Nga Presidenca e Kosovës reagojnë pasi Petkoviq u pa duke i reklamuar tabelat e Kosovës RKS

Aktuale

Nga Presidenca e Kosovës reagojnë pasi Petkoviq u pa duke i reklamuar tabelat e Kosovës RKS

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 21:53
Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela

Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pasi drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, u shfaq në një konferencë për media të premten duke i reklamuar tabelat e Kosovës RKS.

Petkoviq duke folur për takimin e djeshëm në Bruksel, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë dy propozime në tavolinën e bisedimeve, por që të dyja, sipas tij, i ka refuzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Derisa ai ka folur për këto dy propozime, para mediave ka shfaqur një ilustrim të tabelave të Kosovës, ku shkruan “RKS” dhe është e vendosur emblema e shtetit të Kosovës.

Ndaj, ka reaguar Vela, i cili përmes një postimi në Twitter ka akuzuar Petkoviqin se po shpërndan dezinformata.

Vela është shprehur se janë humbur shtatë muaj negociata për këtë çështje duke shtuar se Petkoviq ka thënë se Vuçiq do të takohet me strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë.

“Petkoviq shpërndan dezinformata për targat e Kosovës dhe dokumentin e hyrje/daljes. Humben 7 muaj negociata për këtë çështje. Njoftoi se Vuçiq do të takohet me përfaqësues të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, të cilat duhej të ishin shpërbërë sipas marrëveshjeve të Brukselit”, ka shkruar ai.

Vela tutje është shprehur se shumica e serbëve të Kosovës kanë letërnjoftime dhe targa të veturave kosovare dhe nuk do të preken nga masat e reciprocitetit.

“Shumica e serbëve të Kosovës kanë letërnjoftime dhe targa të veturave kosovare dhe nuk do të preken nga masat e reciprocitetit. Megjithatë, targat e paligjshme të makinave KM do të zëvendësohen me çështje legale të targave nga institucionet e Kosovës dhe qytetarëve që udhëtojnë me letërnjoftime të Serbisë do t’u jepen dokumente hyrje/dalje kur të hyjnë Kosovë”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat