Kuvendi me tensione të mëdha/ Konjufca mbyll seancën

Aktuale

Kuvendi me tensione të mëdha/ Konjufca mbyll seancën

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 15:32 më 01.07.2022
Kuvendi i Kosovës

Mungojnë deputetët, Konjufca i mbyll punimet e seancës

Në mungesë të deputetëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka mbyllur punimet e seancës së sotme plenare.

Pas diskutimeve për raportin e AKP-së për vitin 2021, përkundër pritjeve disa minutash nuk pati kuorum për të hedhur në votim të njëjtin. 

Kësisoj, kryeparlamentari tha se seanca e sotme do të vazhdojë një ditë tjetër.

Në rend të ditës mbeten edhe shqyrtimi i Mocionit për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesat e Mediave.

​Më 7 korrik seanca e re plenare

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të enjten më 7 korrik.

Kështu ka thënë shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i cili ka kërkuar nga shumica që projektligji për deklarimin e pasurisë të kthehet komision dhe të largohet kategoria e mjekëve dhe profesorëve.

“I kërkoj edhe njëherë mazhorancës ta rikthejë në rishqyrtim çështjen e deklarimit të pasurisë. I kërkojmë të reflektojë, ta kthejë projektligjin në komision, t’i largojmë këto kategori”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së kryesisë.

Tahiri i ka quajtur skandaloze deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati për veteranët.

“Skandaloze, dhe heshtja e kryeministrit karshi këtyre deklaratave është e papranueshme”, ka thënë ai.

Deputetët shkojnë në pauzë, mblidhet Kryesia e Kuvendit

Me debate të shumta mes pozitës e opozitës është përcjell seanca e sotme e Kuvendit.

Pas dështimit për votimit e Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, deputetët kanë shkuar në pushim.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se tani do të mbahet mbledhja e Kryesisë, teksa punimet e seancës do të vazhdojnë në orën 14:30.

Opozita nuk e bëri kuorumin për Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, megjithatë, u votuan në lexim të dytë amendamentet e këtij Projektligji.

​Dështon miratimi i Projektligjit për deklarimin e pasurisë dhe të dhuratave

Në mungesë kuorumi në Kuvend, ka dështuar të miratohet Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Vetëm 59 deputetë të mazhorancës u shprehën pro miratimit të Projektligjit, ndërsa deputetët opozitarë u përmbajtën nga votimi.

Paraprakisht, me 60 vota për dhe një abstenim, Kuvendi miratoi amendamentet për këtë Projektligj.

​Konjufca kritikon deputetët “zhurmues” në Kuvend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur kritik ndaj deputetëve “zhurmues”, në seancën e sotme plenare.

Kryeparlamentari iu kërkoi të njëjtëve të mos bëjnë zhurmë, pasi po e pengojnë mbarëvajtjen e seancës.

Konjufca: Duhet mirëkuptim ndaj deputetëve

Dëgjoni, këtu janë dy procedura: ose të mbyllen veshët dhe të hidhen çështjet në votim, ose të ketë mirëkuptim që kur të pyesin diçka t’i dëgjojmë deputetët. Unë jam gjithmonë për këtë variantin e fundit. S’ka lidhje që është leximi i dytë duhet t’i dëgjojmë të gjithë”, tha ai.

Këto kritika, Konjufca i bëri gjatë shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Kuvendi themelon komision ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë

Kuvendi i Kosovës me 71 vota pro dhe një abstenim ka themeluar komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore në kuvend.

Kryetar i këtij komisioni do të jetë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri,ndërsa nënkryetar do të jetë deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi.

Nexhat Kryeziu zgjedhet anëtar joekzekutiv i bordit të BQK-së

Nexhat Kryeziu është zgjedhur anëtar joekzekutiv i bordit të Bankës Qëndrore të Kosovës.

Në votim morrën pjesë 85 deputetë, nga të cilat shtatë fletëvotime janë të pavlefshme, përcjell Klankosova.tv.

Kryeziu u zgjedh me gjithsej 72 vota të marra nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kandidatët e tjerë ishin Esida Bujupi e cila nuk morri asnjë votë, Lulzim Ismaili pesë vota dhe Nora Rraci një votë.

Kuvendi pritet të zgjedhë anëtarin jo ekzekutiv të Bordit të BQK-së

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të përzgjidhet 1 anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, përmes votës së fshehur.

Sipas radhës, tashmë deputetët kanë hyrë në procedurën e votimit.

Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë.

Po ashtu, të zgjedhurit e popullit do të shqyrtojnë raportim vjetor të Performacës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, dhe raportimin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.

LIVE - Nis vazhdimi i seancës plenare

Kuvendi i Kosovës vazhdoi sot seancën e nisur dje, ku ishin nëntë pika të rendit të ditës.

Sot deputetët kanë në rend të ditës, shqyrtimin e  Projektligjit për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, pastaj  shqyrtimin e  Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave si dhe  shqyrtimi i Mocionit për shkarkimin e Bordit të ZRrE-së.

Dje në seancë pati shumë debat pasi mes pikave të rendit të ditës ishte edhe ajo për ngritjen e çmimeve.

Opozita kishte thirrur debat parlamentar për shkak të inflacionit, i cili sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tashmë është dyshifror.

------------------------------

Sot Kuvendi i Kosovës mblidhet prapë për të vazhduar punën që mbeti nga seanca e djeshme.

Në rend dite janë shqyrtimi i Projektligjit për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit; shqyrtimi i Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave; shqyrtimi i Mocionit për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së.

Opozita kishte thirrur debat parlamentar për shkak të inflacionit, i cili sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tashmë është dyshifror.

Për këtë çështje, dje pati debat mes pozitës dhe opozitës. Kryeministrit Kurti iu kërkua që të ndërmerrte masa, derisa ai tha se “inflacioni është i importuar”, prandaj Qeveria e Kosovës s’mund të bëjë shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat