Molliqaj: Kurti do ta zbatojë Asociacionin nga frika

Aktuale

Molliqaj: Kurti do ta zbatojë Asociacionin nga frika

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 14:13
Dardan Molliqaj

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka shuar idenë për ripërcaktimin e kufijve, por po e kthen fuqishëm Asociacionin.

Sipas Molliqaj, Kurti do ta zbatojë Asociacionin nga frika e humbjes së pushtetit.

Ai ka vazhduar kritikat për Kurtin, duke thënë se është pa projekt e pa vizion dhe se është personazh që është rritur nga dështimet e tjerëve.

Postimi i tij i plotë:

Pa projekt e pa vizion, kështu janë ato personazhet që rriten nga dështimet e tjerëve, dhe përfitojnë nga puna e tjerëve. Kështu duket vazhdimësia. Fakti që ai u bë pjesë e këtij procesi, ku pozicionet e tij janë marrëveshjet e vitit 2011, nënkupton lëshim pe. Dhe jo që pozicionet e kaluara duhet mbajtur për ta ruajtur “fjalën e thënë”, por sepse pozicionet e reja të tij janë të vjetra dhe të dëmshme për Kosovën.

A nuk erdhi Kurti në pushtet pikërisht duke kundërshtuar kornizat mbi të cilat zhvillohej dialogu? Por siç po dëshmohet çdo ditë, ardhja e Kurtit në pozitë pushteti nuk është ndonjë ngjarje historike. Ai mbetet i frikësuar në lëvozhgat e projektit të vjetër të Asociacionit.

Kurti, si luftëtar i paepur kundër ripërcaktimit të kufijve, njëmend e heshti këtë ide. Ama në vend të kësaj ideje, që është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për paqe të përhershme, ai e ringjalli fuqishëm idenë Asociacionit me kriterin etnik. Brenda idesë së defunksionalizimit të brendshëm të Kosovës, që për më tepër nuk do t ‘sigurojë as njohje e as ulëse në OKB.

Mungesa e vizionit për dialogun është prania e tepruar e vetes, deri në verbëri brenda tij dhe rreth tij. Asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk do të vijë për sa kohë shikimi nuk shkon kah e ardhmja. Llogaritë e Kurtit për ta zbatuar Asociacionin janë llogaritë e frikës për pushtetin e tij.

Kostoja e Asociacionit kushton më pak vota, thotë ai. Konflikti mbetet te dera sërish. Politika e ka të garantuar edhe në të ardhmen një armik të jashtëm qe shtrin tentakulat dhe gjeneron bashkëpunëtorë – armiq të brendshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat