Sibel Halimi rreth deklaratës së Kurtit për luftë: Imazhi i Kosovës u dëmtua në kohën e krizës së thellë ekonomike

Aktuale

Sibel Halimi rreth deklaratës së Kurtit për luftë: Imazhi i Kosovës u dëmtua në kohën e krizës së thellë ekonomike

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 13:32
Sibel Halimi

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ku tha se në Kosovë ka gjasa të ndodhë luftë.

E Halimi thotë se këto deklarata nga pushteti po vinë në kohën e një krize të thellë ekonomike derisa investimet e huaja vazhdojnë ta shohin Kosovën me mosbesim.

Andaj, imazhi i Kosovës, sipas Halitim, si vend i paqes e i kulturës është dëmtuar nga kjo deklaratë shqetësuese.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Halimit:

Deklarata e pamatur e kryeministrit lidhur me luftën eventuale në Kosovë ka shpërqendruar vëmendjen nga përpjekja për të ndryshuar këtë perceptim ndaj vendit tonë.

Imazhi i Kosovës si vend i paqes e i kulturës i përfaqësuar së fundmi në shumë media ndërkombëtare në saje të organizimit të shumë ngjarjeve të rëndësishme kulturore, u dëmtua nga një deklaratë e tillë, e cila përveçse shqetësuese, është edhe miope për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Partia në pushtet ende nuk ka arritur të kuptojë rëndësinë e përgjegjësisë së fjalës e veçanërisht drejtuar opinionit ndërkombëtar. Në kohën kur vendi ynë gjendet në krizë të thellë ekonomike dhe investimet e huaja vazhdojnë të shohin me mosbesim Kosovën e si vatër krize, kjo deklaratë ia sforcon më tej këtë bindje.

Andaj, qeverisja e vendit kërkon urtësi dhe vizion të qartë, por fatkeqësisht narracioni popullist i kryeministrit vazhdon të dëmtoj vendin vetëm për konsum të brendshëm politik.

Sibel Halimi,

Zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së LDK-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat