​Rrustem Mustafa: Ministri Latifi po e shuan besimin e qytetarëve për jetë normale

Aktuale

​Rrustem Mustafa: Ministri Latifi po e shuan besimin e qytetarëve për jetë normale

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 16:10
Rrustem Mustafa

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Rrustem Mustafa ka adresuar kritika ndaj ministrit aktual të Shëndetësisë Rifat Latifi lidhur me gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ministri i Shëndetësisë po e shuan besimin e qytetarëve për jetë normale.

“Jemi në ”shekullin e teknologjisë”, ministri i Shëndetësisë kërkon shumë vite për rregullim siç thotë vetëministri, sot në botën moderne ngrihen organizata, institucione e mekanizma të ndryshëm duke filluar nga zero në afate shumë më të shkurta. Njerëzit nuk kanë të drejtë ta shkatërrojnë besimin në jetë dhe perspektivën askund dhe as këtu te ne”, ka shkruar ai.

Kritikat e Mustafës vijnë pas deklarimeve të ministrittë Shëndetësisë, Rifat Latifi se nevojiten vite në mënyrë që mjekësia e Kosovës të jetë në nivelin e duhur, e që të arrijë standardet e Evropës.Ai tha se tashmë kanë vizion të qartë sesi do të duket sistemi shëndetësor pas 5-10 vjetët e ardhshme.

“Për të ndërtuar shëndetësinë ne duhet të kemi planet tona… Ne nuk e kemi këtë, nuk e kemi në realitet as Ligjin për komunikim shkencor, prandaj ne kemi filluar me sinjalizimin për Qendrën për hulumtime shkencore në të cilën do të ketë edhe shumë trajnime të tjera siç është laparoskopike e cila është një nga ato qendrat të cilat po i përmendi. Ne nuk kemi vend ku t’i trajnojmë mjekët tanë, infermierët tanë, studentët e fakultetit të mjekësisë të specializojnë në laparoskopi”, tha dje Latifi.

Ndryshe, Rrustem Mustafa ishte deputet i PDK-së në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Mustafa ka diplomuar në Fakultetin Juridik, ishte komandant i Zonës Operative të Llapit dhe më vonë si nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Ka ushtruar funksione të larta shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat