Besnik Bislimi: Liberalizimi i vizave është një çështje që po trajtohet me përparësi

Aktuale

Besnik Bislimi: Liberalizimi i vizave është një çështje që po trajtohet me përparësi

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 21:20
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në “Konferencën Rajonale të Misioneve Norvegjeze në Evropën Juglindore”.

Siç thuhet në një komunikatë për media, Bislimi tha se Kosova është e orientuar drejt një zhvillimi gjithëpërfshirës.

“Agjenda evropiane për këtë vit është ambicioze ku shënojmë një vit të rëndësishëm pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe synimit për aplikim për anëtarësim në BE brenda këtij viti. Liberalizimi i vizave është një çështje që po trajtohet me përparësi dhe po punohet për të patur zhvillime pozitive dhe dinamikë të re në këtë çështje, për të cilën Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe po punon ngushtë me shtetet anëtare të BE-së. Gjithashtu, gjatë vitit të fundit, është shënuar dhe progresi më i madh dhe i rëndësishëm në implementimin e reformave në fusha kyçe në kuadër të agjendës evropiane, kur jemi tashmë në vitin e gjashtë të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Kosova është gati për sfida të reja, hapa të mëtejme dhe status më të avancuar në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në komunikatë.

Avancimi që ka njohur Kosova, ka shfaqur potencialin tonë për shtrirje më të gjerë të trajektores sonë të zhvillimit, përtej barrierave ekzistuese. Vendi ka njohur rritje me 17 pozicione në indeksin e Transparency International e po ashtu 17 vende në indeksin e lirisë së medias, World Freedom. Ndërkohë, sipas World Justice Project, për vlerësimin e sundimit të ligjit, Kosova është e 60-ta në botë dhe e para ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu gjatë konferencës u theksua dhe se vendi ynë po përballet me sfida të përbashkëta me vendet e tjera të BE-së dhe kontinentit evropian, siç është kriza e energjisë, si efekt i krijuar nga agresioni i pajustifikuar rus në Ukrainë.

Qeveria ka marrë masa për lehtësimin e krizës energjetike ku dhe janë ndarë në total përgjatë vitit mbi 100 milionë euro për subvencionim të energjisë elektrike me synim për të ulur ndikimin e rritjes së tarifave tek konsumatorët si dhe së fundmi 6 milionë euro për zbatim të masave të efiçiencës së energjisë.

Sa i përket dialogut me Serbinë, siç thuhet në komunikatë u theksua veçanërisht se Kosova është palë aktive dhe konstruktive, e përkushtuar në arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, ligjërisht të obligueshme, me në qendër njohjen reciproke.

Zëvendëskryeministri Bislimi falënderoi Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl si dhe përfaqësuesit nga Misionet Norvegjeze në Evropën Juglindore për mikpritjen dhe diskutimin e frytshëm të zhvilluar në kuadër të konferencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat