Abdixhiku s’pranoi të shkonte në Kuvend për Begajn, por Gjukanoviqit i kishte shkuar në hotel

Aktuale

Abdixhiku s’pranoi të shkonte në Kuvend për Begajn, por Gjukanoviqit i kishte shkuar në hotel

Më: 16 gusht 2022 Në ora: 12:51
Abdizhiku dhe Gjukanoviq, 19 maj, 2022

LDK-ja është indinjuar që presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nuk shkoi në zyrat e kësaj partie për ta takuar Lumir Abdixhikun. Ky i fundit para 3 muajsh s’e pati problem të dalë jashtë zyrave të partisë për ta takuar presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po e zhvillon vizitën e parë zyrtare në Kosovë. Ai në Prishtinë u takua me krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike opozitare, me përjashtim të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut.

Begaj i takoi krerët e opozitës veç e veç në Kuvendin e Kosovës. Nga LDK thënë jozyrtarisht se presidenti shqiptar ka kërkuar të takohen në ambiente të tjera, gjë të cilën s’e ka pranuar partia më e vjetër në vend.

Por para 3 muajsh, në maj, Abdixhiku kishte shkuar në një hotel në Prishtinë për ta takuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Atëherë ai nuk qëndroi në zyrat e partisë duke pritur që aty t’i shkonte presidenti malazez.

“Sot, me bashkëpunëtorë, takuam Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Biseduam për të ardhmen e dy shteteve tona dhe perspektivën euro-atlantike që Kosova dhe Mali i zi si shtete fqinje kanë”, thoshte Abdixhiku, duke e vlerësuar Malin e Zi si partner të rëndësishëm rajonal për Kosovën.

Për mostakimin me Begajn, në LDK thanë se iu vjen keq dhe se “nuk e kuptojmë refuzimin” e presidentit shqiptar për të shkuar në zyrat e partisë, duke e shprehur habinë “për një qasje të pazakontë”.

LDK-ja u indinjua që Begaj nuk veproi si presidentët e kryeministrat paraprakë të Shqipërisë, të cilët gjatë vizitave në Kosovë, liderëve opozitarë u shkonin për takime nëpër parti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat