E thotë ish-drejtoresha e KEK-ut: Ky gabim na futi në krizë energjetike

Aktuale

E thotë ish-drejtoresha e KEK-ut: Ky gabim na futi në krizë energjetike

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 18:05
Pranvera Dobruna-Kryeziu

Pranvera Dobruna-Kryeziu, ish-drejtoreshë e Korporatës Energjetike të Kosovës thotë se nuk po e kupton se si po funksionon sektori energjetik në Kosovë.

Ajo tha në Frontal të T7 se “institucionet po i menaxhojnë krizat, nuk po i menaxhojnë sektorët”. Ajo tha se një gabim në kohën kur u shtrenjtua rryma u bë dhe “prandaj e kemi këtë krizë”.

“Vetë përcaktimi i tarifave duke u bazuar në zotimet për subvencione ka qenë i gabuar. Ato subvencione nuk iu kanë dhënë operatorëve. Prandaj e kemi këtë krizë”, tha ajo.

Dobruna-Kryziu thotë se Kosova ka rrymë të deponuar në Shqipëri por ajo energji elektrike “është e përkohshme”.

“Ne të gjithë e dimë se KEK-u gjatë natës ka teprica dhe ato i deponon në Shqipëri. Dhe është normale që ato teprica tash mundet me i përdor në qoftë se blloku B2 është jashtë funksionit. Por nuk duhet me e sjellë situatën deri në situatën kur bëhet krizë, gjendje e jashtëzakonshme, mandej me reagu. Duhet reaguar me kohë. Mungon reagimi me kohë. Ne vetëm po i menaxhojmë krizat”, tha ajo.

Pavarësisht nga zgjidhja aktuale e këtij problemi, ish-drejtoresha e KEK-ut thotë se “prapë kemi me pasë nevojë për reduktime”, dhe se shpejt “do të ketë sërish reagime”.

“Ne jemi vonë për faktin se nuk është bërë asgjë. Nuk është siguru energji me kohë dhe nuk ka pasur programe për zvogëlimin e konsumit”, tha ajo ndër tjerash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat