Mblidhen pesë Komisione të Kuvendit të Kosovës

Aktuale

Mblidhen pesë Komisione të Kuvendit të Kosovës

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 07:10
Foto ilustrim

Sot do të mbahen mbledhjet e pesë komisioneve të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, do të jetë diskutim lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore nga ana e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial në Kosovë. Të ftuar janë kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kreu Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton RTKlive.

Kurse Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka këtë rend dite: Shqyrtimi i Raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit për 6 mujorin e parë të vitit 2022, shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021 dhe Votimi i Raportit Vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.

Ndërsa Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, në rend ditë ka grevën e përgjithshme në arsim dhe për këtë të ftuar janë përfaqësues të SBASHK-ut.

Po ashtu mbledhje do të ketë edhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky komision do të ketë diskutim rreth dinamikës së punës së Komisionit hetimor gjatë sesionit vjeshtor.

Ndërkaq mbledhje do të ketë edhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili do të bëj shqyrtimin e Raportit të punës së Komisionit për sesionin pranveror 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat