Begaj vazhdon takimet, pritet nga kryeministri Kurti

Aktuale

Begaj vazhdon takimet, pritet nga kryeministri Kurti

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 13:30 më 15.08.2022
Foto nga vendi i ngjarjes

Begaj në qeveri, pritet nga Kurti

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është pritur me ceremoni nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e parë të tij që prejse mori mandatin.

Begaj erdhi në Kosovë me ftesë të homologes, Vjosa Osmani dhe do të qëndrojë dy ditë.

Presidenti i ri shqiptar fillimisht është pritur presidentja Osmani me ceremoni të lartë shtetërore.

Më pas president Begaj është takuar edhe me kryparlamentarin Glauk Konjufca.

Begaj: Shqipëria në KS të OKB-së do jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka thënë se Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës. Ai gjithashtu ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e ndritur e historisë së shqiptarëve dhe asnjë raport i trilluar nuk do të arrijë të zbeh diçka të tillë.

“Së bashku fituam luftën, bashkë duhet të luftojmë për të ruajtur paqen. UÇK përbën faqe të ndritur të historisë sonë të përbashkët që e bënë krenar çdo shqiptar. Asnjë raport i trilluar nuk do të arrijë kurrë të zbeh këtë trashëgimi të lavdishme.

Ai ka thënë se hapja e negociatave të Shqipërisë është arritje e shumëpritur dhe sipas tij lajm i mirë edhe për Kosovën dhe rajonin.

“Liberalizmi i vizave për Kosovën është premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë, për të cilën sigurova presidenten që Shqipëria do të vijojë me mbështetjen e saj. Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjithë organizmat ndërkombëtar. Gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës, për të promovuar shtetin e pavarur të Kosovës. Mbështes plotësisht të drejtën e saj legjitime për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen sundimit të ligjit në veri të vendit. Realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm”, ka thënë Begaj.

Kryeparlamentari Konjufca takon presidentin Begaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka filluar takimin me presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj.

Ky i fundit po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë dhe kjo është e para për Begajn jashtë Shqipërisë prej kur e ka marrë postin e kreut të shtetit.

Me ftesë të presidentes Osmani, Begaj do të qëndrojë në Kosovë dy ditë, ku do të takojë edhe kryeministrin Albin Kurti.

Presidenti i Shqipërisë do të takojë edhe krerët e partive opozitare në Kosovë, si dhe do të bëjë homazhe të varrezat e familjes Jashari dhe të varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Begaj do të ketë takim edhe me komandantin e KFOR-it, trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të KFOR-it në Pejë, si dhe kryetarin e Prizrenit Shaqir Totaj./

Osmani e falënderon Begajn, kërkon ndërhyrjen e BE-së pas situatës në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj për mbështetjen që ai personalisht dhe Shqipëria ia ka dhënë Kosovës.

Në konferencë të përbashkët për medie, Osmani ka folur edhe për situatën në rajon.

Ajo e ka akuzuar Beogradin që e ndikuar nga Rusia dëshiron destabilizimin e rajonit.

Osmani ka propozuar që mes Kosovës dhe Shqipërisë të ketë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë në rast se cenohet siguria e dy shteteve

Ju uroj për detyrën e rëndësishme që keni marrë dhe ju falënderoj që po e vazhdoni traditën e presidentëve të Shqipërisë, të cilët e nisin mandatin e tyre dhe vizitat e tyre zyrtare me vizitë në Kosovë. Ju nuk po e bëni vetëm një vizitë zyrtare në një shtet, por po i vizitoni njëkohësisht vëllezërit dhe motrat tuaja, të cilët ndihen të nderuar nga kjo vizitë”.

Dua të uroj sërish Shqipërinë për të arriturat e rëndësishme në rrugën drejt integrimit evropian, pas fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të gjithë ne në Kosovë, i gëzohemi të arriturave të Shqipërisë dhe poashtu llogarisim në mbështetjen tuaj, përderisa Kosova ecën në po të njëjtin hapa në proceset integruese. Shqipëria  i ka dhënë mbështetje të pa rezervë Kosovës në të gjitha periudhat, ndërkohë që keni qenë zëri ynë aty ku ne nuk jemi të përfaqësuar. Gjatë udhëheqjes suaj llogarisim në ju dhe llogarisim që Shqipëria edhe më tej të jetë zëri ynë aty ku i jepet mundësia”.

“Shpresoj që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm në raport me veprimet destabilizuese të Serbisë. Sa i përket bashkëpunimit tonë dy palësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është më rëndësi që me Shqipërinë të kemi një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite që e kam bërë një propozim të tillë që është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete, ndaj mendoj që është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”.

Begaj: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave premtim i vonuar

Presidenti shqiptar Bajram Begaj, tha se Shqipëria do ta mbështes Kosovën për anëtarësimin në NATO dhe të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar.

Jam shumë i lumtur për ftesën tuaj. Vij në shtëpi. Në shtëpinë e shqiptarisë. Aty ku shtëpia është e zotit dhe e mikut. Dy dialekte dhe një gjuhë. Dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë patriotike për rrugën drejt Brukselit. Së bashku fituam luftën dhe bashkë do të luftojmë për të ruajtur paqen”.

Kjo është motoja në çdo kulm kulle dhe çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Dardani. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijim e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë dhe identitet kombëtar nuk do arrijë të zbehë përpjekjen. Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Begaj.

“UÇK faqe e ndritur që bën krenar çdo shqiptar. Hapja e negociatave me BE për Shqipërinë një hap shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar. Unë sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Presidenti Begaj pritet nga Osmani me ceremoni shtetërore

Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj së bashku me një delegacion shoqërues të presidencës po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, me rastin e fillimit të mandatit të tij.

Presidentja Osmani e ka pritur presidentin Begaj me ceremoni të lartë shtetërore.

Pas ceremonisë së pritjes, presidentja Osmani zhvillon takim me presidentin e Begaj, si dhe në fund të takimit do të kenë deklaratë të përbashkët për media.

Më pas president Begaj do të takohet edhe me kryparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Presidenti Begaj sot nis vizitën dyditore në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj do të zhvillojë më 15-16 gusht një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Vizita e parë e presidentit Begaj pas marrjes së detyrës, bëhet me ftesë të homologes së tij, Vjosa Osmani.

Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar do të takohet me krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës, krerët e partive opozitare, si dhe do të bëjë homazhe te varrezat e familjes Jashari, varri i ish-presidentit Ibrahim Rugovës, si dhe do të bëjë nderime para Memorialit për Personat e Zhdukur.

Begaj do të ketë takim edhe me komandantin e KFOR-it, trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të KFOR-it në Pejë, takim me kryetarin e Prizrenit Shaqir Totaj, si dhe do të vizitojë Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat