PDK kërkon shkarkimin e ministrit Aliu, kështu kundërpërgjigjet ai

Aktuale

PDK kërkon shkarkimin e ministrit Aliu, kështu kundërpërgjigjet ai

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 15:36 më 07.07.2022
Kuvendi i Kosovës

Konjufca s’voton “pro” për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk e ka votuar Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Byroja për Konfisikim e Pasurisë nuk është miratuar për shkak të kuorumit.

Mirëpo për dallim nga deputetët e LVV-së, Konjufca nuk ka votuar pro Byrosë.

Në kuvend, ishin 61 deputetë, ndërsa pro projektligjit votuan vetëm 45 deputetë, teksa opozita qe ajo që kërkonte tërheqjen e këtij projektligji.

Dilemat për këtë ligj kanë ardhur pas vërejtjeve serioze nga Komisioni i Venecias.

Ndërsa shoqëria civile ka kërkuar që ky ligj të kthehet në pikën zero.

Haxhiu, Qalajt për shkuarjen në PDK: Nuk është normale për një drejtor të policisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar ashpër mënyrën se si ish-drejtori i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, dhe ish-kryeprokurori Sylë Hoxha, u bënë pjesë e partive poltike me të përfunduar mandatin e tyre në këto pozita.

Një gjë të tillë Haxhiu para të pranishmëve në kuvend, u shpreh se do ta kishte ndaluar me ligj.

”Çështja është që s’ka rëndësi projektligji apo ligji që e adreson, cështja është që kur ke një person që nuk është profesionist, ka me e keqpërdor pozitën zyrtare”.

”Ju shumë mirë e dini që Vetëvendosjen, kanë pasë me e shpallë organizatë të paligjshme. Kjo ka ndodhë”.

”Madje figurat kryesore që kanë pasë një tendencë të tillë, kanë qenë në krye të këtyre institucioneve: drejtori i Policisë, [Rashit Qalaj] dhe ish-kryeprokurori Sylë Hoxha”.

”Si ka mundësi që ata, prej prokurorisë shkojnë në LDK, e prej policisë shkon në PDK. Unë këtë e kisha ndalu me ligj”.

”Pra, kjo nënkupton çka keni bërë ju me institucionin. Se kur i keni vendos njerëzit në këto institucione, pastaj nuk i keni lënë rahat”.

”Për mua nuk është normale për një drejtor të policisë, që sapo përfundon mandatin, shkon në një parti politike”.

”E kam për juve z.Qalaj, sepse lidhet drejtpërdrejt me shtetin, sepse nuk po i bën nder as vetes, as partisë tënde”.

​Pushteti dhe opozita përplasen për Projektligjin për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Pushteti dhe opozita janë përplasur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Derisa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka quajtur të nevojshëm miratimin e tij, tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, të njëjtin e kanë quajtur antikushtetues dhe që cenon të drejtat e njeriut.

Ministrja Haxhiu, para deputetëve tha se Komisioni i Venecias i ka dhënë dritë të gjelbër konfiskimit civil, ndërkohë theksoi se tw gjitha rekomandimet e këtij komisioni do të shqyrtohen mes dy leximeve.

Haxhiu: Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë konfiskimit civil

“Komisioni i Venecias vë në dukje se futja e konfiskimit civil pa dënim është menduar të jetë një masë e rëndësishme për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila konsiderohet e nevojshme nga autoritetet në rrethanat aktuale në Kosovë. Po ashtu, Komisioni i Venecias duke u referuar në një opinion për Bullgarinë, ka vërejtur se ka një tendencë kohëve të fundit për të përdorur procedurat e konfiskimit civil pa dënim, si mjet për rikthimin e të ardhurave nga krimi...Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejt konfiskimit civil, i ka dhënë dritën e gjelbër qëllimit që ka Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Komisioni vlerëson se masa do të konsiderohet e justifikuar nëse parashihet me ligj dhe i shërben interesit të përgjithshëm”, tha ajo.

Por, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme s’ka të bëjë asgjë me drejtësinë, por është vetëm elektoral.

Ajo tha se përmes të njëjtit nuk luftohet krimi dhe korrupsioni, por vetëm ushtrohet presion politik mbi qytetarët e Kosovës.

Deliu-Kodra: Projektligji është antidemokratik dhe antikushtetues

“Një gjë e tillë është një hesap elektoral dhe s’ka të bëjë asgjë me as me drejtësinë dhe me ligj. Këtë e ka vërtetuar qartë dhe drejt edhe Komisioni i Venecias, në mënyrën si e shohim dhe lexojmë ne, Komisioni i Venecias, fatmirësisht e ka frenuar një tendencë të tillë, duke ia bërë të qartë kësaj qeverie, se domeni shtetëror nuk mund dhe nuk do të duhej të shndërrohej në domen partiak...Krejt çka bënë ky projektligj është se e amniston krimin dhe korrupsionin, ndërsa ushtron pushtin politik mbi qytetarët e lirë të këtij vendi...Në rrafshin parimor, Projektligji është antidemokratik, në rrafshin ligjor është antikushtetues dhe rrafshin strukturor është antiligjor”, theksoi ajo.

Kritik për projektligjin u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Selmanaj: Mos ta bëjmë këtë mekanizëm si mjet për persekutim politik

“Druaj se në secilin nen bëjmë shkelje të konventës, bëjmë shkelje të kushtetutës dhe bëjmë shkelje të vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut. Vetëm nëse një shkelje bëjmë s’kemi mundur të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës. Prandaj po e them krejt në fund që mos të bëjmë këtë mekanizëm si mjet për persekutim politik, mund të mos shfrytëzohet nga kjo qeveri, por jam i bindur se një qeveri tjetër ka me bërë këtë”, u shpreh ai.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi tha se ky projektligj i shkel të drejtat e njeriut.

Bytyqi: Projektligji i shkel të gjitha të drejtat e njeriut

“Projektligji i shkel të gjitha të drejtat e njeriut dhe shohim se ka mangësi të shumta në formën si është prezantuar. Sipas këtij Projektligji, byroja planifikohet të drejtohet nga drejtori menaxhues i saj i cili ka kompetencën e plotë për inicimin e hetimeve, si e tillë kjo byro rrezikon të mos jetë e pavarur dhe të shndërrohet në një mekanizëm të partisë në pushtet për të arritur qëllimet e caktuara”, potencoi ajo.

​Kuvendi s’ka kuorum, dështon të miratojë tri projektligje

Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme plenare ka dështuar të miratojë tri projektligje.

Në mungesë kuorumi, legjislativi dështoi të miratojë në lexim të dytë, Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Në këto projektligje opozita u përmbajt nga votimi, ndërsa mazhoranca nuk i kishte numrat për miratimin e tyre.

Seanca e Kuvendit po vazhdon, ku po diskutohet për Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

​Kollçaku bën thirrje për vaksinim dhe vigjilencë të institucioneve shëndetësore

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka bërë thirrje për vaksinim e vigjilencë nga institucionet shëndetësore. Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, ajo ka theksuar se qytetarët duhet të vazhdojnë të marrin dozat e vaksinës dhe se para hospitalizimit të testohen për këtë virus.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, në seancë plenare ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen, pasi që siç tha ajo, kohëve të fundit ka pasur interesim të vogël për imunizim.

Kollçaku: Kërkohet vigjilencë e shtuar nga institucionet shëndetësore 

“Kërkohet vigjilencë e shtuar nga institucionet shëndetësore ku përveç vazhdimit të testimit të qytetarëve, kërkohet që të gjithë të hospitalizuarit fillimisht të testohen për COVID dhe të gjithë ata që rezultojnë edhe negativ, por kanë edhe klinikisht bazuar në pasqyrën klinike të ri testohen me PCR dhe tek atëherë të vendosen të sistemohen me pacientët tjerë. Sepse ne nuk dëshirojmë dhe nuk guxojmë të lejojmë që institucionet shëndetësore të na shndërrohen në shpërndarës të COVID-it”, ka deklaruar ajo.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, janë konfirmuar me COVID-19 mbi 300 raste në Kosovë. 

Driton Selmanaj: Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë objektiv nacional

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj para deputetëve në kuvend ka folur në lidhje me projektligjin për byron e konfiskimit për pasurinë e pajustifikueshme.

Ai u shpreh se konfiskimi i pasurive të tilla, duhet të jetë objektiv nacional.

Selmanaj gjithashtu u shpreh se pos kësaj, duhet të ketë edhe barazi para ligjit si dhe siguri juridike.

“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë objektiv nacional i të gjithëve, por poashtu barazia para ligjit, siguria juridike dhe sistem prokuroria të pavarur duhet të jenë objektiva më të mëdha”, u shpreh tutje Selmanaj.

Byroja për Konfiskimin e Pasurisë, Deliu ka kritika: Iniciativë joserioze, e pamatur dhe e vobektë

 

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra para deputetëve në kuvend ka folur në lidhje me projektligjin për byron e konfiskimit për pasurinë e pajustifikueshme.

Ajo i shpreh se në politikë e mundshmja dhe e drejta shpesh ndahen nga një fije e hollë.

“Në politikë e mundshmja dhe e drejta shpesh ndahen nga një fije e hollë, por e mundshmja kurrë nuk mund ta zëvëndësojë të drejtën dhe një shtet ligjor e demokratik nuk do të duhej të kishte të mundshme jashtë saj çka konsiderohet e drejtë, sepse kjo do të ishte e padrejtë”, u shpreh Deliu.

Tutje, Deliu gjithashtu tha se kjo është një iniciativë joserioze, e pamatur dhe e vobektë.

“Vetëvendosja me këtë projektligj ka provuar të ndërrojë këtë formulë, duke tentuar ta bëjë të mundshmën të drejtë, sepse krejt çka paraqet kjo nismë është që votat i ka për ta bërë të mundshme. Kjo iniciativë që është aq joserioze, e pamatur dhe e vobektë, s’ka të bëjë me drejtësinë e as me ligj”, u shpreh tutje ajo.

Kusari-Lila: Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme është obligim i shtetit të së drejtës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila para deputetëve ka folur në lidhje me projektligjin për byron e konfiskimit për pasurinë e pajustifikueshme.

Ajo u shpreh se konfiskimi i kësaj pasurie është obligim i shtetit të së drejtës.

“Konfiskimi i pasurisë së Pajustifikueshmë ëhtë obligim i shtetit të së drejtës dhe nevojë e shoqërisë, përmes së cilës do të avancohet rrugëtimi drejt integrimit evropian”, u shpreh ajo.

Tutje, ajo u shpreh se kjo ndikon ehde në nevojat institucionale të vendit.

​Deliu-Kodra e pyet Aliun: Pse nuk jeni distancuar asnjëherë nga zëvendësministri Durmishi

 

Në seancën plenare, ka vazhduar debati për shkeljet dhe parregullsitë në Ministrinë e Infrastrukturës. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka pyetur ministrin Liburn Aliu për anulimin e projekteve ku janë hasur keqpërdorimet dhe pse nuk ka shkarkuar askënd për këto parregullsi.

Ajo në seancën e sotme ka përmendur edhe shkeljet që janë konfirmuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë ministri. 

Deliu-Kodra: Pse nuk e keni shkarkuar askënd për këto parregullsi? 

“Pse nuk e keni shkarkuar askënd për këto parregullsi, për të cilat ju thatë që keni iniciuar vet auditim, e në fakt pse nuk e keni anuluar projektin kur keni pasur dyshime që po ndodhin keqpërdorime? Pse zotëri ministër nuk jeni distancuar asnjëherë nga zëvendësministri Durmishi, i cili edhe vetë është deklaruar se ka lidhje të ngushta miqësore me disa kompanitë me të cilat ju i keni shpërblyer me kontrata milionëshe”, ka pyetur ajo Aliun. 

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se çdo raport i auditimit është i mirëseardhur, duke shtuar se distancimi do të ndodhë pas përfundimeve të hetimeve. 

Aliu: Kur hetimet përcaktojnë orientimin, patjetër që do të marrim masë 

“Ju po thoni distancim, në momentin që hetimet të përcaktojnë konkretisht orientimin, patjetër që do të marrim masë. Absolutisht, asnjë moment të vetëm nuk mund të ketë pritje para çfarëdolloj orientimi nga ana e hetuesisë ndaj cilit do zyrtar qoftë ai”, ka shtuar ai. 

Hydajet Hyseni u drejtohet deputetëve me termin “delegatë”, më pas u kërkon falje

 

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni në fjalën e tij para deputëtëve, u është drejtuar atyre me epitetin “delegatë”.

Pas kësaj, ai u ka kërkuar falje atyre për këtë mënyrë të të drejtuarit.

“Të nderuar delegatë, deputetë më falni”, u shpreh ai.

Ai vazhdoi me fjalimin e tij në lidhje me projektligjin për shërbimin korrektues të Kosovës.

“Komisioni për legjislacion në mbledhjen e mbajtur me 28 qershor ka shqyrtuar projektligjin për shërbimin korrektues të Kosovës me amandamentet e propozuara  nga komisioni”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat