Eksperti amerikan: Ajo që ndodhi në veri të Kosovës nuk është befasuese

Aktuale

Eksperti amerikan: Ajo që ndodhi në veri të Kosovës nuk është befasuese

Nga: A.ZH Më: 7 gusht 2022 Në ora: 19:01
Një ushtar i NATO-s duke ecur pranë kamionëve që serbët lokalë kanë përdorur për ta bllokuar një rrugë drejt kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se tensionet e fundit në veri të Kosovës me Serbinë, nuk ishin befasi.

Ai ka thënë se serbët e Kosovës gjithmonë kanë tendencë për të sfiduar institucionet e Kosovës.

“Ajo që ka ndodhur në veri të Kosovës nuk është befasuese. Gjithmonë ka pasur një tendencë në mesin e kosovarëve serbë për të sfiduar qeverinë”, ka thënë Ben-Meir, në një postim në Facebook, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti, për shtyrjen e masës së reciprocitetit për një muaj, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut.

“Tani që bllokadat e rrugëve janë hequr dhe kryeministri Kurti ka pezulluar kërkesën e tij për reciprocitet për një muaj, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të negociojnë një zgjidhje më të përhershme përmes dialogut, të sponsorizuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës, ka shtyrë zbatimin e dy vendimeve për dokumentet dhe targat serbe, që çuan në bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës nga serbët lokalë gjatë vikendit.

Sipas kërkesës së SHBA-së, vendimet do të fillojnë të zbatohen nga data 1 shtator./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat