Zenka: Abazoviqit sot i ka rënë në mend se është shqiptar, shpresojmë të rrëzohet

Aktuale

Zenka: Abazoviqit sot i ka rënë në mend se është shqiptar, shpresojmë të rrëzohet

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 18:30
Mehmet Zenka

Deputeti shqiptar nga partia Unioni Demokratik Shqiptar në Mal të Zi, Mehmet Zenka, ka thënë se ai përkrah mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit shqiptar atje, Dritan Abazoviq, kryesisht duke u thirrur në nënshkrimin e një kontrate me kishën serbe.

Sa i përket fjalimit të Abazoviqit sot në Kuvend, ku tha se po tentohet shkarkimi i tij për vetë faktin se është shqiptar, Zenka tha se Abazoviqit i ka rënë sot në mend se është i tillë.

“Nëse Abazoviqit sot i ka rënë në mend se është shqiptar, se deri dje ka thënë jam kozmopolit, nëse Abazoviqi i cili ka shkuar në kishën serbe dhe para dy vitesh ka bërë koalicion me partitë serbe, me ato parti të cilat një ditë pasi ka formuar qeverinë kanë brohoritur “vdekje shqiptarëve, Kosova është shtet terrorist, në Kosovë nuk kanë ndodh krime lufte, nuk kanë ndodhur gjenocid, përdhunime”, dhe Abazoviqi e gjen vendin që të jetë me ta, atëherë unë nuk dua të jem shqiptar si Abazoviqi, por dua të jem shqiptar siç i ka hije një shqiptari të Malit të Zi”, ka thënë Zenka.

Zenka tha se Abazoviq dëshiron të justifikohet duke përdorur pretekstin shqiptar, por se në fakt, sipas tij, mocioni i mosbesimit ka të bëjë me nënshkrimin e një kontrate me kishën serbe.

“Sot pasi po i dridhet karriga, i ka rënë ndër mend se është shqiptar. Sot dëshiron të justifikohet duke përdorur pretekstin shqiptar, gjë që nuk ka rëndësi, ka të bëjë me atë nënshkrimin e kontratës të cilën e ka bërë me kishën serbe, një kontratë e cila është tejet e dëmshme, sidomos për shqiptarët, sepse e dimë zgjerimin e kishës serbe në Mal të Zi, sidomos zgjerimin e tyre ku janë monumentet tona historike fetare, të cilat ky dëshiron që kisha serbe dita ditës t’i përvetësojë”, u shpreh deputeti.

Zenka pretendoi se gjatë kohës sa Abazoviq ka qenë zëvendëskryesministër dhe tani ministër, ai ka dëmtuar marrëdhëniet e Malit të Zi me BE-në.

“Në shpresojmë se do të rrëzohet, se po që se vazhdojmë me këtë politikë, me të vërtetë na presin ditë shumë më të këqija,  dhe me të vërtetë situata mund të radikalziohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat