Zyrtare: Tensionohet situata në veri, të shtëna armësh në drejtim të policisë, lëndime dhe maltretime të shqiptarëve

Aktuale

Zyrtare: Tensionohet situata në veri, të shtëna armësh në drejtim të policisë, lëndime dhe maltretime të shqiptarëve

Më: 31 korrik 2022 Në ora: 18:28 Përditësuar në ora: 22:16 më 31.07.2022
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës

​Serish aktivizohen sirenat e alarmit në veri të Mitrovicës

Në orën 22:00 serish janë lëshuar sirenat për alarm në veri të Mitrovicës.

Ato ishin ndalur rreth orës 20:45, pasi më herët ishin lëshuar në orën 17:45, kur edhe serbët lokalë kishin nisur bllokimin e rrugëve në veri.

Zhvillimet në veri vijnë një ditë para hyrjes në fuqi të reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet e lëshuara nga shteti i Serbisë.

Ndërkohë janë mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Policia njofton se ka pasur të shtëna me armë në drejtim të policisë

Nga: H.O.

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim të ri sa i përket gjendjes aktuale në veri të vendit. Në komunikatën dërguar për media thuhet se policia ka siguruar informacione se janë dëgjuar të shtëna armësh në drejtim të njësiteve policore.

“Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se ka informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë.

“Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet tutje.

​Ndalen sirenat e alarmit në veri të Mitrovicës

Rreth orës 20:45 në veri të Mitrovicës janë ndalur sirenat e alarmit për grumbullim të qytetarëve në rast rreziku.

Ato ishin aktivizuar rreth orës 17:45, pas së cilës serbët lokalë kanë vendosur barrikada në Rudare e Varage.

Kjo vjen një ditë para hyrjes në fuqi të reciprocitetit ndaj letërnjoftimeve dhe targave të lëshuara nga Serbia.

Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se janë mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Policia: S’ka informacione për plagosje në Veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se nuk ka informacione për ndonjë plagosje në Veriun e Kosovës.

Pak më herët është raportuar për plagosje, por Policia njoftoi se s’ka informacione të tilla.

Serbët lokalë në Veriun e Kosovës kanë bllokuar rrugët kundër reciprocitetit që ishte planifikuar të hyjë në fuqi më 1 gusht.

REL: Në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska

Kufiri me Serbinë, në pjesën veriore, është bllokuar ndërsa ka nisur barrikadimi i rrugëve. Radio Evropa e Lirë ka raportuar se nëpër rrugë janë parë njerëz me maska. 

Në veri të Kosovës ka nisur barrikadimi i rrugëve, pak orë para se të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë për reciprocitet në mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Serbia. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë mbyllur pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve që të cojnë në këto dy pika.

Ndërkaq, sipas informatave nga terreni, raporton REL,  pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë, si dhe në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska.

Familja nga Kosova që po shkonte drejt Zvicrës rrahet nga serbët në veri, 5 persona po trajtohen në Spitalin e Mitrovicës

Situata në veriun e Kosovës është tensionuar tejmase në prag të hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet.

Strukturat paralele në veri të vendit Kanë bllokuar rrugët.Veriu.info mëson nga burimet e saj se një familje kosovare është ndaluar në pjesën veriore të vendit teksa po udhëtonin drejt Zvicrës pasi kishin kaluar pushimet në Kosovë.

Mësohet se kjo familje kosovare është rrahur nga serbët që kanë dalë në rrugë, dhe u është vjedhur vetura.

3 persona të rritur dhe dy fëmijë po trajtohen në Spitalin e Mitrovicës.

Serbët vendosin kamionët, nisin të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Po ashtu, sipas informacioneve nga terreni, në Rudarë të Zveçanit, është vendosur një bllokadë në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.

Sipas informatave nga terreni, pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë si dhe në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska.

Qytetarët që po udhëtojnë në këtë pjesë, po përdorin rrugë alternative pas bllokadave të vendosura.

Image

Ndërkaq, sirena janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut, që rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim. Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në këtë komunë janë dëgjuar sirena, por ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë më pas.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.
Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

“Ne nuk do t’iu marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumente e lëshuara nga Serbia, ne nuk ua marrim ato, por ua lëshojmë një fletë-deklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësojë me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë”, tha më 31 korrik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Po ashtu të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave ma targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjasë deri më 30 shtator.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 31 korrik, se Kosova po thirret në nenin 3 të Marrëveshjes së lëvizjes së lirë që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Por, sipas tij, ky nen nuk mund të zbatohet për serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Ai u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë për qetësi, por ka shtuar se ka frikë nga reagimi i tyre, pa elaboruar se për çfarë reagimi bëhet fjalë.

Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk janë pritur mirë në Beograd, teksa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë të shtunën se nëse Prishtina nuk tërhiqet nga këto dy vendime, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia më 2013 kanë arritur Marrëveshjen fillestare për Asociacionin, ndërkaq më 2015 palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociaicionit. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se 23 pika të marrëveshjes ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që tha se mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Serbia insiston që të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, ndërkaq kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Image

Flet policia, serbët vendosin bllokada në Rudarë dhe Zupq

Serbët i kanë bllokuar dy rrugë magjistrale në komunat e Zveçanit dhe në Leposaviq.

Këtë për median bëri të ditur Besim Hoti, zëdhënës për media në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

Ai tha se bllokadat janë vendosur në Zupq që është zonë magjistrale, dhe në fshatin Rudarë të Zveçanit.

Sot gjatë ditës janë dëgjuar sirena të alarmit edhe në Mitrovicë.

Kosova nga sot në mesnatë do të fillojë të përdorë masën e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet serbe.

Si pasojë e kësaj ka pasur reagime të shumta nga politikanët serbë, por edhe nga qytetarë të shumtë.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se nuk ka vend për tension, pasi sipas tij, po bëhet diçka legjitime dhe legale.

“Unë jam kryeministër i progresit dhe shpresës, e di që fqinji ynë në skenën politike atje, ka shumë politikanë deri të kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës dhe frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternative dhe andaj besoj dhe punojë që gjithçka nesër të shkojë mirë”, ka thënë Kurti.

Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, ne do t’ua shtojmë një flet-deklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njëjtë me çdo qytetarë të Kosovës kur e kalon kufirin e shkon në Serbi”, shtoi ai.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se situata me Republikën e Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë më e ndërlikuar sesa që është sot.

Vuçiq këto komente i dha sot gjatë një konference, pasi është takuar dje me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, shkruan Tanjug, transmeton Klankosova.tv.

Unë e di që pas shumë vitesh, dhe kjo ka ndodhur për dekada, shumë njerëz nuk duan as të dëgjojnë për problemet reale me të cilat po përballet vendi ynë dhe populli ynë. Kjo. Nuk kemi qenë kurrë në një situatë më të ndërlikuar sesa sot”, është shprehur Vuçiq.

“Asociacioni i komunave serbe nuk është formuar që 3390 ditë, askush nuk ka reaguar”.

Serbët nisin propagandën, thonë se po “përgatitet” diçka- raportohet se do të vendosen barrikada në Rudar

Nga: F.B.

Burime nga pjesa veriore kanë njoftuar se pas orës 17.30 u dëgjua sirena e alarmit, që nga serbët përdoret për grupime edhe protesta.

Mediat serbe kanë nisur propaganën nga atje duke shkruar se “sirena alarmuese është shenjë për qytetarët se diçka po përgatitet dhe duhet të jenë në gatishmëri”, transmeton “Bota Sot”.

Sipas burimeve jozyrtare, po përgatistetn barrikada tek kryqi i madh në Rudar në rrugën rajonale Prishtinë-Leposaviq jo shumë larg Zveçanit.

Presidenti i Serbisë Vuçiq ka thënë se situata kurrë nuk ka qenë më komplekse se tash dhe më serioze.

​Automjetet me mërgimtarë shqiptarë mbesin të bllokuar në Jarinje

Disa automjete të mërgimtarëve shqiptarë që kanë mësyrë Jarinjen për të hyrë sot në Kosovë, kanë mbetur të bllokuar për shkak të masës së serbëve të mbledhur në Rudare.

Po ashtu burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur edhe për bllokim të rrugës nga serbët në fshatin Varage të Zubin Potokut.

E tëra kjo ndodh një ditë para hyrjes në fuqi të masave të reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat