Gruan e dhunuan, ia prenë gjinjtë, e vranë e dogjën..., burrit ia thyen kokën... / Sot vetëm një varr e kanë

Aktuale

Gruan e dhunuan, ia prenë gjinjtë, e vranë e dogjën..., burrit ia thyen kokën... / Sot vetëm një varr e kanë

Nga: Idriz Morina Më: 9 gusht 2022 Në ora: 11:54
Pllaka përkujtimore e bashkëshortëve Frrokaj!

Ngjarja ndodhi një ditë gushti, 24 vjet më parë. Tushi, babai dhe nëna Ilire, u nisën me shpresë që kjo e fundit ta gjente motrën e vet diku në Lugun e Beranit, me mendimin që atë ta shpëtonte nga lufta, pasi besonte se atje ishte shumë më e rrezikuar se ku jetonte çifti, në Plançor.

Por, ndërsa ajo po përpiqej dhe po e mendonte se si të arrinte tek motra, pa u rrezikuar nga forcat serbe, ajo bashkë me burrin do të arrestoheshin nga forcat shqiptare.

Image

Varri i bashkëshortëve Ilire dhe Tush Frrokaj. A do të ketë drejtësi për ata?

Ekzekutimi

Tush Tun Frrokaj (29.08.1961-26.08.1998) dhe Ilire Mark Frrokaj (25.05.1967-26.08.1998) u ndaluan nga pjesëtarë të UÇK-së, në Zonën e Dukagjinit, pastaj pas një akuze të pakuptimtë, u rrahën, u torturuan, zonja u dhunua, i hapeshin varrë edhe në gjinj me mjete të ftohta, dhe më pas u ekzekutuan që të dy. Sipas Tribunalit të Hagës, gruas pas ekzekutimit i qe djegur trupi. Tushit vetëm një pjesë eshtrash i qenë gjetur, aq sa varri i tij, besohet se është i zbrazët.

Tribunali i Hagës, nuk kishte arritur ta zbardhte tragjedinë, se kush ishin fajtorët apo autorët e drejtpërdrejt.

“Trupi i Ilire Frrokajt zbuloi praninë e një predhe në njërën këmbë, thyerje të shumta kockash, mes të cilave thyerje të kafkës dhe dëshmi të djegies së trupit. Trupi i Tush Frrokajt zbuloi një thyerje të kafkës”, thuhet në përshkrimin e Aktakuzës së Tribunalit të Hagës për trupat e dy viktimave, që ishin gjetur në kanalin e Radoniqit.

Së bashku me trupat e tyre nën rrjedhën e kanalit të liqenit të Radoniqit, qe gjetur edhe vetura e tyre, e cila kishte disa vrima plumbash.

Në Tribunal përmendet se një komandant lokal, kishte bërë përpjekje të merrte vesh se çfarë kishte ndodhur me bashkëshortët Frrokaj. Ky ishte Ardian Kurti, i ndjerë, komandant lokal i UÇK-së në Gramaqel, në rrugën që çifti i zhdukur e kishte përshkuar, por menjëherë më pas, sipas Tribunalit, ishte kërcënuar me jetë se do të pësonte sikur ata.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat