Plagosja e dy policëve në Skenderaj, lirohet Nuredin Lushtaku - detajet nga incidenti

Aktuale

Plagosja e dy policëve në Skenderaj, lirohet Nuredin Lushtaku - detajet nga incidenti

Më: 3 korrik 2022 Në ora: 09:12 Përditësuar në ora: 18:32 më 03.07.2022
Nuredin Lushtaku

Lushtaku me vëllezër shkuan për t’u konfrontuar me policët që ia gjobitën djalin, si ndodhi sulmi

Gjoba për kundërvajtje në trafik që i shqiptoi Policia mbrëmë Arbër Lushtakut, djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtakut, u kushtoi atyre me sulm. Dy zyrtarët policorë, Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci, mbetën të plagosur, njëri si pasojë e armës së zjarrit që ende nuk është konfirmuar se nga kush u shkrep, e tjetri për shkak të mjeteve të forta. Për sulmin ndaj Policisë po dyshohet vet Nuredini, bashkë me djalin e dy vëllezërit e tij. Arbri bashkë me xhaxhin e tij, gjenden akoma në arrati, ndërkohë që Nuredin Lushtaku me vëllain tjetër janë liruar në procedurë të rregullt.

Gazeta Sinjali ka siguruar detaje të reja për këtë rast. Sherri nisi në një pikë kontrolli, në rrugën “Fadil Rrustemi” në Skenderaj, ku zyrtarët policorë ndalën djalin e Nuredin Lushtakut, i cili ishte me një veturë të tipit Golf, të cilit ia shqiptuan një tiketë për kundërvajtje në trafik.

I mllefosur për gjobën që mori, Arbër Lushtaku, 19-vjeçar, vendosi të hakmerrej, duke kërkuar ndihmë nga babai e xhaxhallarët, të cilët pa një pa dy dyshohet se arritën në vendin e ngjarjes me një veturë dhe nisën sherrin me Policinë.

Konflikti nisi me debat, e vazhdoi me sulm ndaj dy policëve, njëri prej të cilëve mori lëndime në kokë, si pasojë e  goditjeve me mjete të forta e tjetri në këmbë, për shkak të predhës që u shkrep në vendin e ngjarjes.

Burimet thonë se gjatë përleshjes njëri nga të dyshuarit ia ka marrë armën zyrtare njërit prej policëve të sulmuar, por që është dorëzuar më pas në stacion policor.

Ndërkohë, policët që morën plagë u dërguan fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, për t’u transferuar më pas në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Në anën tjetër, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësite relevante, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast janë gjetur tri gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe janë kryer bastisje që ndërlidhen me rastin.

Përveç Policisë, në rast ka intervenuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e mbrëmshëm në Skenderaj, prandaj hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës.

Policia ka intervistuar Nuredinin dhe Fatonin, të cilët janë dorëzuar vet në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre se si u përfshinë në incidentin e mbrëmshëm, ndërkohë që djali i tij dhe vëllai tjetër, Arifi edhe më tutje janë në arrati.  

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit do të hetohen për veprën penale “sulm”, teksa kërkimet për të dyshuarit kryesorë, Arbër dhe Arif Lushtakun po vazhdojnë.

Policia liron Nuredin Lushtakun

Avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Qerkini, ka konfirmuar se klienti i tij është liruar pasi ndodhej në stacionin policor për intervistim. Lushtaku dyshohet se është përfshirë në një përleshje mbrëmë në Skenderaj, ku janë plagosur dy policë.

“E kam vizitu zotin Lushtaku, ai është liruar me procedurë të rregullt, meqenëse nuk ekziston ndonjë dyshim i arsyeshëm që ai ka përdorur armë gjatë incidentit në fjalë, policia do t’i zhvillojë hetimet, ne jemi të interesuar që hetimet të zhvillohen të plota në mënyrë që të zbardhet e gjithë e vërteta e këtij rasti, pa zhvillime të hetimeve natyrisht ne do t’i përdordim të gjitha ato mjete juridike që i kemi në dispozicion varësisht prej rezultatit të procedurës së hetimeve”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ka të tjerë të arrestuar, Qerkini tha se s’ka informacion.

“Nuk e di për të tjerët, nuk mund të flas për të tjerët, sepse unë mund ta përfaqësoj vetëm një të dyshuar në këtë rast zotin Nuredin Lushtaku për të tjerët nuk kam informacion”.

Sulmi ndaj policëve/ Flet avokati i Nuredin Lushtakut

Mbrëmë rreth mesnatës dy policë u plagosën në Skënderaj.

Në rast u raportua se ishte i përfshirë edhe ish-nënkryetari i komunës së Skenderajt Nuredin Lushtaku, djemtë dhe vëllezërit e tij.

Avokati i tij Artan Qerkini, tha se klienti i tij nuk e ka përdorur armën.

“Deri më tani nga informacionet që kam mund të ju konfirmojë z. Lushtaku nuk e ka përdorur armën. Nuk mund të jap informacione më shumë sepse rasti është në procesin e hetimit”- tha Qerkini.

Lidhur me rastin policia ka deklaruar se dy persona janë arrestuar derisa dy të tjerë janë në kërkim.

Sipas tyre njëri nga policët ka marrë plagë në këmbë nga arma e zjarrit derisa tjetri është lënduar nga një mjet i fortë.

Tha se polici e ka plagos policin, IPK e demanton Nuredin Lushtakun

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), konfirmon se deri më tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e mbrëmshëm në Skënderaj, ku mbetën të plagosur dy zyrtarë policor. Në këtë konflikt dyshohet se është përfshi ish-nënkryetari i Skënderajt, Nuredin Lushtaku, bashkë me disa familjarë të tij.

IPK thotë se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar, prandaj hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës (pas që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Nuredin Lushtaku, ka deklaruar sot se ndodhet në stacionin policor. Lushtaku, ka mohuar të ketë përdorë armë ai, djemtë ose vëllëzërit e tij në drejtim të zyrtarëve policor.

Sipas tij, polici e ka plagos policin.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, tha Lushtaku për Kallxo.

Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen e dy zyrtarëve policorë, mbrëmë në orët e vona në Skënderaj. Njëri polic është plagosur me armë zjarri e tjetri është lënduar me mjete të forta.

Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë ndodhen në arrati, ka konfirmuar policia.

Nuk dihet se kush nga personat e përfshirë në konflikt është prangosur.

Policët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa motivi i plagosjes së dyfishtë dyshohet se ka të bëjë me shqiptimin e një gjobe në trafik.

Incidenti me Policinë në Skenderaj, flet Nuredin Lushtaku

Ish-komandanti i gardës ceremoniale të TMK-së, Nuredin Lushtaku, ka konfirmuar prezencën e tij në stacionin policor lidhur me dyshimin se ka sulmuar dy zyrtarë policorë mirëpo nuk ka dhënë detaje, të cilat thotë se do t’i japë pas përfundimit të hetimeve.

Policia e Kosovës bënë të ditur se njëri nga policët është i plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta. “Të dy zyrtarët policorë janë jasht rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë të ditur se dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë në kërkim.

“Lidhur me rastin janë duke u ndermarr veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucion”, njofton policia.

Lajmin e plotë lexojeni KËTU

Këta janë dy policët të plagosur në Skenderaj

Rreth orës 00:30 në Skenderaj në një pikë kontrolli të Policisë, si rezultat i shqiptimit të një tikete të trafikut, ka ardhur deri te një konflikt në mes të Policisë dhe disa personave, me ç’rast janë përdorur edhe armët e zjarrit.

Nga shkëmbimi i zjarrit janë plagosur dy policë të cilët tashmë kanë arritur në QKUK dhe janë duke marrë trajtim mjekësor.

Dyshohet nga shkëmbimi i zjarrit u plagosen policët Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci pasi rreth orës 00:30 në një pikë kontrolli të Policisë, si rezultat i shqiptimit të një tikete të trafikut, ka ardhur deri tek konflikti në mes të policëve dhe Lushtakut me vëllezërit e tij, me ç’rast janë përdorur edhe armët e zjarrit.

Mësohet se në vendin e ngjarjes ndodheshin 4 policë, dy prej të cilëve nuk reaguan. Policia tha se ka arrestuar dy persona, derisa është vënë në kërkim për të arrestuar të dyshuarit tjerë.

Zbulohet arsyeja pse ndodhi plagosja në Skenderaj, ku u përfshi Nuredin Lushtaku

Dy policë raportohet se janë plagosur pas mesnatës në Skenderaj.

Të dyshuar për këtë rast janë ish-nënkryetari i kësaj komune Nuredin Lushtaku, dy djemtë dhe vëllezërit e tij.

Raportohet se ngjarja ndodhi kur policia e ndali në pikë kontrolli djalin e Nuredin Lushtakut, të cilit i shqiptoi një tiketë trafiku.

Si shkak i kësaj ai e thirri babain e tij i cili sapo arriti në pikë kontrolli, filloi sherrin më policinë.

Sipas raportimeve policia tashmë është vënë në lëvizje që të arrestohen të dyshuarit të cilët shtinë me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, si dhe i rrahën ata me mjete të forta, vetëm pse atyre u shqiptuan një tiketë të trafikut.

Njëri nga policët dyshohet se ka marrë plagë në kokë nga mjetet e forta, por përkundër gjendjes së rëndë ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Konfirmohet plagosja e dy policëve nga i dyshuari Nuredin Lushtaku, dy të arrestuar

Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen e dy zyrtarëve policorë, mbrëmë në orët e vona në Skënderaj. Njëri polic është plagosur me armë zjarri e tjetri është lënduar me mjete të forta.. Mediat raportojnë se në këtë ngjarje është përfshirë ish-nënkryetari i Skënderajt Nuredin Lushtaku me disa familjarë të tij.

Sidoqoftë, për rastin në fjalë janë arrestuar dy të dyshuar dhe dy të tjerë ndodhen në arrati.

Nuk dihet se kush nga personat e përfshirë në konflikt është prangosur.

Policët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa motivi i plagosjes së dyfishtë dyshohet se ka të bëjë me shqiptimin e një gjobe në trafik.

Njoftimi i plotë i policisë:

Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pike të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Të dy zyrtarët policorë janë jasht rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Deri në këtë fazë dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.

 Lidhur me rastin janë duke u ndermarr veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat