​Mungesa e kuorumit, nuk miratohet Projektligji për edukimin në fëmijërinë e hershme

Aktuale

​Mungesa e kuorumit, nuk miratohet Projektligji për edukimin në fëmijërinë e hershme

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 17:40 më 29.09.2022
Kuvendi i Kosovës

​Mungesa e kuorumit, nuk miratohet Projektligji për edukimin në fëmijërinë e hershme

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të kalojë Projektligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme në mungesë kuorumi. Të njëjtin projektligj i dhanë mbështetje dhe partitë opozitare të cilat thanë se do të japin rekomandime shtesë në mes të dy leximeve, por numri i ulët i deputetëve në sallë bëri që i njëjti të mos kalojë në seancën e së enjtes.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci derisa kërkoi mbështetjen për projektligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, tha se nga viti i ri shkollor 2023-2024 do të bëhet obligativ edukimi i hershëm për moshat 5-6 vjeç.

Ajo tha se ky projektligj synon që të promovojë zhvillimin tërësor tek fëmijët duke përfshirë një qasje të integruar në edukimin, shëndetin dhe mirëqenien e secilit fëmijë.

Nagavci: Nga viti 2023 edukimi i hershëm bëhet obligativ

“Kemi përfshirë në këtë projektligj edhe format e reja alternative të organizimit të edukimit në moshën e hershme të cilat synojnë të rrisin synojnë edukimin e fëmijëve në moshën 0-6 vjet, ndër të tjera këtu do të veçoja institucionet parashkollore brenda institucioneve qendrore a lokale si model i ri i ofrimit të shërbimeve në këtë nivel të shërbimit. Institucionet apo çerdhet bazë në komunitet dhe format tjera alternative... risi tjetër është edukimi parafillor nga mosha 5-6 vjet që aktualisht funksionon në kuadër të shkollave fillore dhe institucioneve parashkollore të bëhet i obligueshëm për të gjithë fëmijët e kësaj moshe që nga viti 2023-2024 duke rritur kështu përfshirje e fëmijëve në nivelin parafillor që aktualisht e kemi 88% me synimin që ta arrijë 100%”, theksoi ajo.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri shprehu përkrahjen për këtë projektligj duke e konsideruar edhe si nismë të rëndësishme për sistemin arsimor.

Sipas tij ky projektligj nuk dallon shumë nga ligjet që janë në fuqi për edukim të hershëm.

Tahiri: Ky projektligj nuk dallon shumë nga ata që janë në fuqi

“Kur e shohim këtë projektligj dhe e krahasojmë me ligjet në fuqi për edukimin parashkollor dhe e krahasojmë me projektligjin në esencë nuk dallon shumë... Këtu duhet të ketë një përcaktim të qartë të Qeverisë së Kosovës që të krijojë mundësi buxhetore dhe ky të jetë një obligim që do të jetë edukimi i hershëm për të gjithë fëmijët e Kosovës”, u shpreh ai.

Mbështetjen për këtë projektligj e dha edhe LDK, me ç’rast deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi tha se kontributin e tyre do ta japin në fazat gjatë dy leximeve.

Dumoshi: LDK e përkrah në parim projektligjin

“LDK e përkrah në parim projektligjin për edukimin në fëmijën e hershëm ndërsa, kontributin tonë do ta japim gjatë fazës së shqyrtimit të amendamenteve mes dy leximeve”, u shpreh ajo.

Si dy partitë tjera opozita edhe AAK e ka mbështetur projektligjin për edukim në fëmijërinë e hershme.

Bytyqi: AAK e përkrah në parim ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershëm

“AAK e përkrah në parim ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershëm dhe do ta japim kontributin në lexim të dytë”, u shpreh ajo.

Deputeti i PDK-së, Ablerad Tahiri u interesua të di më shumë për premtimin e qeverisë për ndërtimin e 160 çerdheve.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se gjatë javës do të fillojnë ndërtimin e 5 çerdheve të reja, por që janë duke punuar edhe në renovimin e disa hapësirave të tjera.

Nagavci: Gjatë javës do të fillojmë me ndërtimin e 5 çerdheve të reja

“Gjatë javës do të fillojmë me ndërtimin e 5 çerdheve të reja, shumë shpejt brenda 1 jave pas kësaj me fillim të tetorit jemi duke punuar në renovimin e hapësirave që janë në komunat që mund të adaptohen për çerdhe dhe deri në fund të vitit do të finalizojmë 3 çerdhe , 1 në Prizren dhe 1 në Suharekë“, u shpreh Nagavci. 

Në fund, në mungesë të kuorumit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbylli seancën dhe punimet e njëjta do t’i vazhdojë të hënën në orën 11:00./

Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 15:30

Deputët e Kuvendit të Kosovës pas miratimit në parim të Projektligjit Anti-doping, ka shkuar në pauzë deri në orën 15:30.

Gjatë ditës, Kuvendi ka shqyrtuar vendimin qeverisë për vazhdimin masave emergjente për furnizim me energji elektrike, por që dështoi të votohet për shkak të mungesës së kuorumit.

Në seancën e sotme pati edhe përplasjeje mes pozitës dhe opozitës për grevat në arsim dhe administratë publike. 

Votohet shqyrtimi i parë i Projektligjit kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë votuar  shqyrtimin e parë të Projektligjit për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nga 70 deputetë sa ishin në sallë të gjithë kanë votuar për.

Dështon miratimi i vendimit të Qeverisë për masat emegjente për furnizim me rrymë

Në Kuvendin e Kosovës ka dështuar miratimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për zgjatjen për një muaj të masave emergjente për furnizim me energji elektrike. 

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas votimit të ndodhur, ka treguar që për kanë votuar vetëm 57 deputetë, kundër s’ka pasur dhe asnjë abstenim. 

Me këtë rezultat është konstatuar se s’ka kuorum për miratimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Me 23 shtator Qeveria kishte miratuar vendimin ku i kërkonte Kuvendit të Kosovës zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji edhe për një muaj.

Kriza me rrymën, Rizvanolli këshillon qytetarët: Izoloni shtëpitë para se të bëhet ftohtë

Ministrja Artane Rizvanolli ka folur sot në Kuvendin e Kosovës ku ka arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji.

Ajo ka thënë se si Qeveri kanë marrë disa masa për përballjen me këtë situatë derisa ka dhënë edhe disa këshilla për qytetarët.

Ajo ka thënë se qytetarët duhet t’i izolojnë shtëpitë përpara se të ftohet moti derisa ka potencuar se duhet të ndërrohet edhe mënyra e ngrohjes, pra që të mos shfrytëzohet rryma për ngrohje.

“Izoloni shtëpitë, para se të bëhet ftohtë.

Ndërroni mënyrën e ngrohjes”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Murati-Krasniqit: Cila është hallka e radhës që do e keqpërdorni për t’u munduar ta gjunjëzoni Qeverinë

Ministri i Financave Hekuran Murati, gjatë fjalës së tij i ka reaguar deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi, pasi i njëjti tha se kryeministri Albin Kurti po tregohet kokëfortë dhe me këtë po do të bëjë të ditur se është i panënshtruar.

Sipas Muratit, synimi i opozitës ka qenë nënshtrimi i Qeverisë, teksa i pyeti ata se cila është hallka e radhës me të cilën do të mundohen ta gjunjëzojnë Qeverinë.

“Do të doja t’i referohesha fjalimit të deputetit Krasniqi që tha se kryeministri po do të tregohet se është i panënshtruar. A po i bie kjo implicit që synimi juaj ka qenë ta nënshtroni Qeverinë  me këtë, se kogja të zhgënjyer po dukeni nga rezultati?! Nëse ky ka qenë synimi, është me të vërtetë për keqardhje sepse janë humbur kaq shumë orë, kaq shumë ditë mësimi për të gjithë nxënësit dhe ka humbur sistemi arsimor në përgjithësi, kurse ju, e shikoni se a po nënshtrohet Qeveria.

Pyetja ime është, cila është hallka e radhës shtetërore të cilën ju do ta keqpërdorni përmes së cilës do të mundoheni ta gjunjëzoni Qeverinë?!”, tha ai në seancën që po mbahet në Kuvend.

Latifi flet për ikjen e mjekëve: Këtë problem e kanë edhe Austria e Zvicra

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në seancën e Kuvendit ka folur për ikjen e mjekëve nga Kosova si dhe mungesën e anesteziologëve.

Para deputetëve, Latifi ka thënë se me këtë çështje si ministri janë duke u marrë vazhdimisht, ndërsa ka shtuar se një problem të tillë e kanë edhe Austria, Zvicra, Greqia e shumë vende të tjera.

“Në çdo moment jemi duke u marrë me këtë çështje. Javën e kaluar isha në Greqi, edhe atje është i njëjti problem. Po ashtu, Austria, Zvicra dhe shumica e vendeve po përballen me këtë problem, pra me largimin e punëtorëve shëndetësorë”, është shprehur ai.

Tutje, ministri ka thënë se çështja e anesteziologëve është injoruar edhe lënë pas dore për shumë vite, si shumë sektorë të tjerë të shëndetësisë.

“Kjo pasi vite me radhë, pra nga viti 2016 nuk është hapur asnjë konkurs për specializim nga anesteziologjia. Po të kishte ndodhur kjo, tashmë do të kishim dy gjenerata të anesteziologëve dhe s’do ta kishim këtë problem”.

Latifi tutje ka bërë të ditur se nga viti 2020 mungojnë 22 anesteziologë; 16 e kanë lënë punën, katër janë pensionuar si dhe dy të tjerë kanë ndërruar jetë. 

Haxhiu për rastin Dehari: Po hetohet nëse kamerat e sigurisë janë marrë me urdhër të Dhurata Hoxhës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë një pyetje nga deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në lidhje me epilogun e çështjes Dehari.

Haxhiu ka thënë se rasti Dehari po trajtohet nga prokuroria Speciale. Ajo tutje ka shtuar se po hetohet nëse kamerat e siguria janë marrë me urdhër të ish-ministres Dhurata Hoxha.

“Rasti Dehari është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale. Kam urdhëruar një inspektim se cilat kanë që përgjegjësitë e personave përgjegjës atë ditë. Kam treguar për gjetjet ne raportin e inspektimit.

Gjetja kryesore është që kamerat janë marrë para policisë, dhe kjo është e paprecedentë. Pyetja është se kush i ka marrë kamerat e sigurisë dhe a janë marrë ato me urdhër të ish-ministres Dhurata Hoxha” deklaroi Haxhiu.

“Mësuesit ta tregojnë qejfin”, Kurti i replikon Haradinajt

Kryeministri Albin Kurti iu përgjigj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se mësimdhënësit do t’ia tregojnë vendin këtij kabineti qeveritar “kur të vjen vakti”.

Kurti tha se kjo iu duk e çuditshme.

“Unë nuk flas për kurrfarë armiq të brendshëm. Këto nuk janë as shprehje, as mënyra të mia, por ju posa e dëgjuar deputetin Haradinaj kur tha ‘mësuesit ta tregojnë qefin kur të vjen vakti’. M’u duk shumë e çuditshme që Z. Haradinaj flet në emër të mësuesve”, tha Kurti.

Ndërsa greva e mësimdhënësve po vazhdon, kryeministri beson se prapa saj qëndron opozita.

Krasniqi – Nagavcit: Dorëhiqu, ti nuk e meriton me qenë ministre

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi i ka thënë ministres Arbërie Nagavci se “nuk e meriton të jetë ministre”.

“Ju nuk e meritoni me qenë ministre, e as me te përgjigj e as me të ngu. Ti duhet me jap dorëheqje”.

Krasniqi i ka thënë Nagavcit që “duhet të bëni zgjidhje”.

“More ju nuk jeni duke bërë thirrje, bëni zgjidhje”, ka thënë Krasniqi.

“Punoni najsen se shkoi dita”, ka thënë kryetari i PDK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat