“Lojëra të dyfishta”, Kurti kërkon largimin e menjëhershëm të vendeve të Rezervuara për Pakicat në Kuvendin e Kosovës

Aktuale

“Lojëra të dyfishta”, Kurti kërkon largimin e menjëhershëm të vendeve të Rezervuara për Pakicat në Kuvendin e Kosovës

Nga: A.ZH Më: 7 gusht 2022 Në ora: 13:09
Lista serbe në Kuvendin e Kosovës

Republikanët e Kosovës kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të vendeve të Rezervuara për Pakicat në Kuvendin e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Faton Kurti, kryetar i REK, ka thënë se ulëset e rezervuara për pakicat, janë në kundërshtim me pakon e Ahtisarit. Madje, sipas tij, ato janë duke u keqpërdorur qëllimisht për të penguar dhe dëmtuar proceset e zhvillimore në Republikën e Kosovës, si rasti me Lista Serbe.

Kurti ka thënë se deputetët e Listës serbe, rrogën e marrin nga shteti i Kosovës, teksa punojnë për Serbinë dhe interesat direkte të saj në Kosovë hapur dhe të patrazuar nga askush.

Reagimi i Kurtit në Facebook:

Lojërat e dyfishta të Listës Srbska!

Republikanët e Kosovës, REK, kërkojnë abrogimin (largimin) e menjëhershëm të vendeve të Rezervuara për Pakicat në Kuvendin e Kosovës.

Ky është një rast i paprecedentë i cili i është imponuar Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë me anë të pakos së Marti Ahtisarit, ku komuniteteve të pakicave kombëtare t´ju rezervohen 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës për dy mandate pas shpalljes së Pavarësisë dhe pastaj ato të shndërrohen në ulëse të garantuara.

Sot 14 vite pas pavarësisë së Kosovës, këto ulëse ende kanë mbetur të rezervuara! Kjo është jo vetëm në kundërshtim me pakon e Ahtisarit, por këto ulëse të rezervuara shpesh janë duke u keqpërdorur qëllimisht për të penguar dhe dëmtuar proceset e zhvillimore në Republikën e Kosovës – si rasti me Lista Srbsken.

Deputetët e këtyre grupimeve po abuzojnë rëndë dhe në mënyrë konseguente me interesat ekonomike dhe strategjike të Kosovës.

Duke përfituar nga toleranca kombëtare dhe ndërkombëtare ata po përfitojnë në kurriz të shtetasve të Kosovës edhe pse nuk janë zgjedhur drejtpërdrejt prej tyre por janë një pako e konservuar që duhet ta mbajmë në (frigoriferin) kuvendar të Kosovës. Edhe pse ata nuk duken thuajse kurrë në Kuvend, Kosova ju paguan rroga të majme, mëditje, dieta dhe bonuse për të majmur ende më shumë interesat e tyre që dëmtojnë hapur interesat e zhvillimit të vendit në të gjitha nivelet. Jo më kot ata nuk janë të pranishëm kurrë në seancat e Kuvendit kur duhet të kalojnë ligje me rëndësi jetike për Kosovën.

Shumica e këtyre deputetëve të Lista Srpska rrogën e marrin nga shteti i Kosovës teksa punojnë për Serbinë dhe interesat direkte të saj në Kosovë madje krejt hapur dhe të patrazuar nga askush.

Deri kur shqiptarët do paguajnë me çmim shumë të lartë dëmtimin e interesave e tyre ekonomike, politike dhe strategjike e për pasojë të ardhmes së tyre!

Për këtë arsye, Republikanët e Kosovës, REK, kërkojnë heqjen e menjëhershme të ulëseve të Rezervuara për Pakicat në Kuvendin e Kosovës dhe ti hapet rruga subjekteve të reja alternative që kanë punuar dhe po punojnë për të ardhmen europiane të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat