"S’dallon shumë prej rusëve”, helmi’ i Isa Mustafës / Avokat i kujt është bërë sot ish-kryeministri?

Aktuale

"S’dallon shumë prej rusëve”, helmi’ i Isa Mustafës / Avokat i kujt është bërë sot ish-kryeministri?

Nga: Idriz Morina Më: 11 gusht 2022 Në ora: 15:29
Isa Mustafa

Ishin ditë, javë dhe muaj të rëndë, të qeverisjes me Kosovën, kur protestohej për ruajtjen e tërësisë tokësore, që përveç tjerash, kufijtë ishin të pasqyruar në hartën e shtetit.

Isa Mustafës, nuk i ka kaluar aspak hidhërimi se ato protesta, të gërshetuara edhe me ato kundër Asociacionit, që organizoheshin nga Vetëvendosje dhe AAK-ja, çuan në rrëzimin e qeverisjes së tij, që sipas shumë vetave, ajo mbahet në mend, si qeverisësja më e mirë ekonomike.

Nokauti që e mori nga Thaçi

Por, asaj më askush nuk i besonte se po qeveriste mirë, në politikë. Madje vetë partneri i tij, të cilin e ngriti në krye të shtetit, pasi karriera e tij po shihej se po përfundonte, me krijimin e gjykatës speciale, Mustafa ia dha edhe një shans, Hashim Thaçit. E bëri president të Kosovës, i cili pa hezitim, e mblodhi partinë e tij, PDK-në, dhe e ‘grushtoi’ Mustafën, duke ia humbur ‘vetëdijen’, dhe vendi shkoi në zgjedhje.

Ky rrëzim politik, nokaut, që e mori nga Thaçi, Isa Mustafa duket se vazhdon ta përjetojë si goditje, që i erdhi nga Albin Kurti - protestat e dhunshme, por, që pas dhunës së vërtetë fshihej AAK-ja dhe SHIK-u.

Madje, njeriu më i dhunshëm apo heroi i atyre protestave qe dëshmuar dhe argumentuar në media, Dardan Molliqaj, por Mustafa nuk i zë në gojë. Për çfarë arsye nuk e bën këtë, ai mund ta dijë, por askush nuk beson se ai mund të rikthehet një ditë në pushtet, jo vetëm se u detyrua të largohej nga politika, por edhe nga LDK-ja, të cilën e drejtoi për shumë vjet, pasi e rrëzoi me intriga shefin e tij, Fatmir Sejdiun. Që prej zgjedhjes kryetar i LDK-së, ai më nuk e njohu asnjë fitore në zgjedhje, edhe Prishtinën e humbi.

Por, në marrëveshje me Hashim Thaçin, e grabiti situatën, dhe ia doli të bëhej kryeministër, pozitë, të cilën e lakmonte si dukej që kur e kishte Rrahman Morinën shef të qeverisë kukull të Millosheviqit.

Ai po ashtu duket të ketë pasur xhelozi dhe mungesë respekti edhe për shefin tjetër të tij në qeveri, Bujar Bukoshin.

Pavarësisht kësaj, ai së bashku me Bujar Bukoshin, bën puq kundër Presidentit Rugova, dhe ia ndaluan financimet, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, pasi sistemi ishte presidencial, dhe kurrë më nuk ia zhbllokuan, derisa u mbajt seanca e janarit të vitit 2000, ku para Kuvendit dhe Presidentit Rugova, raportuan për shpenzimet e 3% (në sallën e “kuqe” në Pallatin e Rinisë në Prishtinë), ndërsa u shpall shpërndarja (shuarja) e institucioneve. Por, paratë e mbetura i qeverisën vet sërish nëpërmjet UFORK-ut dhe Dardania Bankës, që po ashtu shuma e shitjes së saj prej 5 milionë eurove nuk dihet ku përfundoi.

Dardania Banka i qe shitur “Bankës Popullore Pulieze” në Tiranë, me seli në Itali.

Heshtja e vrasjeve politike

Që nga momenti që hyri në koalicion me Hashim Thaçin, kurrë më nuk i përmendi vrasjet politike. Më parë e bënte këtë vetëm nëpër fushata. Sa ishte kryeministër vetëm në një moment, ia kujtoi Ramush Haradinajt, viktimat në liqenin e Radoniçit, por më pas, sigurisht i frikësuar e fshiu statusin në Facebook. Me aq mbaroi trimëria e tij.

Por, se ku i buron ‘trimëria’ e tij, që edhe kur i ofronte kryeministri i Malit të Zi, rishikimin e demarkacionit, dhe ky e injoronte me çdo kusht, nuk tregon. Por, sigurisht hetimet në të ardhmen do ta tregojnë të vërtetën, nëse e bëri në interes të Thaçit apo të ndonjë faktori tjetër.

Albini mund t’i mos pëlqejë fare, edhe qeverisja e tij, ato mund të jenë vlerësime nga përgatitja e tij, si ekonomist.

Por, gjuha e përdorur në momentin aktual, e ngjashme apo e krahasueshme me atë që po e përdor Vuçiqi dhe Serbia, se Qeveria e Kosovës është e dhunshme, e madje, e krahasueshme me regjimin e Putinit në Ukrainë, kjo nëse nuk është e trishtueshme, të paktën ta kujton, imazhin e tij, prej vartësi të Rrahmon Morinës, vartës i Millosheviqit.

"Kjo është qeveri e dhunës. Me dhunë, gurë, gaz lotsjellës, bomba molotovi, granata ka ardhë në pushtet. Jo me punë dhe merita qeverisëse. Edhe aty ku ka qeverisur ka dështuar, si Prishtina dhe Prizreni. S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vëjnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik. Duan të themelojnë ushtri paralele dhe organe paralele të drejtësisë. “Kushtetutë e pa Kushtetutë” (mësim i keq dhe fatal)”, ka thënë ai për lajmi.net.

Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë përdor dhunë, por një pjesë e saj, apo intensiteti kulminant i saj, gazi lotsjellës në Kuvend nuk e ka pasur cak të viktimizojë askë në mënyrë të veçantë, pasi ai është hedhur në ambient për të penguar mbajtjen e seancës apo seancave për demarkacion. Në të gjitha pamjet televizive dëshmohet, se pushtetarët dilnin menjëherë nga seanca, por brenda ngelnin opozitarët, ata që e hidhnin gazin. Pra, në këtë pikë, me gazin është rrezikuar më shumë apo ata e kanë rrezikuar më shumë shëndetin e tyre si opozitar, se sa pushtetarët. Nëse dikush donte ta kualifikonte si tentim-vrasje, ajo është më shumë e karakterit vetëvrasës!

Rusët nuk po i hedhin bombat aty ku janë rusët, as ku janë ushtarët rusë, por, aty ku janë ukrainasit dhe ushtarët ukrainas. Rusët nuk po qëndrojnë nën breshërinë e bombave të tyre, pasi po ikin ukrainasit (ushtarë e qytetarë)!

Rusët janë pushtues në Ukrainë, dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, pos që ukrainasit janë viktima të agresionit!

Pra, kjo përveç se një mënyrë e të menduarit e shtrembëruar, është edhe një avokati për regjimet e Moskës dhe Beogradit, pas atij roli që e luajti hapur për Podgoricën dhe Hashim Thaçin.

Frymëzim për Vuçiqin

Madje, kjo deklaratë e ish-kryeministrit mund të shihet se e ka motivuar një retorikë edhe më radikale të Serbisë, të presidentit të saj, Vuçiqit, i cili sot ka shfaqur tërbimin e tij.

Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë, sot tha: “ Kosova është duke u përgatitur për sulm në veri për vrasjen e serbëve”.

Nëse ne kemi një qeveri si ajo ruse, vërtetë mund të ketë viktima serbe. Por, veriu është i Kosovës, dhe Rusia nuk e sulmoi ndonjë pjesë apo rajon të saj, prandaj, ky krahasim është, thënë më së buti, i pacipë!

Por, mirë bëri, që e tregoi një pjesë të fytyrës së vet, që mbështetësit e tij nuk e njihnin! Se për Mustafën më i rëndësishëm është pushteti, se sa nëse humb apo fiton Kosova, madje në raport me Serbinë!

Po, mirë, se kur Isa Mustafa ishte kryetar i Prishtinës, Vetëvendosja me Albin Kurtin, ia pat dërguar 70 dosje në prokurori. E ku janë sot ato, pse heshtin të gjithë, dhe vetë kjo parti.

Nëse ato dosje nuk ishin të vërteta le të kërkojnë falje!

Mustafa mund të thoshte, pa dyshim, se Vetëvendosja erdhi në pushtet edhe nëpërmjet protestave të dhunshme, por jo vetëm nëpërmjet tyre, dhe nuk kishte asnjë viktimë, humbje jete, nga asnjëra palë. Por, burgosje e arrestime të opozitarëve po.

Pra, ajo mund të ketë përdorur protestat e dhunshme, por nuk është një qeveri e dhunshme. Madje përkundër përpjekjeve që edhe protestat e veteranëve të keqpërdoreshin dhe të ktheheshin në dhunë, nuk ka ndodhur kjo.

“S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vëjnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik”...

Ky diskurs nuk mund të rridhte nga politikanë karriere, por edhe më hiq, nga një anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

Pyetja, është se kush është ky akademik, dhe a është vërtetë? Si ekonomist duhet ta dijë, se në Ukrainë ka mijëra viktima, ka mijëra shkatërrime, madje gati qytete të zhdukura, dhe po të mos ishte ndihma e Perëndimit, spastrimi etnik tashmë do të kishte marrë fund!

Pra, një akademik, nuk i thotë ato gjëra, vetëm nga shpirti intelektual!

Me 25 gusht 2021, pra një vit më parë, Isa Mustafa i kishte ndryshuar mjaft shumë qëndrimet e tij për Asociacionin. Ndoshta kjo ishte pasojë e goditjes që LDK-ja, kishte marrë në zgjedhjet e atij viti.

“Nëse gjendet rrugë ligjore dhe kushtetuese për ta evituar si obligim ndërkombëtar, të cilin e ka marrë Kosova me Ligj, më mirë do të ishte të mos themelohej”, thoshte Mustafa.

Madje ishte kritikë edhe për SHBA-në dhe BE-në.

“Unë nuk po shoh ndonjë përkushtim të BE-së dhe të SHBA-së për dialogun dhe për zbatimin e marrëveshjeve, përpos ndonjë deklarate sporadike”, thoshte Mustafa për “Front Online”.

Por, nga atëherë është rikthyer sërish të përdorë çdo trysni ndaj Qeverisë, në vend se t’i kërkojë dhe të këmbëngulë, që ajo dhe partia kryesore në qeverisje, t’i realizojë premtimet e saj me çdo kusht, ose në të kundërtën të merrë ndëshkimin nga votuesit!

 

Ps. Për rrezikun për një luftë nga Serbia, siç e kam argumentuar në vazhdimësi, që nga kriza e Ukrainës (dhjetori 2021), para fillimit të pushtimit nga Rusia, ajo rezulton si pjesë e çdo dekodimi, që ia bën secili që mund ta njoh madje, në mënyre elementare semiotikën apo teorinë e informacionit, zbërthimin e një mesazhi nga një kod apo dekodimin e një mesazhi në kontekst të marrëdhënieve historike serbo-ruse, dhe veçanërisht aktuale (nga 1999 e deri më sot).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat