Konflikti Kosovë- Serbi/ Katër arsyet pse mund të nisë lufta sipas Albin Kurtit

Aktuale

Konflikti Kosovë- Serbi/ Katër arsyet pse mund të nisë lufta sipas Albin Kurtit

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 16:52
Aleksander Vuçiq dhe Albin Kurti

Se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e potencon jashtëzakonisht shpesh mundësinë për konflikt të hapur midis Kosovës dhe Serbisë, nuk e ka mohuar as vetë ai. Kurti ka treguar katër arsyet pse thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë.

Sipas Kurtit, Beogradi zyrtar përveç se minon përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, po financon strukturat ilegale brenda Kosovës për ta minimizuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin e kësaj pjese të vendit.

Në një intervistë me revistën zvicerane “Die Republik”, Kurti a thënë se arsyeja e dytë është që në Serbi nuk pajtohen me krimet e luftës që janë kryer në vitet e ’90-ta.

“Ata nuk kanë keqardhje”, ka thënë më tej Kurti derisa ka folur për këtë arsye.

Një tjetër gjë që sipas Kurtit mund të ndikojë në ndezjen e një konflikti të ri midis dy vendeve është se ndryshe nga Kosova, Serbia nuk është vend demokratik.

“Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik”, ka thënë ai.

Dhe së kartërti, Kurti theksoi se Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidenti despotik rus, Vladimir Putin.

“Vuçiqi e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet, së fundmi më 25 nëntor të vitit 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës”.

Për takimin e fundit Vuçiq-Putin, Kurti tha se ka qenë vetë presidenti serb që ka treguar se kanë diskutuar për veriun e Kosovës, madje duke ia treguar edhe në hartë Putinit se ku gjendet.

“Pyes veten, pse Putini është i interesuar për veriun e Kosovës”, ka thënë më tej Kurti.

Ai shtoi se për Putinin,ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë ka qenë një fyerje.

“Ai kurrë nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Para luftës Putini foli jashtëzakonisht shpesh për Kosovën, madje e përdori si shembull për të mbështetur pushtimin e tij në Ukrainë”, tha kryeministri Kurti.

Për Kurtin konfliktin e krizën në Ballkanin Perëndimor e inkurajojnë vetëm zyrtarët serb.

Kjo nuk është intervista e vetme ku Kurti e ka përmendur potencialitetin e luftës. Një gjë të tillë e bëri edhe para disa ditësh në CNN.

Në intervistën e fundit është hera e tre në më pak se dy muaj që kryeministri i Kosovës flet për mundësinë e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë në një medium ndërkombëtar.

Ai deklaroi se edhe përundër faktit se trupat e NATO-s janë në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it, shqetësimet duhet të jenë evidente.

“Jemi të sigurtë, por kjo nuk do të thotë që s’duhemi të shqetësohemi”, tha ai.

Fjalën luftë Kurti e përmendi edhe në një intervistë për mediumin kroat, Vecernji List ditë më parë.

Aty tha se një prej arsyeve mund të përmendet armatimii Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina, për çka sipas tij, duhet të jetë i vëmendshëm Bashkimi Evropian.

Përveç armatimit, Kurti ka vënë theksin te vendosja e bazave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Marrë për bazë këto do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më luftë. Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitje më të rëndësishme ushtarake të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllave’?”, kishte pyetur Kurti.

Edhe në gusht të këtij viti, një javë pas tensioneve që ndodhën në veri të Kosovës për shkak të fillimit të implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe letërnjoftimet, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, Kurti kishte folur për po të njëjtën gjë – rrezikun për konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë. /Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat