​Pozitë dhe opozitë kërkojnë mesazhe të qarta nga Scholz gjatë vizitës në Kosovë

Aktuale

​Pozitë dhe opozitë kërkojnë mesazhe të qarta nga Scholz gjatë vizitës në Kosovë

Më: 29 maj 2022 Në ora: 12:26
Olaf Scholz

Vizitën e paralajmëruar në fillim të muajit qershor e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë dhe rajon, po e mirëpresin në spektrin politik dhe shoqërinë civile.

Pozitë dhe opozitë kërkojnë nga kancelari Scholz mesazh të qartë për liberalizimin e vizave, mbështetje ndaj Procesit të Berlinit dhe intesifikim të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë për KosovaPress, se kancelari gjerman duhet të thotë “majftë është mjaft” dhe të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në fund të qershorit.

Përkrahjen nga lideri evropian, Rexhaj kërkon edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe dialogun me Serbinë.

Rexhaj: Kancelari gjerman të thotë se mjaft është mjaft për liberalizimin e vizave

“Kancelari gjerman shpresoj ta thotë të njëjtën frazë për arsye se Kosova që moti i ka përmbushur kushtet që janë kërkuar për liberalizimin e vizave dhe kjo çështje është prolonguar. Jemi në faza të fundit kur vendet e Bashkimit Evropian duhet t’i thonë po hyrjes në këtë fazë...Shto këtu ne që kemi aplikuar për në Këshillin e Evropës dhe siç po shihet përmes lobimeve dhe deklaratave të presidentëve dhe kryeministrave të Evropës-së kemi mbështetje për anëtarësim në këtë organizatë...Ne jemi për një marrëveshje, për një njohje në qendër siç e ka potencuar edhe kryeministri Kurti, mirëpo nuk jemi për të defunskionalizuar shtetin e Kosovës”, thotë ai.

Vizitën e Scholz në Kosovë e sheh të dobishme edhe deputetja opozitare e AAK-së, Time Kadrijaj.

Ajo kërkon nga institucionet e Kosovës të shfrytëzojnë momentumin e përkrahjes ndërkombëtare për të shtyrë përpara temat si liberalizimi i vizave dhe dialogu.

Kadrijaj: Duhet të shfrytëzohet ky momentum i përkrahjes ndërkombëtare

“Janë të mirëpritura, ne i gëzohemi faktit se liderët botëror, në këtë rast, kancelari i Gjermanisë ka shprehur dëshirën të vizitojë Kosovën. Ne i kemi aleat dhe miqtë dhe normal se i mirëpresin, njëkohësisht edhe këshillat e tyre. Është një disponim i mirë për çështjen e liberalizimit të vizave, përveç disa vendeve që kanë hezitime për çështjen e liberalizimit të vizave, disa janë në procese zgjedhore...Në çështjen e dialogut të përfshihen edhe vendet tona, siç janë një emisar nga ShBA, që e kemi aleatin më të madh dhe kryesor. Fatmirësisht ne kemi një emisar, të njëjtin e kemi edhe nga Gjermania dhe Britania e Madhe. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë momemtun dhe prej dialogut teknik të kalohet në dialog teknik”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, drejtori i institutit Epik, Demush Shaha paraqet tri mesazhet kryesore që mund t’i adresojë kancelari gjerman gjatë vizitës në Kosovë.

Shasha: Kancelari Scholz gjatë vizitës në Kosovë do të jap tri mesazhe

“Kancelari Scholz dëshiron të nënvizojë se ky rajon është i një rëndësie të veçantë për të personalisht si kancelar. I dyti mesazh është sa i përket rëndësisë së stabilitetit të rajonit dhe vijimësisë së rrugës së tij drejt BE-së. Ky mesazh në veçanti do të sforcohet në kuptimin e zhvillimeve që po ndodhin në Ukrainë, në këtë sfond kancelari do të nënvizojë rëndësinë e avancimit të Procesit të Berlinit dhe qëllimit të tij që në pjesën e dytë të këtij viti të mbajë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Ky do të jetë mesazhi i tij i dytë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe mjeti kyç do të jetë Procesi i Berlinit. Mesazhi i tretë do të jetë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi si një nga elementet më të rëndësishme të stabilitetit rajonal. Këtu kancelari gjerman do të përsërit atë që e ka thënë në Berlin që sa më shpejtë është me rëndësi që të avancohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”, shton ai.

Nga zyra e kancelarit Scholz për KosovaPress nuk kanë konfirmuar deklarativisht vizitën në Kosovë, mirëpo kanë ripërsëritur një deklaratë të liderit evropian se para mbledhjes së radhës të Këshillit të BE-së do të qëndrojë për vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti, javë më parë pati një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u prit në takim nga kancelari Scholz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat