Greva në arsim tashmë ka kaluar çdo kufi! / Të hetohen sindikatat për motivet e grevës!

Aktuale

Greva në arsim tashmë ka kaluar çdo kufi! / Të hetohen sindikatat për motivet e grevës!

Nga: Idriz Morina Më: 25 shtator 2022 Në ora: 16:05
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, vazhdon me mbajtjen e shkollave, mbyllur

Këshilli grevist në krye me Rrahman Jasharin, përfundimisht duhet të merren nën hetime. Jo për kërkesat e tyre, sepse ato janë brenda kompetencave të tyre, por për motivet, për t’i mbajtur shkollat mbyllur.

Motivet

Motivet janë ato që zbulojnë të gjitha.

Pse Jashari dhe të tjerët kanë guxim dhe mundësi, në emër të ‘anëtarësisë’ t’i mbyllin shkollat?

Pse Jashari dhe të tjerët në emër të disa eurove (1-25), pasi 50 euro ka pranuar t’ua jepte Qeveria, janë të gatshëm, që të bëjnë atë, për të cilën gjë, po i akuzojnë edhe kundërshtarët e qeverisë Kurti, se po i lënë fëmijët pa mësime, sikurse ka bërë Serbia, kur në shtatorin e vitit 1991, nuk na la të futemi në objekte tona shkollorë? Por, edhe pse nuk kishim shtet, partitë dhe lëvizja politike e asaj kohe, në krye me LDK-në, e organizoi vetëtimthi shkollimin, nëpër ato, që njihen si “shtëpi-shkolla”!

Sot, nuk është koha as momenti, që fëmijët tanë t’i çojmë jashtë shkollave. As Jashari dhe të tjerët nuk janë duke e bërë këtë, larg qoftë, sepse krahasimi është i gabuar. Atëherë ne shqiptarët ishim përballë serbëve që na urrenin, dhe pushtetit të tyre, që neve na përndiqte, na privonte nga çdo liri thuaja, kur protestonim na rrihte, na arrestonte dhe na vriste. Për të mos e përmendur luftën.

Por, motivet e ulëta të disa njerëzve, kanë gjithmonë ngjashmëri. E ky është tek dëmi, në dije, që u bëhet nxënësve, pa e analizuar dëmin moral.

Jashari apo dikush në grupin e tyre, mbase të shtrënguar mund të jenë pikërisht në shërbim të një llumi politik, që ne as që po arrijmë ta identifikojmë plotësisht, por besohet se gjendet në mesin e dy partive opozitare, PDK e AAK.

Në fakt, vetëm këto dy parti kanë pasur rrjet, njerëz, të cilët i kanë udhëhequr dhe operuar me ta në vazhdimësi, dhe duke iu dhënë atyre shpërblime për besnikërinë, për shumë punë që u kanë kryer, nga më të pistat!

Një propozim i dëmshëm

Propozimi i kryetarit të Komisionit Parlamentar për arsim, që greva të ndalet dhe pastaj, të mos vlerësohen nxënësit, si kusht të përmbushjes së kërkesave të tyre nga Qeveria, ishte fare i pakripë, dhe i pamenduar.

Përveç, se nga sindikalistët u argumentua si i paligjshëm, ai ishte pikërisht në kundërshtim me frymën e ‘traumatizimit’ të fëmijëve.

Derisa greva nuk ka një ndikim të drejtpërdrejtë në anën emocionale të fëmijëve, mosvlerësimi me notë në kohë të duhur, privimi i mundësisë për përmirësimin e saj, dhe momente të tjera të vlerësimit, do të krijonin një dramë të re shumë më negative, se sa në reduktimin e kohëzgjatjes së mësimit në pandemi, dhe të mësimit në distancë.

Pranimi i një marrëveshjeje të atillë, do të ishte gjëja më e pakuptimtë, që mund t’i bëhej fëmijëve. Pasi vlerësimi i nxënësve do të kthehej në arbitraritet masiv, pra në rritje të vlerësimit me notë, pa meritë, qoftë të nënvlerësimit, qoftë të mbivlerësimit.

Para një mungese të vlerësimit korrekt, jemi edhe tani, pasi nxënësit kanë humbur një muaj mësim nga greva, por të paktën shtypja ndaj rasteve individuale nuk do të bie hapur, pasi, nxënësit do të prisnin me njëlloj ankthi vlerësimin në fund, dhe në ‘fund’ nuk do të mund të korrigjohej thuaja asgjë!

Propozime pozitive

Për herë të parë të dielën u bë një propozim serioz, pozitiv, që në fakt mbështet idenë, nëse mund të thuhet, të një shumice të arsyeshme, se sindikata duhet të pajtohet me fillimin e mësimit, që 50 euro tu jepen mësimdhënësve deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga, dhe kjo të ndodhë në janar të vitit 2023.

Këtë kërkesë e ka formuluar kështu deputetja e LDK-së, Dr.Hykmete Bajrami, ndoshta me përcaktimin që Ligji të hyjë në fuqi në janar, edhe pse nëse do të kishte vullnet politik, ligji do të mund të ishte gati për miratim dhe fuqizim, që të zbatohej nga 1 nëntori, e gjithsesi nga 1 dhjetori.

Megjithëse në kundërshtim me këtë që ka propozuar ish-ministrja e arsimit Bajrami, ka vepruar ish-kryeministri Hoti, njëherësh, ish shef në qeveri, i Bajramit, duke përsëritur qëndrimin e tij, se edhe nëse qeveria e pranon t’i jepen 100 euro mësimdhënësve, nuk do të paraqiste vështirësi buxhetore.

Kjo dëshmon që ende nuk ka një frymë kthese, në të cilën opozita do të mund ta thyente qëndrimin negativ të sindikalistëve, për humbjen e shkollës. Kërkesat e saja, legjitime, ajo mund t’i vazhdojë edhe pas fillimit të mësimit.

Ndërkohë, që kanë vazhduar përplasjet e Rrahman Jasharajt me kryeministrin Kurti, pasi ky i quajti organizatorët e grevës PAN-istë.

Në vitin 2017 qe krijuar qeveria e tri partive, PDK, AAK e NISMA, akronimi i të cilit koalicion njihet si PAN! Gjithashtu ky akronim u bë si imazhi i partive të komprometuara në qeverisje.

Rrahman Jasharaj, i ka quajtur “deklarata bajate”, duke shkuar një hap përtej Kurtit, i cili të paktën nuk ishte personal.

Sidoqoftë Qeveria duhet të krijojë kushtet detyruese që mësimi në arsimin fillor së paku, të mos mund të ndërpritet për qëllime përfitimi ekonomik apo politik.

Ajo duhet të premtojë, hyrjen në fuqi të ligjit për pagat, në një kohë rekord, madje edhe para vitit të ri, e jo pas tetë muajve nga miratimi, por sikurse çdo ligj tjetër!

Stop, bllokimit, grevës në shkolla! Nxënësit nuk i njohin ato! Ata mund të nxirren nga shkolla, vetëm me qëllim mbrojtjen e atdheut nga qeveri kuislinge! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat