Bytyçi “godet” Abazoviqin: manipulator i paskrupullt, ditën e bën terr për t’i zbutur krimet e Millosheviqit

Aktuale

Bytyçi “godet” Abazoviqin: manipulator i paskrupullt, ditën e bën terr për t’i zbutur krimet e Millosheviqit

Nga: A.ZH Më: 12 gusht 2022 Në ora: 15:14
Vizita e Dritan Abazoviqit në Dubrovnik

Profesori universitar dhe analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, i ka reaguar kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili gjatë një vizite në Dubrovnik nuk ka përmendur se si ky qytet ishte bombarduar nga ushtria e Sllobodan Millosheviqit.

Ai e ka quajtur Abazoviqin manipulator të paskrupullt, që sipas tij, ditën e bën terr, përcjell Bota sot.

Sipas Bytyçit, Abazoviq ka marrë përsipër të zbusë krimet e Milosheviqit dhe aleatit të tij në Beograd, Aleksandar Vuçiq, dhe të adresojë historinë sipas interesave të tij politike në shërbim të Beogradit, Sorosit dhe linjave anti-malazeze në rajon.

Reagimi i Bytyçit në Facebook:

A di gjë njeri, çfarë roli ka Dritan Abazoviq?

Po shoh se kryeministri i Malit të Zi, Abazoviq, paska shkuar edhe në Dubrovnik dhe thoshte se i kujtohet kur ai ishte fëmijë se si ky qytet ishte bombarduar nga territori i Malit të Zi! Por nuk e sqaronte se ishte ushtria e Milosheviqit ajo që kreu asokohe aktin e turpshëm të bombardimit të qytetit historik të Raguzës (Dubrovnikut)! Linte të kuptonte se përgjegjës për këtë na qenkan kundërshtarët e tij politikë të sotëm në Mal të Zi!

Njoh shumë manipulatorë politikë të paskrupullt, por si ky Dritani, që bën dritën terr, nuk kam njohur! Kur u bombardua Dubrovniku Mali i Zi ishte nën sundimin e Serbisë së Milosheviqit. Ushtria e kasapit të Ballkanit ishte stacionuar edhe në këtë republikë formale. Kryeministër në Podgoricë ishte Bullatoviçi, një bashkëpunëtor i ngushtë i Sllobos. Megjithatë Abazoviq hedh shigjetat te Milo Gjukanoviq, i cili pavarësoi Malin e Zi dhe e zbriti vendin e tij nga treni i vdekjes së Serbisë!

Jo vetëm e pavarësoi vendin e tij, por presidenti Gjukanoviq e integroi atë në NATO dhe e çoi në portën e fundit të Brukselit. Ndërkaq ky Abazoviqi vetëm retorikë e ka integrimin euro-atlantik. Në fakt ai po punon në kahje të kundërt, për integrimin e vendit të tij me Serbinë!

Mesa duket intriganti Dritan Abazoviq ka marrë përsipër të zbusë krimet e Milosheviqit dhe aleatit të tij në Beograd, Aleksandar Vuçiq, dhe të adresojë historinë sipas interesave të tij politike në shërbim të Beogradit, Sorosit dhe linjave anti-malazeze në rajon. Për pasojë ai shfaqet edhe si një anti-shqiptar fanatik në qëndrimet e tij pro-serbe!

Prandaj më bën përshtypje performanca e tij populiste, manipuluese dhe shpifëse! Shkon përtej performancës së tillë që çdo ditë na shfaq Edi Rama!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat