​PDK fajëson Qeverinë Kurti për dështim në menaxhimin e krizës me energji elektrike

Aktuale

​PDK fajëson Qeverinë Kurti për dështim në menaxhimin e krizës me energji elektrike

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 14:08
Bernard Nikaj

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti pas fillimit të aplikimit të reduktimeve me energji elektrike, duke thënë se e gjithë kjo vjen si pasojë e mungesës së ideve dhe planeve për zgjidhjen e problemit me krizën energjetike.

Sekretari për marrëdhënie ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, në një konferencë për media tha se paaftësia e Qeverisë për menaxhim të krizës energjetike ka ndikuar që nga sot qytetarët të përballen me reduktime të energjisë.

Ai tha se reduktimet 6 orë me rrymë dhe 2 pa rrymë në mes të gushtit është dështim i plotë i kryeministrit Albin Kurti.

Në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, sikurse Qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit, i cili po ndodh tash kur nuk është dashur as të paramendohej. Ne mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”, tha ai.

Sipas Nikajt, terri me të cilin po shërbehen qytetarët e Kosovës sot, është produkt i një dështimi sistematik e kardinal disa mujor të menaxhimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë, përkundër që secili qytetar i Kosovës po cenohet nga përditshmëria e tij për shkak të reduktimeve.

KEK është po e njëjta korporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrin të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që më 15 gusht 2022, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Përgjegjës për situatën është Qeveria e Kosovës, e cila me qasjen pa plan dhe pa ide për menaxhimin e sektorit energjetik, e ka prurë punën që ta ringjallë nga harresa kolektive ‘doktrinën’ e reduktimit të energjisë elektrike”, theksoi Nikaj.

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të pafalshme që qytetarët e Kosovës të mësojnë në mbrëmje se të nesërmen nuk do të ketë energji elektrike dhe që në kushtet optimale të prodhimit të energjisë elektrike të ketë reduktime.

Edhe vjeshtën e vitit të kaluar, në vazhdimësi kemi paralajmëruar për sfidat e furnizimit me energji gjatë dimrit. Këto paralajmërime ranë në veshë të shurdhër të qeverisë aktuale e cila nuk ndërmori asgjë, por thjesht e injoroi situatën. Edhe këtë vit, ka më shumë se dy muaj që kemi paralajmëruar thellimin e krizës energjetike, por përsëri Qeveria s’ka bërë asgjë, përveç se ka filluar ta konfirmoj atë që e kemi thënë më herët – se ky dimër do të jetë edhe më i rëndë se dimri i kaluar. Edhe sot na duhet ta theksojmë se dimri po vjen dhe nëse vera po përmbyllet me terr, atëherë dimri do të na gjejë me terr, por edhe pa ngrohje dhe me çmime të larta. Dhe fajin për këtë krizë e ka vetëm Qeveria”, tha Nikaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat