Kurti për Financial Times: Nëse Perëndimi e lejon lojën e Serbisë, tensioni do të vazhdojë

Aktuale

Kurti për Financial Times: Nëse Perëndimi e lejon lojën e Serbisë, tensioni do të vazhdojë

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 12:59
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për gazetën e njohur britanike, Financial Times, duke parlajmëruar sërish rrezikun e një konflikti të mundshëm në Ballkan.

Kurti tha se “ne kemi nevojë për ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë – Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të tjerëve – për të na ndihmuar me mosnjohësit”.

BE-ja tha të dielën se “të dyja palët duhet t’i japin fund menjëherë armiqësive të ndërsjella dhe deklaratave të rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi” përpara takimit Kurti – Vuçiq këtë javë.

Kurti, i cili foli me FT përpara se BE-ja të bënte thirrje për t’i dhënë fund përdorimit të retorikës nxitëse, është planifikuar të takohet me Vuçiqin të enjten.

Duke i bërë thirrje Serbisë që të lërë mënjanë nacionalizmin, Kurti tha: “Këtu, mendoj se është problemi me Beogradin. Ata thjesht vazhdojnë me ëndrrat e vjetra, të cilat bëhen makthe për fqinjët e Serbisë, por edhe për popullin serb”.

Një “simetri e të drejtave të pakicave” – të njëjtat të drejta për serbët në Kosovë dhe kosovarët në Serbi – do ta luftonte më së miri nacionalizmin, shtoi ai.

Kurti tha se pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në shkurt kishte nxjerrë në pah aleancat konfliktuale në Ballkan.

Kurti tha se ekzistonte një rrezik i qartë i përfshirjes së Rusisë në marrëdhëniet Kosovë – Serbi, duke i rritur shanset për konflikt.

“Ne jemi të shqetësuar, por jo të frikësuar”, tha ai. “Si do të zhvillohet situata do të varet shumë nga qëndrimi dhe presioni i demokracive perëndimore ndaj Beogradit”.

Petar Petkoviq, zyrtari më i lartë i qeverisë serbe për çështjet e Kosovës, tha në një përgjigje me shkrim për FT se Beogradi po ndiqte një “politikë të pavarur kombëtare dhe të sigurisë, duke bashkëpunuar në mënyrë të balancuar si me lindjen ashtu edhe me perëndimin”.

Qëllimi përfundimtar i Beogradit ishte anëtarësimi në BE, tha ai, por shtoi se Kosova dhe Kurti po shtyjnë një agjendë nën “pretekstin” e luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Kurti tha: “Ajo që dëshiron Serbia është t’i marrë fondet e BE-së, armët ruse, investimet kineze dhe tolerancën amerikane. Nëse demokracitë perëndimore nuk e lejojnë këtë, një zgjidhje do të jetë shumë e lehtë për t’u arritur. Por nëse [serbët] lejohen ta luajnë këtë lojë, ky tension do të vazhdojë”.

Duke iu referuar ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviq, i cili udhëhoqi forcat serbe në një seri luftërash brutale pas rënies së ish-Jugosllavisë në vitet 1990, Kurti tha se që të arrihet përparim, “është shumë e rëndësishme që [serbët] ta emancipojnë veten e tyre nga Millosheviqi dhe nga [presidenti rus Vladimir] Putin”.

Nacionalizmi serb dhe interesat ruse shkuan krah për krah, shtoi ai. “Është e njëjta gjë”, tha ai, duke argumentuar se zbërthimi i njërës do ta dobësonte tjetrën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat