Osmani paralajmëron traktat për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë

Aktuale

Osmani paralajmëron traktat për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 13:34
Vjosa Osmani

Një traktat për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë, cili do të mundësonte reagim në rast të cenimit të shteteve, është përmendur në takimin në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe homologut të saj Bajram Begaj.

Osmani ka thënë se është koha që të ndërmerren hapa të duhur në këtë drejtim sa i përket bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pasi e priti me nderimet më të larta shtetërore, Osmani kërkoi nga presidenti i Shqipërisë mbështetje të vazhdueshme në proceset integruese të Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova llogaritë në përvojën e Shqipërisë në rrugën e saj drejt aplikimit për statusin e vendit kandidat në bashkimin Evropian, për çka ka theksuar se do të ndodh deri në fund të këtij viti.

Osmani ka thënë se fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin dhe ka theksuar se synim i Kosovës mbetët anëtarësimi në këtë aleancë.

Osmani: Mes Kosovës dhe Shqipërisë të ketë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë

“Sa i përket bashkëpunimit tonë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është me rëndësi që mes Shqipërisë, siç e diskutuam, të kemi edhe një traktat për mbrojte të ndërsjellë me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite qe e kam bërë një propozim të tillë, i cili është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete përfshirë nga aleatët tanë strategjik ndaj mendoj që është koha të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, ka thënë Osmani.

Osmani ka përmendur edhe situatën e krijuar pas 31 korrikut në veri të Kosovës për çka ka thënë se institucionet vazhdojnë të jenë të koordinim të plotë më partnerët ndërkombëtar dhe po bëjnë përgatitjet për zbatimin e vendimeve.

Osmani: BE të jetë më e zëshme karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në rajon

“Ne presim që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit, tendenca këto që janë të nxitura dhe i shërbejnë interesave të Rusisë. Nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia është agresori dhe ajo po përdorë retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën, duke cenuar paqen dhe stabilitetin. Presim që sinjale të qarta nga BE të jepen në raport me Serbinë, e cila duhet njëherë e përgjithmonë të ndalojë këto veprime që cenojnë sigurinë në rajon”, ka thënë Osmani.

Në konferencën e përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Osmani ka thënë se pret që Shqipëria të jetë zëri i Kosovës aty ku i jepet mundësia.

Osmani: Llogarisim në mbështetjen e Shqipërisë drejt hapave në proceset integruese

“Llogarisim në mbështetjen tuaj, përderisa Kosova ecë në po të njëjtit hapa në proceset integruese. Shqipëria i ka dhënë mbështetje të pa rezervë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat, ndërkohë keni qenë zëri ynë aty ku ne nuk jemi të përfaqësuar. Gjatë udhëheqjes suaj, llogarisim në ju, llogarisim që Shqipëria edhe më tej të jetë zëri ynë aty ku i jepet mundësia”, ka shtuar Osmani.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se e mbështesin Kosovën në shtrirjen e sovranitetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, si dhe drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe në çështjen e dialogut me Serbinë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke.

Begaj: Në OKB Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si gjithë qytetarët e tjerë të rajonit për të cilën unë e sigurova presidenten Osmani se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv sa më shpejtë të jetë e mundur. Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO mbetet një garant i paqes në rajon dhe aleat strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë. Ne mbështetshim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtar dhe vlerësojmë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishte vendim i duhur. E sigurova presidenten Osmani se gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit dhe si anëtare e OKB-së, Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës, përforcuese e zërit të saj në promovimin e shtetit të pavarur të Kosovës, pa kthyeshmërinë e këtij fakti, njohjet e reja dhe rrugëtimin e saj euroatlantik”, ka thënë Begaj.

Presidenti Begaj ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë bashkë për të ruajtur paqen, ndërsa ka theksuar se UÇK mbetet një pjesë të ndritur të historisë dhe një gjë të tillë nuk do të mund të ndryshojnë raportet e trilluara kundër saj.

Begaj: UÇK pjesë e ndritur e historisë

“UÇK përbën një faqe të ndritur të historisë sonë të përbashkët që bën krenar çdo shqiptar. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar, nuk do të arrijë kurrë të zbehë këtë trashëgimi të lavdishme. Ndamë sot të njëjtin qëndrim me presidenten Osmani, se Kosova dhe Shqipëria jo vetëm gëzojnë këtë lidhje vëllazërore e strategjike, por edhe të njëjtin vizion dhe aspirata, të ardhmen në BE dhe NATO”, ka thënë presidenti i Shqipërisë.

Kjo është vizita e parë zyrtare jashtë vendit për presidentin e Shqipërisë që prej marrjes e detyrës në krye të shtetit dy javë më parë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat