Osmani e ‘zuri’ ngushtë Begajn me këtë kërkesë, presidenti mbeti i habitur!

Aktuale

Osmani e ‘zuri’ ngushtë Begajn me këtë kërkesë, presidenti mbeti i habitur!

Nga: A.M. Më: 15 gusht 2022 Në ora: 19:57
Vjosa Osmani dhe Bajram Begaj

Një traktat për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë, cili do të mundësonte reagim në rast të cenimit të shteteve, është përmendur në takimin në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe homologut të saj Bajram Begaj.

Osmani ka thënë se është koha që të ndërmerren hapa të duhur në këtë drejtim sa i përket bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pas kësaj kërkese të Presidentes së Kosovës, ka reaguar profesori universitar, Enver Bytyçi.

Sipas tij, Osmani e ‘zuri’ ngushtë presidentin Begaj, sa që mbeti i habitur nga kërkesa për Traktat Bashkëpunimi Ushtarak.

“Njerëzit e Padishahut i kishin thënë presidentit se nuk duhej të premtonte asgjë, sepse "nervozohet Europa"! "Na zemërohet NATO"! Se një traktat i tillë ishte "thirrje për luftë"! Se "ne do të dëshmonim se jemi luftënxitës"! Çfarë nuk i përshpëritën në vesh presidentit para se të nisej për në Prishtinë, me qëllim që t'ia thyejnë veshin e mendjen bashkë për të mos e dëgjuar dhe mirëmenduar kërkesën e zonjës presidente. Telefonata pa fund. Edhe gjatë rrugës edhe pasi mbërriti atje. I kërciste telefoni gjithashtu gjatë ceremonive pritëse e bisedimeve”, tha Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

- Zoti president, edhe njëherë, mirë se erdhe në atdheun tuaj, në Kosovë!, - E uroi mikpritësja dhe homologia e vet në karrigen përballë. Ishin vetëm ata të dy. Të tjerët bashkë me mediet dolën jashtë, sepse takimi do të vazhdonte tet a tet.

Por presidenti u gjend i befasuar. Nuk e kishte menduar përgjigjen. Çfarë të thoshte? Se ishte në atdheun e tij, apo si? Ndaj u mjaftua me një fjalë të vetme: - Faleminderit. Ndërkaq mikpritsja e vazhdoi bisedën:

- Ky atdheu yt dhe imi, zoti president, rrezikohet çdo ditë nga Serbia dhe presidenti i saj. Ne jemi një vend i vogël dhe shtet i ri, me vetëm rreth 15 vite shtetësi. E Shqipëria është atdheu ynë amë. Ajo është shtet prej 110 vitesh. Ka ushtri e përvojë, ka qëndrueshmëri. Prandaj ne mëndojmë se duhet të bëjmë diçka së bashku për ta përballuar rrezikun serb.

Presidenti u vu në mendime dhe i vinte si në mjergull porosia e Padishahut! Kujdes! Presidentja mund të të provokojë. Prandaj përgatitu dhe mati fjalët në përgjigjet që do t'i japësh. E kapërdiu pështymën gati të tharë në grykë e tha:

- Ne këtu jemi. Ne e mbështesim kërkesën tuaj për t'u pranuar në NATO. Dhe për çdo gjë jemi të gatshëm të bisedojmë. Por nuk shohim se Kosova rrezikohet nga dikush! - Ishte kjo përgjigje standarde e rekomanduar dhe e kuruar që në Tiranë. Atje dikush kishte informuar se presidentja e Kosovës mund të kërkojë nënshkrimin e një Traktati për Mbrojtje të Përbashkët të Shqipërisë dhe të Kosovës! Po kundër kujt do të luftonin në këtë rast ato të dyja? Kundër Serbisë! Nuk ka asnjë vend tjetër që e kërcënon Ksovën, veç Serbisë!

Ndërsa për Padishahun Serbia ishte dhe mbetet faktor stabiliteti, paqeje, bashkëpunimi, integrimi, e ripushtimi për hapësirën shqiptare në Ballkan! Ajo është "mike" e çmuar e Shqipërisë! Na sjell turistë e turiste të bukura! Nuk ka kuptim të bëhet një aleancë ushtarake midis të dy vendeve kundër këtij shteti që me zogjkat e tij na zbukuron bregdetin!

Megjithatë presidentja u detyrua ta shtrojë drejtpërdrejt kërkesën e saj: - Ne duam një Traktat Bashkëpunimi Ushtarak me Shqipërinë, me qëllim që të veprojmë të dy shtetet së bashku nëse njëri prej tyre sulmohet nga një vend i tretë - Pasoi heshtja! E më pas përgjigja e thatë e pa kuptim:

- Ju thashë se ne jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka me ju! Ne ju ,bështesim të jeni anëtarë të NATO-s! Eshtë një temë, e cila përfshin të gjitha pushtetet, ekzekutivin dhe legjislativin. Prandaj dhe duhet pjekur.

Njerëzit e Padishahut i kishin thënë presidentit se nuk duhej të premtonte asgjë, sepse "nervozohet Europa"! "Na zemërohet NATO"! Se një traktat i tillë ishte "thirrje për luftë"! Se "ne do të dëshmonim se jemi luftënxitës"! Çfarë nuk i përshpëritën në vesh presidentit para se të nisej për në Prishtinë, me qëllim që t'ia thyejnë veshin e mendjen bashkë për të mos e dëgjuar dhe mirëmenduar kërkesën e zonjës presidente. Telefonata pa fund. Edhe gjatë rrugës edhe pasi mbërriti atje. I kërciste telefoni gjithashtu gjatë ceremonive pritëse e bisedimeve!

Dhe kur presidentja këmbnguli në takimin tet a tet, se cili ishte mendimi personal i homologut të saj, ai u përgigj me shumë sinqeritet: - Nuk kam asnjë mendim!

Dhe me kaq u mbyll vizita e presidentit në Kosovë. Të tjerat janë "më rrove, të rruajta, brisku i berberit", më falni, i Padishahut!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat