​Kurti: Për 14% janë rritur të hyrat në Doganë, për dy herë e gjysmë janë rritur konfiskimet

Aktuale

​Kurti: Për 14% janë rritur të hyrat në Doganë, për dy herë e gjysmë janë rritur konfiskimet

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 11:22
Foto nga takimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në Doganat e Kosovës për 14% janë rritur të hyrat në këtë periudhë të vitit, derisa u shpreh se konfiskimi dhe sekuestrimit është rritur për 2 herë e gjysmë.

Këto deklarimet shefi i ekzekutivit i bëri pas vizitës që zhvilloi në Doganën e Kosovës, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ku u pritën nga drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.

Kurti derisa u shpreh i kënaqur me të arriturat e këtij institucioni, ofroi mbështetje për Doganën e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës tha se studimet kanë treguar se edhe koha e zhdoganimit ka shënuar progres dhe kjo është e rëndësishme për investitorët e huaj dhe ekonominë e vendit.

Kurti: Konfiskimi dhe sekuestrimi është rritur për 2 herë e gjysmë

Për gati 14% janë rritur të hyrat në këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar me periudhën e njëjtë, por është interesante që përderisa në vitin e kaluar kemi pasur konfiskime sekuestrime në përmasën prej 2 milionë euro, në të njëjtën periudhë sivjet kemi 5 milionë euro. Pra, dy herë e gjysmë është rritur konfiskimi e sekuestrimi për periudhën e njëjtë me këtë vit, krahasuar me vitin e kaluara. Të hyrat e gjithëmbarshme për vitin 2021, janë mbi 30% më shumë sesa në vitin 2020 dhe është tejkaluar projeksioni për afër 10%. Edhe besueshmëria te qytetarët e republikës për Doganat e Kosovës është rritur. Në vitin e kaluar ka qenë diku mbi 18% më e ulët besueshmëria sesa në këtë vit dhe kjo është një sukses shumë i madh”, u shpreh Kurti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se luftimi i kontrabandës ka shënuar progres dhe ky është mesazh për të gjithë kontrabandistët se tashmë një gjë e tillë nuk është e mundshme.

Murati theksoi se po punojnë në rikthimin e terminaleve doganore që do të jenë në shërbim të bizneseve.

Murati: Sekuestrimet janë bëtë çështje ditore, është mesazh se kontrabanda nuk është e mundur

Institucioni i Doganave të Kosovës është tepër i rëndësishëm sa i përket gjenerimit të të hyrave për shtetin e Kosovës, sidoqoftë ka edhe funksionin tjetër që është ofrimi i sigurisë për qytetarët, pra produktet që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të jenë të sigurta, për më tepër duhet ë sigurohemi që hyjnë përmes kanaleve zyrtare e kjo nënkupton luftimin e kontrabandës çdo cep të vendit. Siç e keni parë edhe ju tashmë zëniet e produkteve të tyre, sekuestrimet, konfiskimet janë bërë çështje pothuajse e përditshme, përderisa në të kaluarën rrallë herë është dëgjuar për to. Kjo është mesazh për ata që provojnë me bë kontrabandë, është mesazh se tashmë nuk është e mundshme një gjë e tillë dhe iu kushton shumë më shtrenjtë sesa të kalojnë nëpër kanalet zyrtare”, deklaroi Murati.

Kurse, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu u shpreh se Dogana vazhdon të ketë një performancë pozitive, krahasuar me vitin e kaluar.

Llugaliu: Këtë vit kemi mbledhur 14% më shumë të hyra se viti i kaluar

Dogana vazhdon të ketë një performancë pozitive krahasuar me vitin e kaluar sikur në fushën e të hyrave që tani për tani po mbledhim 14% më shumë sesa viti i kaluar, kjo kur kemi parasysh se viti i kaluar ka qenë jashtëzakonisht pozitiv në trendet në krahasim me vitet paraprake. Gjithashtu, e kemi njoftuar kryeministrin edhe për rezultatet që kemi në mbrojtjen e shoqërisë dhe përpjekjet e përbashkëta me institucionet tjera të zbatimit të ligjit”, theksoi Llugaliu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat