Goditje dhe ankth për Serbinë / Organizata terroriste serbe kërcënon me mosbindje

Aktuale

Goditje dhe ankth për Serbinë / Organizata terroriste serbe kërcënon me mosbindje

Nga: Idriz Morina Më: 12 gusht 2022 Në ora: 18:04
Aeroplanët F35, mbretërit e qiellit

Serbia po kërcënon me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, jashtë marrëveshjeve të Brukselit.

Derisa Qeveria e Kosovës, Presidenca kërkojnë që asociacioni të jetë thjeshtë një organizatë civile, pa kompetenca ekzekutive, e assesi me kompetenca jashtë Kushtetutës, Serbia, ka filluar edhe një strategji të re të ushtrimit të presionit, ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Kosovës, duke paralajmëruar krijimin e një organizimi të pavarur serb, që gjithsesi nënkupton kompetenca ekzekutive, dhe madje edhe legjislative, pra të një lloj asambleje, ashtu siç ka kërkuar në Bruksel nga ata.

Kjo mënyrë e politikbërjes serbe është shumë e njohur për shqiptarët, të përballur me destruktivitetin serb tash e 150 vjet!

Por, diplomacia perëndimore, veçanërisht një pjesë e asaj europiane ende po hesht dhe nuk është e gatshme të reagojë!

Provokime dhe mashtrime serbe

Deklarata e fundit e ndërmjetësuesit amerikan Gabriel Eskobar, duket se ka tronditur Serbinë dhe politikën e saj ndaj Kosovës, pasi ai e bëri të qartë, se nuk do të lejohet një asociacion kundër Kushtetutës së Kosovës, shtet brenda shtetit etj.

Kjo goditje si duket i ka vënë në ankth pushtetarët në Serbi dhe satelitët e tyre në Kosovë, përfshirë disa shqiptarë, të cilët po mundohen me çdo kusht që Kosova të shkojë drejt një zgjidhje negative apo siç ata e dëshironin me Serbinë.

Në këtë frymë, të frikës se serbët më në fund do të marrin atë që meritojnë në bisedime, pra asgjë më shumë se sa që kanë arritur, po kërcënojnë, me një organizim, që buron nga ideja e padëgjueshmërisë qytetare.

“Ajo që po dëgjohet tani nga disa përfaqësues ndërkombëtarë është një përpjekje për të pakësuar rëndësinë e Asociacionit, pavarësisht marrëveshjes që tashmë është arritur. Populli serb nuk do të pajtohet me këtë, ashtu siç nuk do të pajtohet me një vonesë të pafund. Në këtë kuptim, ne nuk i shmangemi mundësisë për ta formuar vetë Asociacionin, duke respektuar marrëveshjen ndërkombëtare që parashikonte ekzistencën e tij”, ka thënë kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, i cili vepron plotësisht në urdhrat e Serbisë, pasi ajo ushtron kontroll jo vetëm nëpërmjet tij tek serbët, por edhe nëpërmjet bandave kriminale, që udhëhiqen si nga të kërkuarit nga drejtësia Millan Radojçiq, Zvonko Veselinoviç etj.

Image
Barrikadat në veri

Provokimi ndaj SHBA-ve

Ndërsa, një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është munduar ta fyejë, të dërguarin e SHBA-ve Gabriel Escobarin, i cili hapur ka folur se çfarë kompetencash apo të drejtash mund të gëzojnë serbët, si në trashëgimi dhe në gjuhë.

“Po bëni shaka”, ka thënë Vuçiqi duke iu drejtuar Eskobarit.

Serbia pra, e ka shpalosur edhe njëherë agjendën e saj, se nuk ju intereson fare realiteti i krijuar. Në emër të mosnjohjes së Kosovës, kësaj paradigme serbe, synon të arrijë qëllime maksimaliste, duke shpresuar në ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve, në gjeopolitikë, pastaj ta ripushtojë Kosovën.

Por, deri më tani ngjarjet rrodhën kundër fatit të Serbisë, apo më saktë për herë të parë në dobi të të gjithë shqiptarëve në rajon, pasi Rusia po luftohet me të gjitha mjetet në Ukrainë, përpos me luftë të drejtpërdrejtë, për shkak të shkeljes së ligjit ndërkombëtar dhe gjenocidit që po e kryen atje.

Ashtu siç bënte Serbia në Kosovë dhe në luftërat tjera në Ballkan.

Më 18 gusht pritet të takohen në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti me presidentin autokrat të Serbisë, Vuçiq.

Kurti tha të premten se ai është i gatshëm plotësisht për marrëveshje që çon në njohjen e ndërsjellë, dhe e cila do të jetë e detyrueshme për palët, por sipas tij, Serbia është ajo që nuk po tregon vullnet.

“Kam gatishmëri dhe interesim që dialogu në Bruksel bisedimet aty përveç se të jenë parimore dhe përmbajtjesore në të njëjtën kohë të mos jetë dialog për dialog, por dialog për marrëveshje ligjërisht e obligueshme, për normalizim të plotë me njohje reciproke me qeveri. Por, ju duhet ta kuptoni që marrëveshja bëhet me palën tjetër dhe në këtë rast varet nga pala tjetër a do të ketë marrëveshje, ndërsa sa më përket mua gatishmëria dhe interesimi janë të padiskutueshme dhe të palëkundshme”, ka thënë Kurti.

Vuçiqi fyen Kosovën

Ndërsa, presidenti i Serbisë ka vazhduar me fyerjet ndaj Kosovës, duke e quajtur kryeministrin Kurti, ‘Zelenski i vogël’!

“Kurti dëshiron të jetë një ‘Zelenski i vogël’ që lufton ‘Putinin e vogël”, ka thënë Vuçiq, duke dëshmuar edhe njëherë se Serbia, dhe ai nuk janë të interesuar për një marrëveshje paqësore me Kosovën.

Ndërsa, një ditë më parë shpalosi planin serb, sipas të cilës propagandë, Kosova do të vrasë serbë në veri, duke lënë të nënkuptohet, se nëse ndodhë kjo, Serbia do të jetë e detyruar për ndërhyrje.

Serbia, program në të cilin ka marrë pjesë edhe vetë Vuçiqi ka kryer gjenocid në Kosovë, duke kryer më shumë se 400 masakra vetëm në luftën e fundit! Duke shkaktuar dëm kolosal, material, psikologjik, të trashëgimisë kulturore, intelektual etj.

Por, para se të mund të ngjajë një skenar i atillë, kryeministri Kurti do të takohet me z.Stoltenberg, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, më 17 gusht në selinë e NATO-s. Po ashtu një takim ndaras, do ta ketë Sekretari i Aleancës edhe me presidentin e Serbisë.

Sekretari i NATO-s, Stoltenberg ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë në një bisedë telefonike pas krizës së shkaktuar me 31 korrik në veri të Kosovës, se Aleanca është e gatshme të ndërhyjë, kështu që duhet të përmbahet Serbia!

Edhe sipas ekspertëve perëndimor, Serbia, luan në shtratin e diplomacisë së përcaktuar nga Rusia.

Paul Stronski, hulumtues i lartë në Programin për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Carnegie, me seli në Uashington, thotë se janë tri elemente kyçe përmes së cilave Rusia e shtrin ndikimin në Ballkan, “ndikimi ekonomik, dezinformimi dhe aftësia për të përfituar nga skemat e korruptuara”.

Që të tre këta faktorë Serbia i zbaton edhe në Kosovë. Për shumë vite politikanët e korruptuar dhe të komprometuar të Kosovës të niveleve më të larta, janë përdorur nga Serbia për qëllime të tyre, në të gjitha bisedimet, në Vjenë, dhe veçanërisht në Bruksel.

Image
Aeroplanët F 35

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat