Pas ujdisë për energjinë, në agjendën e Lajçakut vizita në veri

Aktuale

Pas ujdisë për energjinë, në agjendën e Lajçakut vizita në veri

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 14:28
Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit të tij treditor në Kosovë, pritet ta vizitojë edhe veriun e vendit tonë.

Ende nuk është zbardhur agjenda e plotë e vizitës së zyrtarit evropian në Kosovë dhe akoma nuk dihet saktë se në cilën pjesë të veriut do të qëndrojë.

Gjatë qëndrimit treditor në Kosovë, Lajçak do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, njofton Klankosova.tv.

Kjo vizitë e emisarit për dialogun po ndodh një javë pasi, në dialogun e Brukselit që ndërmjetësohet nga Lajçak, pala kosovare dhe ajo serbe u dakorduan për nxjerrjen e një udhërrëfyesi, që do t’i shërbente zbatimit të marrëveshjes për energjinë elektrike në veri të Kosovës.

Nën udhëheqjen e tij, si shef i dialogut të Brukselit ishte arritur edhe ujdia e targave në shtator të vitit 2021.

Lajçak kishte nisur mandatin njëvjeçar si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë, në prill të vitit 2020. Pastaj i ishte vazhduar edhe për 18 muaj, pas 1 prillit 2021. Ndërkaq, së fundmi i është zgjatur edhe për 18 muaj të tjerë.

Diplomati sllovak kishte shkuar tek Ura e Ibrit në qershor të vitit 2019, në cilësinë e shefit të diplomacisë sllovake dhe atë të kryesuesit të OSBE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat