Seanca e Kuvendit vazhdon nesër

Aktuale

Seanca e Kuvendit vazhdon nesër

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 06:19 Përditësuar në ora: 17:21 më 06.07.2022
Kuvendi i Kosovës

Nesër vazhdon senaca e Kuvendit

Nesër në orën 10, do të vazhdojë seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Në rend dite të kësaj seance do të jenë miratimet e procesverbaleve nga seancat plenare të mëparshme por do të ketë edhe debat parlamentar për mosliberalzimin e vizave.

Rendi i ditës

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Miratimi i procesverbaleve nga Seancat plenare të mëparshme,

Shqyrtimi i dytë i Projekt-kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-132 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-131 për Shërbimin Korrektues të Kosovës,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-129 për Shërbimin Sprovues të Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshm,

Debat parlamentar në lidhje me mos liberalizimi i vizave nga BE-së për Kosovën.

​Themelohet komisioni ad-hoc për zgjedhjen e një anëtari të bordit për ankesa të mediave

Më 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës formoi Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.

Komisioni do të përbëhet nga Agim Veliu i LDK-së, kryetar, nënkryetari Nijazi Isaku nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe anëtarët: Besim Muzaqi, Doarsa Kica, Valon Ramadani dhe Fitim Haziri, Florentë Zejnullahu e Isak Shabani, Time Kadrijaj, kurse komunitet do të përfaqësohen nga Fridon Lala.

​PDK javën e ardhshme e dërgon në Kushtetuese vendimin e Supremes për vendimin e ZRrE-së

Partia Demokratike e Kosovës javën e ardhshme do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të tarifave.

Kështu ka deklaruar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila tha se kjo parti do të vazhdojë betejën juridike për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Deliu-Kodra: PDK në javën e ardhshme do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Supremes

“PDK në javën e ardhshme do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Supremes sepse ne jemi të bindur se është vendim i paarsyeshëm dhe është vendim që ka dëmtuar qytetarët e Kosovës. Nuk do të ndalemi, do ta vazhdojmë rrugën tonë ligjore e juridike për të mbrojtur interesin e qytetarit”, u shpreh ajo.

Sipas saj, ZRrE nuk ka zbatuar vendimet e gjykatave të Kosovës dhe po ashtu është ankimuar ndaj një konstatimi të Avokatit të Popullit që konstaton shkelje të të drejtave të njeriut.

Deliu-Kodra: Ky Bord nuk respekton vendimet e gjykatave

“Në vend që ky Bord të merr përsipër që vendimet e gjykatave të respektohet anëtarët e këtij Bordit vazhdojnë të shndërrohet në shembull të keq të sundimit të ligjit për të cilin zotëri Kurti ka fol gjatë. Ata nuk i respektojnë vendimet e gjykatave dhe nuk kthejnë tarifat për të cilat është marr masë pezulluese. Natyrisht që i njëjti Bord ka vazhduar sagën për të kërcënuar institucionet e pavarura ka pasur ankimimin ndaj Avokatit të Popullit, i cili konstaton se me rastin e tarifimit të energjisë elektrike me çmime të larta që ka dëmtuar rreth 400 mijë qytetarë të Kosovës ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, bordi zgjedh që të ankimojë dhe të ankohet pikërisht tek Avokati i Popullit që mision të tij ka mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ajo. 

​Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRrE-së, pozita nuk e mbështet

Derisa partitë opozitare edhe sot nga Kuvendit i Kosovës kërkuan me mocion shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet deklarohet se nuk do ta votojë mocionin për shkarkim të Bordit të ZRrE-së.

Arsyetimin për shkarkim të Bordit e ka dhënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj i cili tha se kjo kërkesë vjen pasi Bordi i ZRrE-së nuk ka arritur të përmbush objektivat dhe nuk ka arritur që t’i mbrojë interesat e përgjithshme të qytetarëve.

Zemaj: Kërkojmë të shkarkohet ky bord, të emërohet një bord tjetër profesional e i pavarur

“Qëndrimi i LDK-së është i njohur Bordi i ZRrE-së nuk ka arritur që të përmbush objektivat të cilat ia ka parashtruar edhe mandati i Kuvendit që t’i mbrojë interesat e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës, ata në mënyrë të padrejtë kanë bërë shtrenjtimin e energjisë elektrike, nuk janë transparentë në këtë pjesë, ka dy vendime të gjyqësorit të cilat është tentuar të pezullohen deri në një vendim meritor të kësaj çështjeje qytetarët janë duke e paguar këtë papërgjegjësi dhe për këtë arsye edhe me shkrim iu kemi drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe komisionit funksional që ky bord të shkarkohet dhe të emërohet një bord profesional i pavarur nga politika, i pandikuar drejtpërdrejt nga grupet e interesit dhe Qeveria dhe qytetarët të mos ndëshkohen”, theksoi Zemaj.

Duke bërë ftesë që të votohet shkarkimi i Bordit të ZRRE-së, Ferat Shala nga PDK tha se kjo kërkesë sa është e ligjshme është edhe aq e moralshme.

Shala: Veprimet politike të Bordit të ZRRE-së janë po ashtu tepër të dukshme

“Veprimet politike të Bordit të ZRRE-së janë po ashtu tepër të dukshme të cilat po ashtu bien ndesh me pavarësinë e tij, mos efikasiteti i Bordit të ZRRE-së në koordinim dhe në bashkërendim të hapave në kuadër të ligjit në fazën e hershme të krizës energjetike është shkaktar tjetër. Fushata e rrejshme për gjendjen e sektorit energjetik, vendimi i ZRRE-së për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave manipulimit dhe shifra me fakte për prodhimin e konsumit nga ZRRE-ja paraqiten jo reale, pasqyrimi vetëm i importeve dhe fshehja e sasisë të eksporteve të energjisë, kalkulimet për periudhë një vjeçare për një krizë një mujore reale...Gjithë ky proces i improvizuar sa politik aq edhe taktik dhe financiar nënkupton shkelje të mëdha ligjore që ZRRE edhe e ka pasur edhe ka obligim ligjor, është përfshirë në fushata politike duke krijuar situata të paqena mbi bazën e konsumit, importeve, eksporteve dhe e ritheksoj shkeljet e kësaj natyre janë tepër të mëdha, pasojat janë tepër të mëdha”, theksoi Shala.

Pro shkarkimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike është shprehur edhe Grupi Parlamentar të AAK-së.

Albana Bytyqi deputete nga kjo parti tha se Bordi i ZRrE-së në këtë kohë krize me vendimet e tij vazhdimisht ka dëmtuar qytetarët e Kosovës.

Bytyqi: Vendimet e ZRRE-së kanë dëmtuar qytetarin

“Fatkeqësisht u bë shtrenjtimi i energjisë elektrike i cili është vendim i gabuar i Qeverisë Kurti dhe ZRrE, vendim i propozuar nga ZRrE mbi ndarjen e kategorive të shpenzuesve të energjisë elektrike dhe subvencionimi i shpenzuesve është vendim i kundërligjshëm pasi ka diskrimunuar qytetarët e Kosovës duke i ndarë në grupe duke thyer ligjin për barazi dhe të drejta të njeriut. Vendimi ZRRE dhe mbështetja nga Qeveria Kurti që komunat veriore të mos kenë rritje të tarifave ka qenë standard i dyfishtë dhe vendim i gabuar që ka lënë pasoja në shtetin e Kosovës”, theksoi ajo.

Kurse, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kjo kërkesë për shkarkim të Bordit të ZRRE-së përveçse nuk e ka pas arsyetimin e bindshëm ka edhe shpërputhje me dispozitat ligjore që i parasheh Ligji për rregullatorin e energjisë.

Ajo tha se si Lëvizje Vetëvendosje nuk do ta mbështesin mocionin për shkarkim të Bordit të ZRRE-së.

Kusari-Lila: LVV nuk e voton mocionin për shkarkim të Bordit të ZRRE-së

“Bordi i ZRRE-së është vetëm 1 vit në detyrë. Asnjë dispozitë e Ligjit të Bordit të ZRRE-së nuk është e aplikueshme në kërkesën e prezantuar të LDK-së. Shto këtu disa argumentime tjera që janë jashtë mocionit për shkarkim në të cilat paragjykohet ndërlidhja politike përkundër që anëtarët e Bordit të ZRRE-së ishin punëtorë, profesionalisht në kuadër të ZRRE-së ishin përbrenda dhe nuk u sollën nga jashtë kanë aplikuar dhe janë zgjedhur dhe votuar Kuvendit. Gjithashtu u përmenden vetëm dy instanca të gjykatës dhe jo ajo e treta e Supremes e cila ka hedhur poshtë dy vendimet e asaj themelore të Apelit....Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e mbështet mocionin e prezantuar nga LDK dhe rrjedhimisht do të votojë kundër këtij mocioni”, tha ajo.

Kuvendi nuk shkarkon Bordin e ZRrE-së

Kjo pasi që ky mocion në Kuvend mori 22 vota pro, 53 kundër.

Mocioni u propozua nga LDK, me përkrahje edhe nga PDK e AAK.

Arsye e propozimit ishte mos-zbatimi i vendimit të Gjykatës Themelore për shfuqizimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

Kundër të njëjtit ishte partia në pushtet, Vetëvendosje.

Formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave

Kuvendi i Kosovës ka formuar Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave. Ky Komision u votua me 72 vota për, asnjë kundër asnjë abstenim.

Komisioni do të udhëhiqet nga deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ndërsa nënkryetar do të jetë Njazi Isaku i VV-së.

Nga PDK-ja do të jenë Isak Shabani dhe Floretë Zejnullahu. Nga partia në pushtet, Besim Muzaqi, Daorsa Kica-Xhelili, Valon Ramadani dhe Fitim Haziri, anëtarë të këtij komisioni.

Nga AAK-ja do të jetë deputetja Time Kadriaj.

Shala i PDK-së ia numëron të gjitha Bordit të ZRrE-së, kërkon shkarkimin e menjëhershëm

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Bordit të ZRrE-së, teksa e ka akuzuar për implikim politik dhe lejim të importit e eksportit të energjisë në kohë krize të kompanive pa licencë.

Shala këto deklarime i ka bërë në Kuvendin e Kosovës, në seancën ku po shqyrtohet rezoluta e LDK-së për shkarkimin e bordit të rregullatorit energjetik.

Kërkesa për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së është e ligjshme dhe e moralshme. Ka pasur një vonesë të tejdukshme të bordit të ZRRE-së në faza parandalimi. Veprimet politike janë të tejdukshme, që bijnë ndesh. Fushata e rrejshme për gjendjen e sektorit energjetik, shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave, manipulimi me fakte, pasurimi i vetëm importeve dhe fshehja e sasisë së eksporteve, raporti politik pa u konsultuar me instancat parlamentare, ndarja dhe segregacioni ekstrem mes qytetarësh, ndarja dhe pabarazia veri-jug, marrja e vendimit final për ngritje të tarifave në dëm të qytetarëve, lirimi i pa asnjë arsye i një kategorie tjetër për pagesën e tarifave, mos-zbatimi i asnjë rekomandimi nga Task Forca në krizën energjetike; pasoja e krejt këtyre vendimeve ka pasur një kosto të madhe”, ka deklaruar ai.

“ZRRE ka vazhduar edhe më tutje. Bordi i ZRRE-së ka treguar dhe është tepër jo-funksional edhe për shkak që të gjithë fazës së krizës energjetike ka lejuar operimin, eksportin dhe importin të kompanive pa licensë. Kjo do të mjaftonte që ky bord të tërhiqej, e le më ne të jepnim arsye pse duhet shkarkuar”, ka thënë ndër të tjera ai.

Komisioni per Industri, Ndermarresi dhe Tregeti nuk ka mbështetur rekomandimin e LDK-së për shkarkim të këtij bordi.

Vetëvendosje kundërshton shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, thotë se nuk ka arsye

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës pritet të hidhet në votim propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Deri sa ka gjetur përkrahje nga Partia Demokratike e Kosovës për shkarkimin e këtij bordi, ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që ka kundërshtuar propozimin e LDK-së, duke bërë të ditur se do të votojë kundër shkarkimit të Bordit të ZRRE-së.

Shkarkimin e Bordit të ZRRE-së e ka kundërshtuar edhe kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se VV-ja është kundër shkarkimit të Bordit të ZRRE-së për shkak se nuk janë ofruar arsyetime të bindshme për një vendim të tillë.

Nuk e ka pasur arsyetimin e bindshëm që duhet të ndërtohet në një rrethanë të tillë, kur brenda më pak se një viti kërkohet shkarkimi i Bordit që është emëruar po nga ky Kuvend. Në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë parashihen saktësisht situatat kur krijohen kushtet për shkarkimin e bordit”, ka thënë Kusari-Lila.

Kujtojmë se deputetët e opozitës kanë ofruar arsyet pse mbështesin shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, ku kanë thënë se ky bord e ka vënë Kuvendin në lajthitje.

Mungesë kuorumi në Kuvend, dështojnë të votohen disa pika

Për shkak të mungesës së kuorumit, Raporti vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, nuk ka arritur të kalojë.

Për ishin vetëm 48 vota, duke ia pamundësuar kuorumin kësaj pike.

Opozita nuk ka marrë pjesë në votim.

Nuk pati kuorum as për votimin e Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave. Në këtë pikë vetëm 52 deputetë morën pjesë në votim.

As për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021 nuk pati kuorum.

LDK kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, Zemaj: Shtrenjtuan rrymën në mënyrë të padrejtë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka folur për propozimin e kësaj partie për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në fjalën e tij, Zemaj ka thënë se ky bord nuk ka arritur të përmbushë objektivat e parashtruara nga Kuvendi për mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

Ky bord në mënyrë të padrejtë ka bërë shtrenjtimin e energjisë elektrike. Tashmë ka vendime të gjyqësorit që të ndalet pagesa e energjisë elektrike me tarifën e shtrenjtë, ndërsa qytetarët po vazhdojnë të kryejnë këto pagesa të faturave me tarifë të shtrenjtë. Andaj, në këtë krizë ekonomike ne kemi propozuar shkarkimin e këtij bordi që ka rënduar jetën e qytetarëve”, ka thënë Zemaj.

Kujtojmë se ZRRE-ja, për shkak të krizës energjetike kishte lejuar ngritjen e çmimit të tarifës së energjisë elektrike, por se ky vendim ishte hedhur poshtë nga Gjykata.

Megjithatë, qytetarët e Kosovës po vazhdojnë pagesën e energjisë elektrike me çmime të ngritura, pasi që ZRRE-ja ende nuk e ka hequr vendimin për ngritjen e tarifave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat