​Kurti priti në takim Lajçak, këto janë temat për të cilat biseduan

Aktuale

​Kurti priti në takim Lajçak, këto janë temat për të cilat biseduan

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 06:27 Përditësuar në ora: 17:01 më 27.06.2022
Foto nga takimi

Kurti priti në takim Lajçak

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, e cila në qendër ka njohjen reciproke.

Në takim u bisedua edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit.

Në saje të kësaj marrëveshjeje, pas më shumë se 20 vjetësh, katër komunat në veri Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë.

Me këtë marrëveshje, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit.

Lajçaku mbërrin në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.

Lajçak do të takohet edhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Kjo vizitë e emisarit për dialogun po ndodh një javë pasi, në dialogun e Brukselit që ndërmjetësohet nga Lajçak, pala kosovare dhe ajo serbe u dakorduan për nxjerrjen e një udhërrëfyesi, që do t’i shërbente zbatimit të marrëveshjes për energjinë elektrike në veri të Kosovës.

Nën udhëheqjen e tij, si shef i dialogut të Brukselit ishte arritur edhe ujdia e targave në shtator të vitit 2021.

Lajçak do të vizitojë sot Kosovën

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, do të vizitojë Kosovën nga sot deri më 29 qershor.

Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës.

Fjalimi për media i EUSR Lajčák është planifikuar për të mërkurën, 29 qershor. Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat