Vrasjet, rrahjet, kërcënimet, uzurpimet motivoheshin nga ‘komandantët’ e luftës / Autoaministia – lista e gjatë e krimeve

Aktuale

Vrasjet, rrahjet, kërcënimet, uzurpimet motivoheshin nga ‘komandantët’ e luftës / Autoaministia – lista e gjatë e krimeve

Nga: Idriz Morina Më: 4 korrik 2022 Në ora: 16:34

Ata që po i mbrojnë në emër të patriotizmit disa figura dhe sjellje apo qëndrime të një grupi, duhet të shikohen shumë gjatë në pasqyre, ta krijojnë një pasqyrë të kohës, dhe të nxjerrin disa barazime, ndërsa ato të pamundshme t’i hedhë atje ku duhet.

Lënia në liri dje, por edhe në orët e para të ditës së sotme e Nuredin Lushtakut, ka të bëjë me sjelljen e krijuar të amnistimit të krimit, pa ligj, pa vendim, në më shumë se 22 vjet liri.

Kjo nisi në fakt në luftë, kur organizimi institucional, nuk nxori asnjë vendim, asnjë urdhër për t’i sjellur para gjyqit, ata që po organizonin dhe vrisnin shqiptarë të pafajshëm.

Kishte filluar me gazetarin Ali Uka, kishte vazhduar me Behadin Allaqin, Ilir Konushecin, me atentatet e dështuara ndaj Enver Malokut, e me të plagosur ndaj Sabri Hamitit, dhe vazhdoi tmerrshëm me vrasjen e ministrit të luftës, kolonelit Ahmet Krasniqit.

Pas kësaj vrasje, ato do të bëheshin serike.

Ndërsa, ata që i bënin listat, dakordoheshin për ekzekutimin, kërcënonin hapur dhe në fund e porositnin ekzekutimin, tash e dy dekada gënjejnë se nuk janë autor, dhe nuk e dinë as kë ta fajësojnë, më saktë, kujt t’ia hedhin fajin.

Por, shumë prej tyre urrejtjen për Rugovën vazhdojnë ta deklarojnë!

Intelektualë që me agresivitet mbrojnë fshehjen e krimeve

Pak a shumë është e njëjta situatë edhe jo në përpjekje për amnisti. PDK-ja kërkon mbrojtje me çdo kusht të Thaçit e Veselit dhe të tjerëve përgjegjës të drejtpërdrejt për vrasjet politike të vazhdueshme për diku një dekadë... Edhe më keq akoma, intelektualë brenda saj që kërkojnë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, sillen po me aq agresivitet në mbrojtje të fshehjes së krimeve. Atëherë kush janë këta.

Image
Vëllezërit e paprekshëm Haradinaj, Dauti e Ramushi

Në AAK i janë servilosur dy liderëve të saj, të akuzuar në gjykata dhe jashtë tyre në media, për krime nga më të rëndat. Edhe aty shohim doktor shkence e luftëtarë madje, që i nënshtrohen deri në paskaj, sepse mbajnë shpresë se kur fitojnë ata dy, edhe këta mund të vijnë në pushtet dhe në shprehje ‘të shesin autoritet’.

Por, e ardhmja, veçmas pas luftës së Perëndimit kundër Rusisë, është kthyer në një betejë kudo për demokracinë e brendshme kundër oligarkëve dhe atyre që janë gjithherë mbi ligjin!

Në LDK, e cila sipas Sali Berishës numëron mbi 200 viktima të vrasjeve politike, që vinin kryesisht nga dy krahët që sot paraqesin, Thaçi dhe Ramushi, ka plot zëra që duan paqe me krimin. Asnjë fjalë se thonë për vrasjet politike përveç në përvjetore. Askush se kundërshton PDK-në e AAK-në kur i mbron ata, apo kur Glauk Konjufca dhe të tjerë përpiqen, që vendin ku po gjykohen ata për ato vrasje, ta kthejnë në vend pelegrinazhi.

Kërkesa e Glaukut sot mori një përgjigje zyrtare nga kryetarja e gjykatës speciale, Ekaterina Trëndafilova, e cila ia qartësoi se nuk mund të ushtrohet kontroll ndaj kësaj gjykate, as nga ekzekutivi dhe as nga legjislativi.

VV-ja po mundohet t’i amnistojë të akuzuarit, qoftë pse është i akuzuar njëri nga figurat e saj të rëndësishme Rexhep Selimi, por që po e pengon sistemin juridik dhe të menduarit racional, duke e anashkaluar faktin se ata dyshohen deri më tani së paku edhe për vrasjen e 100 shqiptarëve.

Për disa prej tyre, si për Behadin Allaçin, Ilir Konushecin, Xhemail Mustafën etj., ka kërkuar publikisht që fajtorët të dalin para drejtësisë, dhe po ashtu ka bërë akuza publike në Kuvend duke e fajësuar Kadri Veselin për rastin e vrasjes së komandant “Drinit”!

Gangsterizmi i motivuar nga autoamnistia

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj incidentit duke i konsideruar të paprekshëm policët e Kosovës, por, u deshën gati 24 orë pas reagimit, që Nuredin Lushtaku i liruar bashkë me të vëllain, të ridorëzohen sot në polici, dhe prokuroria e gjykata nuk është dashur t’i linte të lirë, dhe as tash, derisa të dalin para një gjykimi të shpejtë dhe meritor.

Image
Nuredin Lushtaku, dikur i paprekshëm nga policia

 

Lushtaku ishte nismëtar i gjithë atij sulmi, sepse ai u thirr nga i biri i tij, pavarësisht që kjo thirrje ishte e qëllimshme, nuk e përmbush kushtin e agresionit - sulmit.

Nuredin Lushtaku ishte ai që grumbulloi një ekip për përleshje, së paku 4 veta. Ai i mori dy vëllezërit e tij, dhe e kishte djalin në vendngjarje, edhe pse të ‘fortë’ ata u kujdesën që të bëhen 4 me 2!

Gabimi i policisë: Dy policët do të duhej të thirrnin përforcime ose të largoheshin nga vendi i ngjarjes, të mos e prisnin reagimin e egër, nëse e dinin apo mund ta nënkuptonin se do të kishte dhunë. Nuk ka nevojë asnjëherë njeriu të viktimizohet pavarësisht të drejtës. Sulmuesit mund të dënohen, por plagët e policëve do të mbesin gjatë dhe të thella në kujtesë e në familje!

Nga ‘autoamnistia’ e krimit, ata (Thaçi dhe të tjerët), në vitin 2013 e filluan një nismë të re: nxjerrjen e një ligji me të cilin do të amnistoheshin të gjitha krimet.

Kështu, përveç se tentohej të faleshin krimet, në sfond po krijohej një zhurmë, që tentonte ‘t’ia mveshnin vetes një akt patriotik’.

Ende ishte kryeministër Hashim Thaçi. Projektligji i nxjerrë nga qeveria që e udhëhiqte ai, nxiti aq shumë reagime, sa u detyrua të mos e nxirrte në votim fare në Kuvend.

Proceduralisht Projektligji për amnistinë kishte kaluar nëpër komisione përkatëse parlamentare dhe pritej në fill të korrikut të miratohej në parim në Kuvend. Projektligji Thaçi, parashihte amnistimin e 70 llojeve të krimeve.

Falja e krimeve për serbët

Më absurdja ishte se ai Projektligj, të cilin e kishte dërguar në Kuvend, parashihte në detaje faljen për serbët, thuaja për të gjitha llojet e krimeve që kanë kryer në Kosovë, përfshirë vrasjet e kryera “në gjendje të afektit mendor” dhe vrasjen nga “pakujdesia”.

Image
Varrosja e shqiptarëve të vrarë nga serbët

D.m.th., shumë vrasje të kryera nga serbët, donin t’i kualifikonin nga “gjendja e afektit mendor” dhe nga “pakujdesia”.

Por, natyrisht nuk ishin krejtësisht serbët si qëllim. Shumë vrasje politike, për të cilat akuzohen në luftë dhe pas saj, do të mund të kualifikoheshin nga “gjendja e afektit mendor” dhe nga “pakujdesia”.

Por, duke falur serbët, qëllimi ishte që të mos mbledhin serbët prova ndaj tyre, dhe njëkohësisht të mbroheshin nga akuzat për vrasjet politike!

Një gjë interesante e atij Projektligji, është se si parashihte në detaje faljen e llojeve të krimeve shtetërore serbe, si dëmtimin e vulave zyrtare ose të shenjave, marrja apo asgjësimi i shkresave zyrtare; asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor.

Por, pavarësisht këtyre kërkesave, ‘bujarisë’ ndaj krimeve serbe, nuk mund të mos ia falnin vetes edhe: uzurpimin e pronave, sulmet, lëndimet e lehta, kërcënimet, shtrëngimet etj. “Dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër (neni 344);”.

Nuk ka se si bëhen më qartë krimet që i kanë kryer klani Thaçi dhe të tjerët. Përjashto, ato që lidhen me amnistinë e disa krimeve serbe, e gjitha lista e amnistisë, është një listë akuzash për ta. Duke dashur të shpalleshin të pafajshëm për çdo krim, ata e kishin listuar çdo krim që e kishin kryer vetë.

Pra, nuk ka nevojë të jesh hetues i shquar, as prokurorë e gjykatës, madje as filozof i madh, që ta kuptosh se çfarë lloje të krimeve kishin kryer ata, nga uzurpimet tek ‘vrasjet në afekt’!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat