Ulje çmimesh për udhëtarët, ministri Liburn Aliu jep detaje për marrëveshjen Kosovë-Turqi

Aktuale

Ulje çmimesh për udhëtarët, ministri Liburn Aliu jep detaje për marrëveshjen Kosovë-Turqi

Më: 19 qershor 2022 Në ora: 13:38
Mevlut Cavusoglu dhe Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar në Facebook për marrëveshjen që ai e nënshkroi me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Aliu ka dhënë detaje për marrëveshjen që tha se do ta rrisë numrin e fluturimeve nga Kosova në Turqi dhe anasjelltas. Po ashtu, kjo marrëveshje sipas Aliut do t’i ulë edhe çmimet e udhëtimeve për pasagjerët kosovarë.

“Sapo nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit me ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Turqisë, z. Mevlüt Çavusoglu. Përmes kësaj marrëveshje tanimë kemi rritur numrin e fluturimeve nga njëzet e tetë (28) fluturime në javë, në dyzet e dy (42) sosh , e që do të rezultojë edhe me uljen e çmimeve të udhëtimeve të pasagjerëve tanë”, shkroi ai.

“Kjo marrëveshje i kontribuon zhvillimit të mëtejshëm të transportit ajror në përgjithësi, përkitazi zhvillimit të vëllimit të trafikut ajror në mes të dy Republikave”, shtoi Aliu.

Në fotografinë e Aliut me Cavusoglun, prapa tyre duket e lumtur ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila e përshëndeti këtë marrëveshje në konferencën e përbashkët për media me ministrin turk.

“Është për t’u përshëndetur marrëveshja që u nënshkrua sot nga dy ministrat lidhur me rritjen e frekuencës së fluturimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë”, tha Gërvalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat