Spahiu: Kosova ka mundësi të njihet nga Serbia me çmim më të ulët gjatë luftës në Ukrainë

Aktuale

Spahiu: Kosova ka mundësi të njihet nga Serbia me çmim më të ulët gjatë luftës në Ukrainë

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 23:59
Nexhmedin Spahiu

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se përderisa lufta po zhvillohet në Ukrainë, është një moment i përshtatshëm që Kosova të fitojë njohjen nga Serbia me një çmim më të ulët.

“Besoj se koha sa po zgjat lufta në Ukrainë është momenti më i përshtatshëm që Kosova ta marr atë me çmim më të lirë, sepse ne po shohim se sa më i madh që është presioni mbi Serbinë, aq me çmim më të lirë mund ta marrim njohjen. Sa më i vogël të jetë ai presion, çmimi është më i madh, dhe ky presion shumë më i madh nga Perëndimi është për shkak të luftës në Ukrainë, dhe shpresojmë që gjatë kësaj periudhe do ta marrim njohjen, që është shumë kruciale për ne, për interesat e Kosovës”, tha Spahiu.

Megjithatë, Spahiu tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po del të jetë një “arrë e fortë” për Perëndimin.

“Me vetë faktin që ai nuk ka bërë një lëvizje më të vogël përballë të gjitha këtyre presioneve, tregon se ai po del të jetë një arrë e fortë përballë Perëndimit, kështu që të qëndrosh në këtë kohë kur Serbia është e rrethuar në të gjitha anët nga anëtarët e NATO-s, është goxha një guxim të cilin unë nuk e kam pritur”, u shpreh Spahiu.

“Gjatë vitit të fundit Vuçiq ka investuar shumë në forcimin e strukturave paralele në veri të Kosovës, dhe për ta dominuar situatën në terren, dhe po shihet se kjo i ka dhënë një pozicion më komod për ta shitur më shtrenjtë”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat