Prokuroria kërkon dënimin e arkitektit të Komunës së Prishtinës, mbrojtja lirimin e tij

Aktuale

Prokuroria kërkon dënimin e arkitektit të Komunës së Prishtinës, mbrojtja lirimin e tij

Më: 8 gusht 2022 Në ora: 12:09
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore e Prishtinës po kërkon dënimin e arkitektit të Komunës së Prishtinës, Gëzim Ferizi, i cili po akuzohet për keqpërdorim me leje ndërtimore, ndërsa mbrojtja po kërkon lirimin e tij nga akuza.

Këto deklarime u dhanë në seancës e së hënës në fjalën përfundimtare nga prokurorja Dulina Hamiti dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ferizi, avokati Skender Musa.

Fjalën përfundimtare prokurorja Hamiti e ka dorëzuar me shkrim, ndërsa gjatë elaborimit të saj ajo tha se mbetët në tërësi pranë aktakuzës së ngritur dhe se me administrimin e provave është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Në anën tjetër avokati Musa e ka dorëzuar me shkrim fjalën përfundimtare, duke thënë se gjithçka në këtë çështje penale është në kundërshtim me dispozitat ligjore të kodit të procedurës penale.

Ai tha se prokuroria nuk e ka hetuar fare këtë çështje, por sipas tij, është bazuar vetëm në vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës të 29 korrikut 2005 për miratimin e planit rregullativ të Matit 1.

“Në nenin 4 te këtij vendimi thuhet se të gjitha planet para ekzistuese nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi anulohen, çka do të thotë se dispozitivi i aktakuzës është në kundërshtim me dispozitat ligjore, statutin e komunës, ligjin për ndërtim sepse plani rregullativ është akti kryesor që parasheh zonat që janë te përfshira për ndërtim të lartë dhe që lejohet rregullimi i parcelave pavarësisht se a janë prona publike apo private”, shtoi ai.

Tutje sipas tij, aktakuza ka të meta ligjore për vetë faktin se në dispozitiv të aktakuzës thuhet se i është shkaktuar dëm Komunës së Prishtinës e që kjo sipas avokatit Musa nuk është vërtetuar me asnjë fakt.

Ndër të tjerash, i njëjti shtoi se Komuna e Prishtinës ka deklaruar se nuk është palë e dëmtuar.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje do të bëhet nesër, më 09 gusht 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 25 janar 2018, Gëzim Ferizi, në cilësinë e inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizmit në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me ç’rast Komunës së Prishtinës i kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Ferizi kishte nxjerrë dy aktvendime të lejeve ndërtimore, por që pjesa tekstuale nuk përkonte me pjesën grafike.

Ai akuzohet se më 22 mars 2013, kishte përpiluar aktvendimin e parë të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve afariste në objektin “A” dhe “C” në lagjen “Mati 1”, në Komunën e Prishtinës, ku investitor në këtë objekt është Latif Brajshori.

Kurse, sipas aktakuzës, më 10 qershor 2013, kishte nxjerrë aktvendimin e dytë për lejen e ndërtimit për objektin “B”, po në këtë lagje, ku investitor është “NNH Morina Ib”.

Në aktakuzë thuhet se pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, e që në pjesën grafike, sipas aktakuzës, kishte përfshirë edhe ngastrën kadastrale 741/14, e cila rrugë evidentohet në emër të Komunës së Prishtinës.

Në bazë të aktakuzës, kjo rrugë kishte qenë rrugë publike e pakategorizuar, ndërsa me anë të këtyre lejeve, u ishte mundësuar investitorëve ndërtimi i objekteve afariste. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat