Shoqatat e luftës kërcënojnë me dhunë. Vallen e kujt po e luajnë / Serbët sulmojnë policinë, edhe Lista serbe kërcënon

Aktuale

Shoqatat e luftës kërcënojnë me dhunë. Vallen e kujt po e luajnë / Serbët sulmojnë policinë, edhe Lista serbe kërcënon

Nga: Idriz Morina Më: 7 gusht 2022 Në ora: 12:17
Foto ilustrim: Protestat e veteranëve muaj më parë

Sërish forcat antishtetërore në Kosovë e nxjerrin kokën. Madje ngjashëm, si gjithmonë thuaja, si në luftë, kur kërkonin dhe i vrisnin patriotët më të mëdhenj, dhe thoshin se e bëjnë në emër të patriotizmit. Sipas tyre, patriotizmi që ata e bënin është i shenjtë, dhe se ata ishin luftëtarë.

Së pari a ishin ata luftëtarët e parë dhe të vetëm në tërë historinë e Kosovës? A ishin ata luftëtarët e vetëm në luftën e fundit, dhe a ishin ata organizatorët e vetëm? A ishin këta fitues të ndonjë beteje të madhe!?

Luftëtarët e vërtetë, të secilit tabor, qoftë të udhëhequr nga “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”, qoftë nga Ministria e Mbrojtjes, kurrë nuk bën përpjekje të pengojnë proceset shtetërore, me ndonjë përjashtim të rrallë që udhëheqësit e komprometuar në luftë, i komprometuan pas luftës.

Ata që morën pjesë në rrënimin politik të Kosovës në trazirat e marsit 2004, ata që e dogjën flamurin dardan (sot flamur presidencial), që javë më parë kërcënonin me djegie të Qeverisë, dhe tani po kërcënojnë sërish me protesta jashtëkontrollit, ndërkohë që Lista serbe kërkon destabilitet qeveritar, e Serbia organizon rebelim në veri, e sulmohen patrullat policore në vazhdimësi, dhe ka ndërtuar një rrjet kompleks, që e mbështetë atë spiunazhi, biznesi etj.

Pra, ky grupim që flet në emër të veteranëve aq sa është i pasinqertë është edhe i dështuar në rrugën e gjatë kombëtare.

Këta ishin ose janë të nënshtruar ndaj dështakëve më të mëdhenj që luftuan nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, Xhavit Halitit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Agim Çekut, e të gjithë grupit të tyre. Këta janë nga grupimi që as nuk shkoi dhe as nuk lejoi të vendoseshin forcat e UÇK-së në veri. Këta janë të vetmit luftëtarë që nuk dinë ta tregojnë se cilën betejë e kanë fituar?

Ata dinë vetëm të tregojnë për humbjet që kanë pësuar, dhe për asnjë betejë të suksesshme, si Beteja e Koshares, Beteja e Loxhës, apo si ndonjë tjetër më e vogël!

NATO-ja ndërhyri për shkak të masakrave, gjenocidit që po e kryente Serbia, dhe duke e kualifikuar si një tragjedi humanitare, dhe jo për shkak të suksesit tuaj apo edhe të tjerëve!

Edhe Kosharja ndodhi vetëm pas fillimit të bombardimeve!

Për të qenë aq krenar, sa shtiren e kërcënojnë ata duhet të tregojnë dhe të na bëjnë krenar së pari me betejat që i kanë fituar, jo me luftimet që i kanë humbur.

Festimi i betejave të humbura është model serb, siç bëjnë qe më shumë se 130 vjet ata, duke e festuar nga Londra, ku e filluan, më 1889 festimin e 500 vjetorit, e siç përpiqen ende ta mashtrojnë botën se janë fitues të asaj beteje, ku në fakt shumica e luftëtarëve dhe princërve ishin shqiptarë, përfshirë sipas studimeve të reja, të mbiquajturin prej tyre Car Lazarin, që në fakt e kishte titullin princ (në studime serbe i referohen si knjaz)!

Heronj dhe beteja të ndritshme shqiptare

Shqiptarët kanë luftuar me mijëra vjet, dhe historia i ka regjistruar si fitimtarë në Betejën e Kadeshit afër 4.300 vjet më parë, duke e mundur faraonin e Egjiptit, dhe sigurisht aleancën e tij afrikano-aziatike! Madje jemi nënshkrues të dokumentit të parë të paqes, si pjesë e aleancës së udhëhequr nga Hititët, si fitimtarë të asaj beteje!

Ne jemi pasardhës të Akilit, e madje edhe të Eneas kryeheroit dardan, kryeheronjë të antikitetit të hershëm (që të dy heronj të epit “Iliada” të Homerit), të një lufte shkatërrimtare, ku merrnin pjesë fise e popuj të shumtë, dhe me shumë gjasë ishin fiset edhe nga vendet tona ilirike, që luftonin në të dyja taborët!

Akili njihet si një kryehero, që mundi në betejë kryeheroin trojan Hektorin, në luftën epike dhjetëvjeçare, që ndryshoi rrjedhën e luftës!

Jemi pasardhës apo trashëgimtarë në jo më larg se 85-90 breza (një brez 25-30 vjet) të Aleksandrit të Madh (356 Para.K. – 323 Pr.K.), të kolosit më të madh të mbretërimit që e ka njohur njerëzimi, pavarësisht jetës shumë të shkurtër, 33 vjet, i cili ka fituar thuajse çdo betejë dhe mbretërimin e iliro-maqedonasve e çoi në të katër anët e botës, deri tek lumi Hind në Indi, dhe në gjithë Afrikën Veriore thuaja, përfshirë gjithë Ilirinë e Thrakinë, e vise tjera europiane.

Jemi pasardhës të Mbretit Pirro (319-272) që pushtoi thuaja gjithë Italinë dhe mundi romakët në tokën e tyre! Është konsideruar një prej gjeneralëve më të mëdhenjë të të gjithë kohërave, dhe ndoshta mbretit të fundit pushtues pas një mbretërimi njëmijëvjeçar, në dy kontinente.

Jemi pasardhës të Konstandinit të Madh, që po në emër të zemrës së Dardanisë, në kujtim të ‘gjakut hyjnor’, e vendosi qendrën e Perandorisë nga Roma në Byzant, që për shkak se u rithemelua nga ai, u quaj Konstantinopojë! Ai konsiderohet si njëri nga figurat më të rëndësishme të historisë së njerëzimit.

Më vonë, do të vijë në krye të kësaj perandorie Justiniani, i njohur përveç tjerash edhe si njëri nga kodifikuesit më të mëdhenj të së drejtës.

Emrat janë të shumtë, për të ardhur tek ndoshta kryeheroi i të gjitha kohërave Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, për faktin se nuk njohu humbje të asnjë beteje, duke fituar përveç se në Arbni edhe në Itali.

Pra, i sollëm disa modele të kryeheronjve shqiptarë nga parahistoria e deri më sot, për t’ua kujtuar se gjërat apo kushtet për t’u quajtur hero apo akti heroik, nuk kanë ndryshuar!

Prandaj, ata që organizojnë protesta janë aq të zhurmshëm, që përveç se kanë ndihmuar në falsifikimin e listave të veteranëve, në fryrjen e tyre të jashtëzakonshme, nuk kanë se çfarë të rrëfejnë shumë për luftën.

Asnjë fjalë për sulmet në veri

Këto (grupe – udhëheqësit e shoqatave) nuk bëzajtën as për organizimin një javë më parë të një lloj rebelimi në veri. As nuk reaguan për sulmet e armatosura të përsëritura ndaj policisë në veri, dhe as për sulmet e ndodhur dje në Ujman, në veri.

Pra, ju nuk doni t’ia dini, siç nuk deshët t’ia dinit për demarkacionin me Malin e Zi, për asociacionin me kompetenca ekzekutive që ia dhanë serbëve Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, as që deshët t’ia dinit se Hashim Thaçi, po ia falte veriun Serbisë, dhe për ta bërë tradhtinë patriotike, thoshte se ‘ishte dhuratë e rankoviçit’. Kështu thoshte për tokën që për 10 mijë vjet ishte shqiptare, madje këtë mund ta dëshmojë edhe ADN-ja e serbëve autoktonë në veri, që janë transformuar në serbë, nëpërmjet tjetërsimit gjuhësor.

Të gjitha këto çështje kyçe që përmenda dhe të tjera që kanë ngjarë, nuk kanë asnjë lidhje me pagat e veteranëve. Madje edhe ligji për të cilin protestojnë ata s’ka lidhje me pagat për veteranët, por ajo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet ligji bazik, dhe siç kam shkruar që kur kanë protestuar, veteranët e vërtetë meritojnë jo pension sa paga minimale, por minimalisht nga 350 euro e sipër, varësisht prej statusit që ka, dhe invalidët varësisht prej shkallës së invaliditetit duhet të shkojë nga 500 e sipër (deri aty ka mundësi maksimale dhe arrihet pajtim)!

Por, për veteranët e rrejshëm, sigurisht se mjafton një pension sa paga minimale, prandaj edhe ngulin këmbë, shumë prej tyre!

Është e habitshme se si e akordojnë kohën dhe kërcënimet, se çfarë halli kanë, ende nuk kuptohet, por me shumë gjasë protestat i organizojnë edhe për t’i mbrojtur apo penguar hetimet për abuzimet me lista!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat