Kushtetuesja i shpalli të papranueshme kërkesat për Blerim Isufajn

Aktuale

Kushtetuesja i shpalli të papranueshme kërkesat për Blerim Isufajn

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 19:35
Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i shpalli të papranueshme kërkesat e dy kundërkandidatëve të Blerim Isufajt, kryeprokuror i zgjedhur, me arsyetimin se ata nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi.

Në njoftimin dërguar mediave më 4 korrik, kjo gjykatë sqaron se, “kërkesat përkatëse i shpall të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit të Republikës së Kosovës, kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK kishte renditur parashtruesit e kërkesave në pozitën e dytë dhe të katërt, ndërsa kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e parë.

Parashtruesit e kërkesave, më 28 prill 2022 dhe 6 qershor 2022, respektivisht, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar që vendimi i Këshillit Prokurorial për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit është nxjerrë duke shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kushtetuesja njofton se mjeti juridik ekziston dhe është i përcaktuar në Ligjin për konflikte administrative, dhe se këtij ligji, Gjykata, përmes praktikës së saj gjyqësore, i është referuar në mënyrë të vazhdueshme dhe parashtruesit e kërkesave nuk kanë parashtruar asnjë argument në plotësim të kritereve të lartcekura.

“Gjykata, ndër tjerash, sqaroi se fakti që Ligji për Këshillin Prokurorial mund të mos ketë përcaktuar mjet specifik juridik, nuk përjashton aplikueshmërinë e normave tjera juridike, përfshirë Ligjin për konflikte administrative dhe referimi në ngarkesën me lëndë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nuk mund të lirojë një parashtrues të një kërkese individuale nga një detyrim kushtetues, sepse një pretendim i tillë, për më tepër i paargumentuar përmes praktikës relevante gjyqësore, kualifikohet si “dyshim i thjeshtë” përkitazi me mungesën e pretenduar të efikasitetit të mjetit juridik”, thuhet në njoftim.

Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat