​Kurti në takim me kryetarët: Në vitin e ardhshëm, 654 milionë euro do t’iu ndahen komunave

Aktuale

​Kurti në takim me kryetarët: Në vitin e ardhshëm, 654 milionë euro do t’iu ndahen komunave

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 07:40 Përditësuar në ora: 11:42 më 24.09.2022
Foto nga takimi

Kurti: Në vitin e ardhshëm, 654 milionë euro do t’iu ndahen komunave

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Qeveria është në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2023, në takimin që po e mban me kryetarët e komunave, në Pejë.

“Në këtë buxhet reflektohet një rritje e konsiderueshme e buxhetit, dedikuar nivelit komunal. Për herë të parë kemi rritje prej 15 përqind të buxhetit për komuna, në raport me vitin 2022”, ka thënë Kurti, transmeton Klankosova.tv.

“Do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave, e kjo rritje e buxhetit do të duhej të reflektojë edhe në cilësinë e shërbimeve komunale, karshi qytetarëve, mirëqenies së tyre dhe zhvillimit në ekonomi”.

Tutje i pari i qeverisë tha se nevojitet avancim i bashkëpunimit Qeveri-komuna.

“Qasja jonë si qeveri është që të jemi afër qytetarëve, edhe duke qenë afër komunave, e për këtë na nevojitet avancim dhe intensifikim i bashkëpunimit”, tha Kurti.

Mediat që ishin prezente në takimin e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave me kryetarët e komunave, janë larguar nga takimi në momentin që ministri i Financave, Hekuran Murati, ka filluar fjalimin.

 

Kryetarët e Komunave flasin para takimit me Kurtin: Presim mbështetje më të madhe

Me qëllim të koordinimit ndërinstitucional mes qeverisë dhe pushtetit lokal sot në Pejë po mbahet takim i përbashkët mes kryeministrit Albin Kurti, ministrave Elbert Krasniqi, Hekuran Murati dhe Artane Rizvanolli, dhe kryetarëve të Komunave me ç ‘rast po diskutohen temat si performanca buxhetore e Komunave dhe Investimet Kapitale, Energjia dhe ujërat, Projektet komunale (investimet kapitale, agjenda e gjelbër, digjitalizimi në nivel lokal) dhe Strategjia për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë.

Para fillimit të këtij takimit, kryetarët kanë mirëpritur këtë takim me ekzekutivin ndërsa po shpresojnë për mbështetje më të madhe nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili vjen nga radhët e AAK-së, u shpreh se do t'i shprehin kërkesat dhe pakënaqësitë që kanë.

Latifi: Nuk jemi të kënaqur me mbështetjen e qeverisë

"Ne do t'i shprehim shqetësimet dhe nevojat e kërkesave tona, po ashtu edhe per investimet publike por edhe në përkrahje konkrete nga ana e Qeveria e Kosovës. Deri më tani nuk kemi pasur mbështetje, edhe po të kishim pasur ne përsëri do të ishin të pakënaqur se nevojat dhe kërkesat e komunave dhe të komunës sonë janë shumë më të mëdha sesa që mund të jetë përkrahja nga qeveria, por nuk jemi të kënaqur”, deklaroi Latifi.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, njëherit kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, përshëndeti nismën për takim me kryeministrin Kurti ndërsa tha se ky vit ka qenë më i pazakontë për shkak të ballafaqimit me disa sfida që ai tha se pret të adresohen në takim.

Aliu: Ky vit na ka sfiduar

“Viti 2022 na ka sfiduar por ne si kryetarë të komunave jemi ballafaquar me situata jo të zakonshme, jo në natyrshmërinë e punës së kryetarëve, sepse kanë qenë çështje që kanë të bëjnë me kontrata, me projektet dhe me çështjet të ngjashme dhe sikurse kanë qenë sfidë me vete dhe sigurisht këto do të jenë pjesë e diskutimit me kryeministrin Kurti dhe siç thash ne duhet të bëhemi bashkë në mënyrë që t’i lehtësojmë sfidat, çdo mos unitet do ti bëj që sfidat të jenë më të vështira dhe të patejkalueshme”, deklaroi Aliu.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se në takim me Kurtin temë me prioritet do të jetë çështjet buxhetore por do të shfrytëzojnë mundësinë që të ngrihen dhe tema të tjera. Ai tha se ka një komunikim të mirë me bashkëpartiakun e tij, shefin e ekzekutivit.

Bulliqi: Pushtetet lokale po punojnë

“Ne po punojmë si pushtete lokale po i kryejmë projektet tona besoj që është një komunikim i mirë dhe çdo gjë do të jetë”, tha ai.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, theksoi rëndësinë e takimeve të tilla.

Gashi: Takimet me pushtetit qendror dhe lokal

“Takimet e nivelit qendror dhe lokal janë shumë të domosdoshme sepse kanë nevojë për koordinime të përbashkëta besoj që gjatë aplikimit do të bashkëbisedojmë për tema dhe shqetësime që i kanë komunat dhe presim mbështetje të vazhdueshme”, u shpreh ai.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se është i pakënaqur me mbështetjen e deritashme nga ana e ekzekutivit.

Gjini: E rëndësishme të takohemi

“Është me rëndësi të takohemi, nuk mund ta dimë krejt çka ka, agjenda është e thjeshtuar jemi tre ministra dhe kryeministrin. Do të shohim si do të ecë. Jo, deri tash jo nuk kemi pasur mbështetje, por po shpresojmë që tash e tutje do të kemi”, tha ai.

Takimi mes Kurtit dhe kryetarëve të komunave po mbahet në Pejë dhe pas fjalimeve hapëse po vazhdon i mbyllur për mediat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat