shpresuar që mos të vijmë deri aty, nëse vazhdohet për një kohë më të gjatë që mos të kemi përgjigje, do të mbarojnë rezervat tona minerare që është lëndë e parë për ushtrimin e aktivitetit tonë, e si pasojë do të kemi ndalje të aktivitetit dhe ndaljes së punës. Kompania jonë ka mbi 100 punëtorë, të cilët operojnë në tri njësitë tona që i kemi dhe në rast se vijmë deri në këtë pikë, kjo i bie që rreth 100 familje do të mbesin pa të ardhura mujore për shkak të neglizhencës zyrtarëve në fjalë”, thotë ai. 

Afaristi nga Ferizaj ka thënë ndër të tjera se qindra kompani të tjera që merren me këtë veprimtari e kanë hallin e njëjtë. 

Një kompani tjetër në regjionin e Gjilanit që ka këtë lloj veprimtarie, ka aplikuar para 11 muajve për leje mjedisore dhe nuk ka marrë ende përgjigje. 

Sipas drejtuesve të kësaj kompanie që nuk deshën të flasin para kamerës, për shkak të neglizhencës të Ministrisë së Mjedisi, inspektorati i po kësaj ministrie urdhëron ndaljen e punimeve gurthyese. 

Biznesi në fjalë është para vendimit për ta mbyllur biznesin dhe të largojë nga puna punëtorët, edhe pse kompania ka licencë të punës deri më 2037. 

Për këtë çështje ka reaguar edhe Oda e Afarizmit të Kosovës, se janë bllokuar qindra biznese dhe mijëra vende pune. 

OAK i është drejtuar me një shkresë kryeministrit Kurti, zëvendëskryeministrit Bislimi, ministrit Peci, ministrit Aliu e KPMM-së për të shprehur shqetësim të thellë për moskoordinimin e institucioneve të Kosovës, si rezultat i së cilës janë bllokuar qindra biznese dhe mijëra vende pune.

“Përmes kësaj shkrese OAK ka kërkuar nga Kryeministri dhe Ministrat përkatës që me urgjencë të zhbllokojnë këto biznese në mënyrë që të mos vije deri tek një kolaps zinxhiror dhe të shkaktohen humbje të jashtëzakonshme për bizneset, të punësuarit dhe të hyrave për vendin. Ky reagim vije si rezultat i mos përgjigjes së institucioneve të Kosovës, respektivisht MBPZHR, MMPHI dhe KPMM, që oda ka një kohë të gjatë që është duke kërkuar takime çoftë individuale apo edhe të përbashkëta, në mënyrë që qindra kërkesa të cilat janë depozituar tash e një kohë të gjatë të trajtohen dhe të lejohet vazhdimi i punës për këto biznese”, thuhet në reagim. 

Sipas OAK, problemi kryesor qëndron tek mosvazhdimi i pëlqimeve dhe kontratave nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe pëlqimeve dhe lejeve mjedisore nga MMPHI, si rezultat i të cilave është bllokuar edhe KPMM.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat