​Osmani në Nju Jork: Kosova synon hyrjen në OKB

Aktuale

​Osmani në Nju Jork: Kosova synon hyrjen në OKB

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 19:05
Foto ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Nju Jork, ka takuar në selinë e OKB-së nënsekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike dhe Ndërtim të Paqes, Rosemary DiCarlo.

Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare. Ajo ka thënë se Kosova është gjithashtu e interesuar të zgjerojë marrëdhëniet me shtetet anëtare të OKB-së dhe synon anëtarësimin në këtë organizatë.

Në takim është diskutuar situata politike dhe e sigurisë në rajon e më gjerë, implikimet e agresionit të Rusisë në Ukrainë, kriza energjetike dhe ushqimore, si dhe dialogu me Serbinë.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova e ka dënuar agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë dhe se krahas BE, SHBA-së dhe shteteve demokratike i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

Në kontekst të cenimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, Osmani shprehu shqetësimin për rritjen e ndikimit rus në rajon nëpërmjet Serbisë dhe tendencave destabilizuese të saj.

Ndërkaq në raport me dialogun e Serbinë, presidentja Osmani ka përsëritur se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të rajonit është njohja e ndërsjellë.

Ajo theksoi se angazhimi i Kosovës në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës.

Më tej, presidentja theksoi se Serbia ka ngecur në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, ka bllokuar marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë dhe ka rritur tensionet në çështjet e targave të makinave, nëpërmjet sulmeve nga struktura ilegale dhe kriminale në veri, ndaj Policisë së Kosovës.

Ndryshe, nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike dhe Ndërtim të Paqes, Rosemary DiCarlo pritet të merr pjesë në Forumin e Grave, Paqes dhe Sigurisë, më 22-23 tetor në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat