Ekskluzive: Si u përgatitën atentatorët me murtaja dhe snajperë ta sulmonin Rugovën

Aktuale

Ekskluzive: Si u përgatitën atentatorët me murtaja dhe snajperë ta sulmonin Rugovën

Nga: Idriz Morina Më: 26 qershor 2022 Në ora: 18:42
Foto ilustrim Presidenti Rugova

Për muaj të tërë thoshin Rugova kurrë nuk shkoi te varri i Adem Jasharit dhe të nderojë familjen Jashari, pastaj thoshin ai nuk shkoi sepse është tradhtar, dhe disa herë të tjera se ai duhet të shkojë, le të shkojë, pse nuk po shkon, më pas, nuk e pranon familja Jashari edhe nëse shkon etj.

Kemi siguruar disa informacione të pa publikuara më parë në lidhje me këtë përpjekje, e cila ishte edhe e vetë Rugovës, që ta vizitonte familjen Jashari.

Pavarësisht propagandës që bëhej asokohe, presidenti Rugova ishte i informuar shumë mirë dhe me kohë, për familjen Jashari, jo vetëm kur ndodhi tragjedia, por edhe shumë vite para saj.

Është emblematike fotoja ku gjatë një konference shtypi të presidentit Ibrahim Rugova ne aeroportin e Tiranës ‘Nëna Terezë”, në prapavijë, por shumë qartë shihet në këmbë Adem Jashari.

Statura e tij, pamja që ka marrë e bëjnë të qartë se është në rol të pjesëtarit të sigurisë së Presidentit.

Image
Fotografia më e komentuar, Rugova-Jashari

Shërbimi i Adem Jasharit ndaj Rugovës

Po ashtu me kohë kanë dalur edhe shumë deklarata dhe informacione, që e bëjnë të qartë se Rugova ishte në dijeni dhe i informuar, edhe për veprimet e karakterit ushtarak të Adem Jasharit.

Gazeta “Bota sot” që në vitin 1999 e ka botuar atë fotografi të presidentit Rugova, ku shihet heroi Adem Jashari.

Por, propaganda dhe gënjeshtrat kanë bërë që një pjesë e opinionit mos ta merrte si faktike foton, edhe pse nuk kishte mundësi asnjë ekspert i fotove ta demantonte. Kjo propagandë drejtohej nga ish Shtabi i UÇK-së, që seli faktike e kishte hotelin Rogner në Tiranë.

Për faktin që Rugova e njihte mirë Adem Jasharin, ka dëshmuar edhe vetë ish-komandanti i UÇK-së në Drenicë, Sami Lushtaku, gjatë një interviste në televizion.

Sipas Lushtakut, në vitin 1991, presidenti Ibrahim Rugova e ka pritur në Zvicër komandantin Adem Jashari, në një takim për të cilin ka thënë se vetë nuk ka marrë pjesë.

“Kemi shku në Zvicër me Adem Jasharin. Atje e kemi taku qeverinë edhe Ibrahim Rugovën. Unë jo, por Ademi (Jashari) e ka taku Rugovën në vitin ‘91”, ka thënë Lushtaku në emisionin Pressing në T7. “Nuk e kemi ditë që atje e pret Rugova. Kur kemi shku në aeroport na ka pritur Imer Berisha. Atje na ka pritur edhe Ibrahim Rugova”, ka treguar Lushtaku në vitin 2019.

Paralajmërimi për homazhe në Prekaz

Por, pse gjithë ajo dhunë ndaj Rugovës ushtrohej pra dhe gjithë ato akuza për vite të tëra, ndërsa e dinin të vërtetën krejt ndryshe?! Pse përgatiteshin atentate ndaj Rugovës, edhe në zonën që e kontrollonte vetë Lushtaku?!

Të gjitha këto zhurma, kryesisht bëheshin nëpërmjet mediave që i kontrollonin njerëzit e Qeverisë së Përkohshme (QPK-së) asokohe dhe më vonë, dhe që kishin një motiv tjetër.

Qëllimi ishte që me ushtrimin e presionit publik, njerëzit rreth Rugovës t’i sugjeronin se ai duhej ta bënte këtë vizitë patjetër, si mënyrë për t’i ndaluar akuzat dhe për të mos lejuar diskreditimin publik.

Dhe në këtë mënyrë ta shtynin drejt një hapi të gabuar për ta goditur dhe vrarë!

Që në vitin 1999, pak muaj pas çlirimit Ibrahim Rugova e kishte paralajmëruar se së shpejti do ta bënte një vizitë në Prekaz.

Paralajmërimin e kishte bërë në një intervistë në RTK, si përgjigje në pyetjet e shikuesve, duke theksuar se do t’i vizitonte edhe disa qytete të tjera.

“Së shpejti do të shkojë dhe natyrisht do t’i bëjë homazhet në Prekaz...”, kishte thënë Rugova, duke ia rikujtuar opinionit se kishte shpallur ditë zie për masakrën e kryer nga forcat serbe ndaj familjes Jashari.

Pak kohë më vonë, në vitin 2000 kur kishte filluar të vizitonte qytete të ndryshme të Kosovës, kishte paralajmëruar vizitën, përkatësisht homazhet në Prekaz.

Për përgatitjen e një vizite të tillë kishte folur edhe ish-presidenti Sejdiu, i pyetur rreth kësaj teme, pa e saktësuar datën.

“E di që ka qenë një përgatitje për të shkuar në Prekaz, por nuk ka shkuar. Ka disa shpjegime në të cilat nuk dua të jap vlerësimin tim. Ibrahim Rugova e ka dekoruar Adem Jasharin me urdhrin e heroit. Unë e kam përcjellë atë dekoratë dhe familja Jashari e ka pranuar atë dhe e ka në sirtarin e saj. Unë e di që e ka pasur respektin e plotë për Adem Jasharin”, tha gjatë intervistës Fatmir Sejdiu.

Në zgjedhjet e vitit 2000, Rugova vendosi të shkonte. Sigurimi i tij i kishte marrë thuajse të gjitha masat. Por, për vizitën e tij atje, për udhëtimin duhej njoftuar KFOR-in, sepse ai ende po merrej edhe me sigurimin e lëvizjes së lirë, bashkë me policinë.

Presidenca, përkatësisht presidenti Rugova kishte raporte të shkëlqyeshme me KFOR-in, kështu që për vizita të tilla, nevojitej edhe një sinjal nga ky mision, pasi roli i tij ishte kyç aso kohe për sigurinë.

Në ditën që pritej Rugova të bënte homazhe dhe vizitë në Prekaz, në Skenderaj, ishin shpërndarë foto me mesazhe në të cilat Rugova akuzohej si bashkëpunëtor i Serbisë.

“Nuk më kujtohet saktë se si ka ndodhur rasti, por kur Rugova deshi ta vizitonte Prekazin, më kujtohet se ishin shpërndarë foto kundër Rugovës, ku paraqitej si tradhtar”, thotë Gani Geci, që e kujton si moment që i ka mbetur në kujtesë.

Përgatitja për atentat

Në një dëshmi të pa publikuar më parë, avokati Gazmend Halilaj, rrëfen se si në vitin 2000, një grup prej tre vetash kishin vendosur ta kryenin atentatin ndaj Rugovës.

“Ishin tre veta, që kishin marrë guximin ta kryenin atentatin. Ishte zgjedhur pika ‘e sigurtë’ për atentat te vendi i ashtuquajtur “Betoni i Polacit”, thotë Halilaj.

Kërkesa ishte bërë me thirrjen: “Hajde me ja nxan priten Rugovës, mos me lan me ardh te Jasharajt”, kishte thënë organizatori sipas Halilajt.

Një kthesë e fortë, dhe një përpjetëze nga do të kalonte autokolona e presidentit Rugova, pasi nuk kishte rrugë tjetër për në Prekaz.

Kthesa dhe përpjetëza, duke e ngadalësuar kolonën maksimalisht, do t’i jepnin kohën dhe mundësinë e duhur sulmuesve, që ta godisnin cakun.

Për goditje ishte zgjedhur murtaja dhe snajperët. “Sa më kujtohet atentatorët, kishin siguruar murtaja dhe snajper”, thotë ai.

Njëra me forcë goditëse të jashtëzakonshme, dhe tjetra, me goditje precize të jashtëzakonshme.

Njëri nga atentatorët ka vdekur. Vetëm para disa viteve dhe në rrethana mjaft të dyshimta. Ai një njeri i rrezikshëm, që për disa vite kishte jetuar jashtë Kosovës.

Në krye të grupit ishte një djalë nga një fshat i Skenderajt. Pra, pikërisht në afërsi të fshatit, ku do të mund të bëhej atentati.

“Personi i tretë ishte nga fshati Gllobar. Ai ka punuar në TMK".

Personi kryesor në grup ishte djaloshi nga Polaci.

Vendi i quajtur “Te betoni i Polacit” ka ndryshuar plotësisht thuaja, pasi atje është ndërtuar rruga e re, si pjesë e autostradës, dhe betoni që dikur ekzistonte për të penguar shembjen e dheut nuk është më.

Image
Vendi i quajtur “Te betoni i Polacit” i ndryshuar plotësisht, ku planifikohej të kryhej atentati ndaj Rugovës

Rrëfimi i një ish-zyrtari në Presidencë - Vizita u kërkua nga vetë presidenti Rugova

Një dëshmi tjetër, e vërteton që Rugova ishte këmbëngulës ta vizitonte familjen Jashari. Nuk dihet nëse këto dy dëshmi kanë të bëjnë me përpjekjet e Rugovës në një kohë të njëjtë apo të ndryshme, për ta vizituar Prekazin.

“Një ditë, se mbaj mend saktë, por Rugova pak kohë pasi ishte zgjuar nga gjumi kishte kërkuar që të shkonte për homazhe në Prekaz. Madje ai u kish thënë familjarëve, se kam pa ëndërr që isha në vizitë te familja Jashari”, thotë ky burim, që kërkon të mbetet anonim.

Sipas tij, menjëherë kishin filluar kundërshtimet, për shkak të pasigurisë. Por, sipas tij Rugova dukej krejtësisht i vendosur, dhe nuk po arrinin ta bindnin që të hiqte dorë.

Si duket Rugova, e kishte sajuar çështjen e ëndrrës, në mënyrë që t’i ulte zërat kundërshtues të personave të sigurisë fizike.

Por, sipas burimit kërcënimet ishin reale.

“Ne kishim informata, se S. G. dhe të tjerë, po kërcënonin dhe se po e kërkonin momentin.

Sipas burimeve tona, S. G. ka thënë se veç nisuni se po ju pres. Ndërkohë, kemi pasur informacione nga KFOR-i dhe inteligjenca ndërkombëtare, që vizita nuk duhej të bëhej se kërcënimi ishte real”, thotë ky burim, sipas të cilit vetëm informacioni nga KFOR-i, e kishte bërë Rugovën të hiqte dorë nga udhëtimi, dhe ta shtynte për një kohë tjetër.

Stafi i kishte ofruar një udhëtim me lëvizje nga ajri. “Një variant, ishte që ta dërgonim me helikopter, por këtë e refuzoi Rugova, kategorikisht”, thotë ky burim.

Si duket, po për të njëjtat shkaqe të sigurisë këtë udhëtim presidenti Rugova nuk e bëri kurrë.

Vend i atentateve

Me 4 gusht pikërisht vendin ku po planifikohej vrasja e Rugovës, qe plagosur rëndë në një atentat Sejdi Kocaj, kryetar i LDK-së në Skenderaj.

Image
Sejdi Kocaj, kryetar i LDK-së në Skenderaj, ne takim me Rugovën, në qendër me flokë të thinjura

Sipas raportimeve në media asokohe sulmi ishte kryer rreth orës 19.30, në rrugën Skenderaj-Polac. Policia e UNMIK-ut kishte bërë një hetim të menjëhershëm duke arrestuar katër veta, të cilët dyshoheshin se ishin atentatorët ndaj kryetarit të LDK-së. Koca qe shtruar në QKUK në Prishtinë, dhe ishte jashtë rrezikut për jetë, ndërsa kishte humbur shumë gjakë nga dy plagë të shkaktuara me plumba.

Edhe sondazhet e asaj kohe e favorizonin bindshëm partinë e Rugovës.

Vetëm 24 orë para këtij atentati qe plagosur në një atentat tjetër Agim Veliu.

Ndërsa, dhjetë ditë para këtij rasti, me 23 korrik ishte rrëmbyer edhe avokati Shaban Manaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovë, i cili ishte vrarë dhe më pas i ishte djegur trupi.

Sejdi Koca shihej si kandidat potencial për të garuar për kryetar të Skenderajt në zgjedhjet e para të lira lokale, në 28 tetor të vitit 2000.

Po ashtu edhe Agim Veliu, i cili pat kandiduar asokohe dhe pat fituar për kryetar të Podujevës.

Në zgjedhjet e para lokale, LDK-ja i fitoi thuajse të gjitha komunat. PDK-ja pat fituar vetëm në Drenas, në Skenderaj, Shtime dhe Kaçanik.

Në atë vit zgjedhjet lokale në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok nuk qene licencuar.

Image
Këtu diku ishte kryer atentati ndaj veprimtarit Sejdi Koci

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat