PDK kërkon shkarkimin e ministrit Aliu, kështu kundërpërgjigjet ai

Aktuale

PDK kërkon shkarkimin e ministrit Aliu, kështu kundërpërgjigjet ai

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 12:26 më 07.07.2022
Kuvendi i Kosovës

Ministri Peci: Në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 2.42 milionë euro për sistemin e ujitjes

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci para deputetëve në kuvend ka folur në lidhje me sistemin e ujitjes në vend.

Ai u shpreh se janë tri kompani të ujitjes që janë të obliguara t’i plotësojnë kërkesat e fermerëve për këtë qëllim.

Tutje, Peci bëri të ditur se në në buxhetin e këtij viti Ministria e Bujqësisë ka paraparë 2.42 milionë euro për sistemin e ujitjes.

“Si Ministri e Bujqësisë në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 2.42 milionë euro për sistemin e ujitjes dhe në kuadër të kësaj ne tashmë kemi të nënshkruar tetë memorandume me tetë komuna, prej 15 prej të cilave kanë aplikuar në proces të përfitimit të projekteve të sistemit të ujitjes”, u shpreh tutje Peci.

Kuvendi mbanë një minut heshtje për mjekun Ali Iljazi nga Gjakova

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka mbajtur një minut heshtje për mjekun Ali Iljazi nga Gjakova.

Kjo u bë me kërkesë  të deputetit Haxhi Avdyli.

Ai u shpreh, se Iljazi pos mjek e profesor, ishte edhe dekani i parë i fakultetit në Gjakovë.

​Për sukseset e xhudos flitet edhe në Kuvendin e Kosovës

Kosova pati paraqitje të jashtëzakonshme me atletët ë saj në Lojërat Mesdhetare që u mbajtën në Oran të Algjerisë.

Nga atje, vendi ynë u kthye me gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta, pesë prej të cilave u fituan në sporti i xhudos.

Për këto suksese të mëdha, në Kuvendin e Kosovës ka folur deputetja Arjeta Fejza, e cila ka thënë se përfaqësimi në mënyrë kaq dinjitoze në gara ndërkombëtare është për t’u krenuar dhe dëshmi se sporti ynë do të jetë jo vetëm konkurrues por edhe dominues.

Fejza: Sportistët tanë po na bëjnë krenar në arenën ndërkombëtare

“Përfaqësimi i shkëlqyer i sportistëve tanë në arenat sportive është për t’u krenuar, por për lëvdata janë edhe sjelljet e këtyre sportistëve dhe të ekipeve të tyre të cilët çdo herë a bëjnë të mburremi me vlerat e larta të cilat ata i shpërfaqin. Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu, Flaka Loxha, Akil Gjakova dhe Shpëtim Bajoku e shumë sportistë të tjerë edhe njëherë dëshmuan se me punë të pa shoq dhe me talente të jashtëzakonshme, historia e sportit tonë do të jetë përherë e lavdishme dhe përfaqësimi në arenda ndërkombëtare do të jetë jo vetëm konkurrues po edhe dominues.”, tha Fejza.

Ajo shtoi se me punën e tyre, xhudistet si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, e Loriana Kuka janë dëshmi se si vajzat mund të fitojnë dhe gara të tjera që janë shumë të rëndësishme, si gara e pabarazisë

Fejza: Vajzat e xhudos janë dëshmi se mund të mposhtet edhe gara e pabarazisë.

“Vajzat tona sportiste, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria, Laura, Lorian e Flaka po vazhdojnë të thyejnë stereotipet gjinore duke dalë përtej projeksioneve e duke shkëlqyer në disiplina të ndryshme dhe duke i lënë pas të gjitha sfidat. Fitorja e vajzave tona në garat olimpike ku kundërshtarët ishin nga vendet më të zhvilluara duhet të na shërbejë si shtytje e motivim se si vajzat mund të fitojnë dhe gara të tjera që janë shumë të rëndësishme, si gara e pabarazisë. Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim sportin, sportistet e sportistët e rinj që ata të vazhdojnë t’i sjellin Kosovës krenari e të bëhen motivim për gjeneratat e reja që po vijnë”, tha në fund Fejza.

Ndryshe, Kosova në Lojërat Mesdhetar u përfaqësua me 39 sportistë.

Ministri Aliu kundërpërgjigjet pas kërkesës së PDK-së për shkarkimin e tij

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu i është përgjigjur akuzave nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila kërkoi shkarkimin e tij dhe të zëvendësministrit Hysen Durmishi, pasi siç tha ajo “Auditori konfirmoi pretendimet e PDK-së për afera korruptive në ministrinë e ministrit Aliu”.

Ministri Aliu ka thënë se raportin e Auditorit të Brendshëm e kanë marrë jashtëzakonisht seriozisht.

“Për tenderin për të cilin po flisni, dyshimet për parregullsi i kemi marrë nga ankesat e operatorëve. Ankesat kanë qenë të bazuara dhe këtë raport të Auditimit e kam iniciuar vetë bashkë me zëvendësministrin”, ka thënë Aliu.

Aliu ka shtuar se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Prokurorinë.

“Raporti ka tregu që ka parregullsi dhe e ftojmë ne Prokurorinë dhe jemi të gatshëm me bashkëpununu me Prokurorinë. Jemi të vendosur mi shku kësaj pune deri në fund”, ka thënë Aliu.

Ministri ka shtuar se për të gjitha projektet do të bëjmë auditim.

“Parregullsi që nuk i kap logjika e një inxhinieri apo një zyrtari normal, por ja që kanë ndodh dhe ne duhet të merremi sepse duhet me vendos rend”, tha Aliu.

​PDK fton Prokurorinë e Shtetit që të hetojë shkeljet në Ministrinë e Infrastrukturës

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të hetojë rastet e aferave në Ministrinë e Infrastrukturës. Deputetja Blerta Deliu-Kodra në seancë plenare ka përmendur, siç tha ajo, shkeljet që janë gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë ministri. Ajo ka theksuar se raporti flet për parregullsi e afera korruptive.

Në deklarimin jashtë rendit të ditës, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka folur për gjetjet e auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Deliu-Kodra: Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mall me parregullsi në këtë ministri
 

“Tre muaj më parë, PDK përmes një konference të jashtëzakonshme për medie kishte prezantuar 42 kontrata për punë shtesë dhe disa kontrata një-burimore në Ministrinë e Infrastrukturës. Ndërkohë, që tre muaj më pas pretendimet tona për paligjshmëri e dyshime për korrupsion u konfirmuan edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri e për më keq raporti i saj është i kualifikuar, për të qenë objekt hetimor nga Prokuroria e Shtetit”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se në këtë raport thuhet se janë gjetur mangësi të mëdha në vlerësimin e kompanive konkurruese për tender, në realizimin e shërbimeve jashtë kontratës, tejkalim të pagesave për kontrata publike dhe vonesa në realizimin e projekteve e dallavere të mëdha në shpronësime.

Deliu-Kodra: Është thënë që aktiviteti i prokurimit është i manipuluar
 

“Auditori i brendshëm i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit që të anulojë tenderin për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës, pasi që aktiviteti i prokurimit është thënë se është i manipuluar, është i kurdisur dhe madje është i koordinuar me operatorin ekonomik që është konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiare për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Aktiviteti i prokurimit nuk është anuluar ende. Ndërkohë që kemi parë së fundmi që mediat kanë nxjerrë përgjime të cilat shfaqin dyshime për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo ndërlidhet me rrugën Dollc-Gjakovë dhe zyrtari i kompanisë... dëgjohej duke kërkuar ryshfet në lidhje me kryerjen e disa punimeve shtesë”, ka shtuar ajo.

Megjithatë, ajo shtoi se Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se realizimi i këtij projekti është vonuar tejmase. Deliu-Kodra deklaroi se PDK i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këto raste në Ministrinë e Infrastrukturës.

Deliu-Kodra: PDK fton Prokurorinë e Shtetit që të veprojë pa humbur kohë

“Partia Demokratike e Kosovës fton Prokurorinë e Shtetit që të veprojë pa humbur kohë t’i hetojë këto afera dhe këtë ministri. Dhe të zbardh natyrisht të vërtetat që zyrtarët e kësaj qeverie i kanë mohuar, madje të njëjtit nuk i kanë pranuar. Një raport i kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit është bazë kryesore, është bazë e mjaftueshme, e vetme që më në fund Prokuroria të veprojë e kryeministri të merr masa dhe të shkarkojë ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Në rend të ditës është edhe debati parlamentar në lidhje me mosliberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për Kosovën. 

Blerta Deliu-Kodra kërkon shkarkimin e Aliut e Durmishit

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë gjetjet e auditorit për disa shkelje në Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa tha që ka bazë të mjaftueshme që kryeministri t’i shkarkojë Aliun e Durmishin.

“Ftojmë Prokurorinë që t’i hetoj këto afera dhe të zbardhë të vërtetat. Është bazë e mjaftueshme që Prokuroria të veproj e kryeministri të shkarkoj ministrin Liburn Aliu dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi”, deklaroi ajo.

Deliu gjatë seancës tha se pretendimet e tyre për paligjmëri dhe dyshime për korrupsion janë konfirmuar nga Zyra e Auditorit.

“Pretendimet tona për paligjshmëri dhe dyshime për korrupsion u konfirmuan edhe nga zyra e Auditorit që ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri. Një raport i tillë është i kualifikuar për të qenë objekt hetimor nga Prokuroria”, ka thënë Deliu-Kodra.

“Auditori i Brendshëm i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit që ta anulojë tenderin për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës pasi që aktiviteti i prokurimit është thënë se ka qenë i manipuluar, i kurdisur me operatorin ekonomik. Aktiviteti i prokurimit nuk është anuluar ende. Mediat kanë nxjerr përgjime që shfaqin dyshime edhe për një aferë tjetër korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës kjo lidhet me rrugën Dollc-Gjakovë ku zyrtari i kompanisë dëgjohej duke kërkuar ryshfet për kryerjen e disa punëve shtesë, për rrugën e njëjtë janë gjetur edhe disa dallavere tjera”, ka thënë Deliu-Kodra.

Fillon seanca e Kuvendit, debatohet edhe për mosliberalizimin e vizave

Kuvendi i Kosovës sot mban seancën e radhës plenare në të cilën janë paraparë nëntë pika të rendit të ditës, në të cilën do të shqyrtohen për herë të dytë projekt-kodi i procedurës penale, projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, si dhe projektligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Seanca ka nisur në orën 10:00 dhe është paraparë të ketë edhe debat parlamentar në lidhje me mosliberalizimin e vizave nga BE për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat