KUINT-i mbështetë për ‘muri’ serbët - Diplomacia serbe është çjerrur / Opozitarë që kërkojnë t’ju dalë në ‘ndihmë’

Aktuale

KUINT-i mbështetë për ‘muri’ serbët - Diplomacia serbe është çjerrur / Opozitarë që kërkojnë t’ju dalë në ‘ndihmë’

Nga: Idriz Morina Më: 16 gusht 2022 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Perëndimi gjithnjë e më shumë ka filluar të kuptojë paradigmat apo të vërtetat e shqiptarëve të thëna historikisht për serbët.

Derisa në të kaluarën, si duket e kanë pasur më problem t’i kuptojnë ato mesazhe, pasi shoqëroheshin nga mesazhe të kundërta të diplomacisë serbe, që herë rezultonin si zhurma, dhe shpeshherë merreshin seriozisht, si të sakta.

Gjatë diplomacisë së shtetit paralel Presidenti Ibrahim Rugova dhe të gjithë angazhuarit politik e diplomatik të atdhetarëve shqiptarë në botë, arritën që t’i përmbysnin kauzat e rrejshme serbe.

Superimazhi i copëtuar

Por, pas luftës sjelljet e vazhdueshme arbitrare, të pahijshme, në shkelje të ligjit dhe të tjera, filluan përmbysjen e imazhit të shqiptarëve dhe duke Serbia arrinte ta rindërtonte imazhin e rrënuar, me ndihmën e Rusisë, dhe të mbështetësve, veçmas në diplomaci të filosllavëve.

Me trazirat e 2004-ës thuajse u rrënua tërësisht imazhi apo u copëtua ai superimazh i ndërtuar nga Rugova, dhe me ndihmën e Perëndimit, veçanërisht gjatë bombardimeve të NATO-s, ku shqiptarët u panë si viktima jo vetëm të dhunës, por edhe të një shteti, që ndoshta e meritonte të mos ekzistonte apo e pakta që të pushtohej nga toka, siç kërkonte aso kohe, presidenti aktual i SHBA-ve Joe Biden, duke kërkuar ndryshimin e karakterit, dhe shpëlarjen nga gënjeshtrat serbe.

Tashmë, që ky konceptim, e ka shansin më të mirë se kurrë, lojtarët kyç kundërshtar të këtij procesi të mundshëm janë bërë shqiptarët, rolin kryesor pas atij që e kishte Hashim Thaçi, tash e ka Edi Rama, me shumë bashkëmendimtarë të opozitës, dhe jo vetëm aty, por edhe në shoqëri civile dhe në media. Andej ku kanë investuar më shumë shërbimet serbe, ruse dhe të tjera.

Image
Njësia speciale e policisë duke krijuar rend dhe qetësi në veri

Rusia ka vazhduar me provokimet e saj ndaj Perëndimit, tashmë në ujërat mesdhetare, duke rrezikuar ta kërcënojë edhe Shqipërinë.

Por, për të gjitha këto as që interesohet opozita, madje në vend se ta kritikojë edhe pushtetin për mosreagim të duhur apo të mjaftueshëm, diplomatik dhe në siguri, ajo e sulmon pikërisht në mënyrën që nuk duhet të ndodhë!

Derisa Serbia vazhdon të propagandojë dhe të shpresojë në një rrjedhë ngjarjesh, ku ajo do të mund të respektohet e të ketë ndikim, që Rusia të mos humb në Ukrainë apo që Kina të bëjë ndonjë mrekulli, disa politikanë, analistë dhe të tjerë mundohen ta godasin Qeverinë se madje po provokon dhunë në veri, edhe kur vendet kyçe të Perëndimit, si pesëshja e madhe, e mbështesin 100% Kosovën.

“Maja” e shqyer

Këtë brengë, të serbëve e ka shprehur nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiçi i cili madje është dëshmitarë më shumë se shumë të tjerë, që në takimet me vendet e Kuint-it ka ndryshuar ajo fryma e mbështetje, madje të pa rezerva të kërkesave të serbëve të Kosovës.

“Në takimin, që zgjati më shumë se dy orë, ku kryetarët e komunave i njoftuan ambasadorët për problemet që kanë në komuna… Ne gjithashtu dëgjuam se ata i mbështesin në mënyrë absolute vendimet e marra nga Prishtina. Veçanërisht ata nënvizuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentin për hyrje-dalje që do t’u lëshohet serbëve me të hyrë në Kosovë”, ka thënë Rakiq.

Pra, është më se e qartë që Serbia, duke i mbetur besnike Putinit dhe Rusisë, e ka qartësuar diplomacinë e rrejshme para Perëndimit. Më saktë, ajo vet e ka shqyer “majan” (koncept i filozofisë hinduse, ‘perdja’ e cila nuk na lejon ta shohim realitetin e mirëfilltë), dhe tashmë diplomacia e saj është e çjerrur. Të ndodhur në këtë situatë, mbështetësit e Serbisë dhe ortodoksisë kudo, por veçmas në Kosovë dhe Shqipëri, kanë marrë për detyrë t’ia riparojnë ‘maskën’, ndërsa ajo ka filluar ta ndryshojë retorikën, duke e maskuar përpjekjen e saj për të pushtuar veriun, me mashtrimin se kinse ka një plan në institucionet tona për të përndjekur serbët në atë pjesë.

Por, gjithsesi edhe tek ky ndryshim, jemi tek kërkesa thelbësore që është bërë nga presidenti Biden dikur, domosdoshmëria për t’ia ndryshuar karakterin shtetit serb! Deri atëherë intrigat dhe mashtrimet serbe nuk do të mbarojnë!

Ndërsa, një pjesë e politikanëve, intelektualëve dhe të tjerëve, nuk po arrijnë ta kuptojnë as ta shohin, se çfarë po ngjan në të vërtetë në ‘teatrin’ e madh botëror!

Diplomacia serbe e ka të qartë tashmë se nëse Rusia humb në Ukrainë, ditë të vështira do të vijnë për shtetin e tyre, e padiskutim për pushtetarët, pasi ndëshkimi do të bie padyshim mbi ta.

Image
Ekipet e KFOR-it duke u përballur me barrikaduesit serb

Për të zhvilluar një lojë të re, por të ndyrë, e cila po karakterizohet me humbje durimi, zyrtarët e lartë shtetëror serb kanë filluar të fyejnë dhe provokojnë zyrtarët amerikan, por edhe të vendeve të kuintit!

Këtë e tha qartë Vuçiqi, kur e quajti ‘hajgaregji’, të dërguarin e SHBA-ve për dialog, Gabriel Escobarin!

Kjo përpjekje me tendencë të tillë fyese, por edhe të paraqitjes së serbëve edhe si viktima të Perëndimit është shfaqur sot, nga i ashtuquajturi drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq,
“Nuk e di se si këta përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it nuk e investojnë asnjë pjesë të energjisë së tyre për të kërkuar nga Kurti ta formojë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, kurse të njëjtit investojnë energji të madhe për ta bindur popullin serb që ata duhet të jetojnë në shtetin e rrejshëm të Kosovës”, ka thënë Petkoviq.

Kjo është një provë tjetër përveç asaj që po ngjan në Mesdhe, kur Rusia po provokon një dramë të re!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat