Kosova t’i godasë bandat kriminale në veri, edhe ato serbo-shqiptare / Veriu të vihet nën kontrollë para 31 gushtit!

Aktuale

Kosova t’i godasë bandat kriminale në veri, edhe ato serbo-shqiptare / Veriu të vihet nën kontrollë para 31 gushtit!

Nga: Idriz Morina Më: 8 gusht 2022 Në ora: 16:14
Trupat e KFOR-it dhe policisë së Kosovës, duke vendosur rendin në veri!

Këto ditë apo javë që kanë mbetur deri në fillimin e zbatimit të vendimit të Qeverisë për dokumentet e udhëtimit të shtetasve serbë, duhet të shfrytëzohen nga institucionet për t’i asgjësuar bandat e krimit, të cilat veprojnë në veri.

Disa nga këto banda janë kualifikuar si banda të përbashkëta të krimit, serbo-shqiptare!

Nga kush mbështeten bandat!

Veprimi i bandave shqiptare në veri, ka qenë thuajse i pamundur pa mbështetjen e pushtetit në Prishtinë, por edhe pa mbështetjen e bandave kriminale serbe në veri. Disa nga këto, apo të paktën njëra prej tyre, me udhëheqës Zvonko Veselinoviçin, dhe zëvendës Milan Radojçiqin, u quajt nga SHBA-të, bandë ndërkombëtare e krimit me seli në veri, ndërsa anëtarët kryesor të bandës, u futën në Listën e zezë të SHBA-ve.

Institucionet e drejtësisë bën përpjekje me vonesë që ta arrestonin Milan Radojçiqin, e kërkuar edhe për krime ordinere në Kosovë, përfshire edhe dyshimin se është pjesëmarrës në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit, i cili po kthehej gjithnjë e më shumë në një politikan serb të moderuar, që e kishte pranuar tashmë ekzistencën e shtetit të Kosovës, dhe që i takonte taborit serb se betejën politike për serbët ta bënte nga brenda, pra në institucionet e Kosovës së pavarur. Me shumë gjasë kjo pikëpamje e tij politike, do ta shndërronte në viktimë, pre të planeve të Serbisë, për t’i kontrolluar të gjithë politikanët serb. Pavarësisht që ai gjatë dhe pas luftës ishte një lloj simboli i nacionalizmit serb, dhe mbështetës i dhunës ndaj shqiptarëve në luftë dhe në vitin 2000 për dëbimin e shqiptarëve.

Pra, është e qartë se në vitet e pavarësisë Serbia ka ndërtuar raporte të reja dhe kohezion të ri veprimi në veri, në vend të dobësimit të strukturave kriminale, duke vazhduar me rekrutimin e njerëzve të stërvitur dhe duke i përgatitur psiqikisht dhe fizikisht për konflikt.

Duke pasur struktura të tilla kaq agresive dhe kaq të fuqishme, është e qartë, pra se bandat shqiptare nuk kanë mundur të veprojnë në veri pa u trazuar nga ato serbe, sikur të ishin sjellur si të pavarura. Pra, është e qartë se bandat shqiptare në veri, silleshin me nënshtrim ndaj atyre serbëve. Duke qenë se bandat serbe kontrollohen nga Serbia, kemi për rrjedhojë se edhe bandat shqiptare, që bashkëvepronin me ato serbe, ishin në vartësi të shtetit serb.

Prandaj, nuk ka rrugë tjetër, përveç arrestimit të tyre. Madje kjo e ndihmon edhe arrestimin e bandave serbe, sepse sigurisht se Serbia nuk do të protestojë dhe as të mobilizojë serbë në veri, për shkak të arrestimit të tyre.

Ndërsa, nga shqiptarët askush nuk do të guxojë të protestojë hapur, për ata banditë, sepse do të zbuloheshin tutorët e tyre, që padyshim, se kanë qenë dhe janë në politikë.

Bashkëveprimi me Serbinë

Një hap më tej gjërat kanë rrjedhur pas arrestimit në veri, dhe dëbimit nga Kosova të gazetares ruse Daria Aslamova, e akuzuar për spiunazh në favor të Rusisë.

Për dëbimin e gazetares - agjente ruse, ka reaguar edhe ish i dërguari i presidentit Tramp, Riçard Grenell. Si duket për sa kohë ishte në bashkëveprim me institucionet e Kosovës, ai e ka pasur të vështirë ta kuptojë apo edhe hamendësojë se ka politikanë shqiptarë, që duan dhe mund ta zbatojnë ligjin në mbrojtje të interesave të shtetit.

Ai mendon se është çmenduri që Kosova të kryejë këso akte, dhe pasi e bën reagimin e parë në shkresë për ‘papjekurin’ politike të institucioneve, nuk harron ta mbrojë Serbinë dhe serbët, dhe e nxjerr ‘topin’ aty ku i dhemb më së forti, te ‘stikersat’ që Republika ua vendos veturave serbe!

Por, përveç bandave shqiptare që i komprometojnë disa politikanë, reagimet e fundit të Grenellit, ua zbulojnë edhe më shumë fytyrën shumë politikanëve shqiptarë, atyre të cilët donin ta kryenin marrëveshjen sa më parë me Serbinë, duke e pasur mbështetjen e Grenellit, e cila si po shihet s’ka qenë fare e sinqertë me shqiptarët!

Pra, në këtë kontekst duket si e vetmuar beteja e shqiptarëve për veriun. Por, administrata amerikane, e veçanërisht Presidenca Biden tani, është e interesuar më shumë për Kosovën, ashtu siç ka premtuar në letrat e tij për presidenten Osmani, dhe ashtu siç ka raportuar në Komisionin për politikë të Jashtme, ambasadori Xhef Hovenier, dhe gjatë detyrës së tij, e veçmas, pas krizës së para një jave, se Qeveria e Kosovës ka të drejtë plotësisht t’i zbatojë vendimet e saja, të konfirmuara edhe nga i dërguari për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Atëherë rrugët janë hapur, dhe institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë duhet të veprojnë në kapjen e grupeve kriminale, në spastrimin e veriut, të krerëve të krimit, dhe të niveleve të tjera.

Evitimi i sulmit me armë, pas 31 gushtit

Kjo do ta lehtësonte plotësisht situatën që me 31 gusht, të mos kishte më barrikada dhe pengesa të tjera nga Serbia në veri.

Njëkohësisht kjo mënyrë do të ishte një leksion për Serbinë, dhe të gjithë ata serbë, e të tjerë që sillen brutalisht ndaj rendit dhe ligjit.

Madje, sipas asaj që thotë kryeministri Kurti, nëse nuk ndodhë spastrimi i këtyre bandave, ndoshta nuk kanë pse të nisen institucionet tona drejt veriut, pasi është fare pak e besueshme, që ato të mos i sulmojnë me armë shkatërruese edhe autoblindat.

“Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik e kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin, por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë. Andaj në këto barrikada kishte njerëz të armatosur. Nuk bëhej fjalë për barrikada me njerëz civilë që, thjesht, pengojnë lirinë e qarkullimit. Bëhej fjalë për barrikada me njerëz të armatosur, të cilët e kanë vendosur barrikadën në një pozicion të tillë që është i favorshëm për të qëlluar mbi automjetet ose njerëzit që vijnë”, ka deklaruar kryeministri Kurti në një intervistë për REL-in.

Sipas tij, kanë qenë të vendosur 11 barrikada në rrugët në veri dhe dy të tjera na zonën e Ujmanit. Po ashtu nga dhuna e bandave serbe pësuan 11 shqiptarë, me lëndime dhe të tjerë të keqtrajtuar.

Po sipas tij, nga pamjet e siguruara nga Prokuroria, të akuzuarit ishin persona në listën e pagave të Serbisë, dhe që punojnë në strukturat ilegale në veri të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat