As Karaxhiçët, Xheviqët dhe Rankoviçët nuk na e bënë këtë që na e bëri Enveri!

Aktuale

As Karaxhiçët, Xheviqët dhe Rankoviçët nuk na e bënë këtë që na e bëri Enveri!

Nga: I. Morina Më: 2 tetor 2022 Në ora: 11:55
Emigranti Shyqyri Bejdoni, lindur në vitin 1928 në Gjakovë, ardhur në Shqipëri në vitin 1957, i vendosur prej 5 vjetësh në kampin e Semanit, i dërgoi një letër “babës Enver Hoxha”

Të dhëna arkivore rrëqethëse të vuajtjeve të shqiptarëve në regjimin komunist vazhdon të sjellë në formë copëzash dokumentare studiuesi Kastriot Dervishi.

Në dy postime të veçanta në faqen e tij në Fb, Kastrioti sjellë fatet e dy shqiptarëve nga Kosova nga kampi përqendrimit në Seman, të cilët me shpresë se do të gjenin tokën e lirisë shqiptare, dhe për t’i ikur vuajtjeve të komunizmit jugosllav dhe dhunës naziste e fashiste serbe, kishin ikur në Shqipërinë komuniste.

Sipas dëshmisë së dosjeve në Shqipëri, të protagonistëve të rasteve, ata ishin penduar thellësisht që kishin ikur atje, pasi vështirë se do të kishin kaluar më keq edhe në regjimin e Rankoviçit.

Madje, njëri nga të stërmunduarit në atë kamp famëkeq Xhafer Mehmeti, pas shumë përpjekjeve dhe shpresave që me letra t’i bindte autoritetet për pafajësinë e tij, dhe që të lihej i lirë, në një prej tyre ia kishte përplasur në fytyrë, se regjimi në Shqipëri, po i keqtrajtonte, fyente, ushtronte padrejtësi, që ia kalonin edhe krye-keqbërësve serb si “Rankoviçstët, Karaxhiçët e Xheviqët”.

Në vijim tregimi i parë, sipas dosjes për Xhafer Mehmetin.

“Semani, kampi i degjenerimit njerëzor

Xhaferr Mehmeti ishte një shqiptar i Kosovës që bëri gabimin e jetës dhe erdhi në Shqipëri në kohën e regjimit komunist, internacionalist dhe antikombëtar të E. Hoxhës. përfundoi kampeve dhe burgjeve. Kur vuante dënimin në Repartin nr.319 Vlorë, i pezmatuar nga ajo që kishte hequr me anë të disa letrave të gjata dërguar Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike, të shkruara me laps, akuzoi regjimin, të cilin e konsideronte “armiqësor” ndaj shqiptarëve të Kosovës. Fatkeqësisht janë letra të gjata, të shkruara me laps dhe me zor kuptohen. Midis të tjera shkruan në letrën e datës 1.7.1961:

“Trajtimi i keq, padrejtësitë dhe fyerjet që i bëhen kosovarëve sot moti, nuk i kanë bërë atje as Karaxhiçët, Xheviqët dhe Rankoviçët. Nderin dhe dinjitetin e Kosovës askush në botë nuk e ka cenue rëndë më shumë se ju. Askush nuk është munduar sa ju që të degjenerojë moralisht kosovarët. Konkretisht shihni gjendjen morale në kampin e degjenerimit njerëzor në Seman”, shkruan Kastriot Dervishi.

Ndërsa, në rastin tjetër, që Kastrioti mjeshtërisht e përmbledhë dhe ravijëzon fatin, e një shqiptari nga Gjakova, që në emër të bashkimit familjar, i lodhur nga vuajtjet, poshtërimet dhe persekutimet, i lutet me anë të një letre personalisht, diktatorit Enver Hoxha, duke ia ofruar si provë edhe një foto familjare, që ta rikthejë në vendlindje, pavarësisht rreziqeve që mund ta prisnin në Jugosllavi.

Por, regjimi, sigurimi, jo që nuk e merr përsipër t’ia bart porosinë diktatorit apo zyrës së tij, por ia refuzojnë kërkesën, dhe madje refuzuan t’ia kthejnë foton, mbase kujtimin e vetëm të regjistruar të familjes, që si duket e kishte marrë me vete gjatë arratisjes për në Shqipëri.

Është e habitshme, se diktatura hoxhiste as nuk ia jepte shtetësinë shqiptare dhe as nuk e ‘riatdhesonte’.

Lexojeni rrëfimin e dytë:

“I humbi edhe fotografia

Më 5.5.1962 emigranti Shyqyri Bejdoni, lindur në vitin 1928 në Gjakovë, ardhur në Shqipëri në vitin 1957, i vendosur prej 5 vjetësh në kampin e Semanit, i dërgoi një letër “babës Enver Hoxha”, me shpresën se ai do ndërhynte për nxjerrjen e tij nga kampi i përqendrimit, së paku duke i dhënë shtetësinë shqiptare. Në vitin 1958 Bejdoni kishte kërkuar të riatdhesohej, por kërkesa ishte refuzuar. Për ta bërë sa më prekëse letrën, bashkëlidhur i dërgoi Enverit foton e familjes, 6 fëmijët e tij dhe babain e moshuar në Gjakovë. Sigurisht “baba Enveri” as e lexoi letrën, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Organeve Administrative në KQ në PPSH-së dhanë opinione negative. Bejdoni kërkonte që fotografia t’i kthehej pasi të lexohej letra. Sigurisht as këtë nuk ia kthyen dhe kjo u bë pjesë e një dosjeje”, shkruan Kastriot Dervishi.

Duke lexuar shënimet dhe postimet e Kastriotit në Fb, vëren kontrastin e thellë që zbulojnë informacionet dhe raportet specifike, që mbante regjimi komunist me vendet e lindjes, madje edhe me ato krejtësisht pa ndikim, si Kamboxhia.

Ky regjim ishte jo vetëm shumë i dashur, por madje, edhe i nënshtrohej çdo gjëje të huaj lindore-komuniste, dhe urrente çdo gjë shqiptare.

“E thellë ishte miqësia shqiptaro-kamboxhiane dikur”, ka shkruar Kastrioti për foton e postuar, të një pritje zyrtare tepër solemne, për një shtet pa ndikim dhe ekonomi, si Kamboxhia, që përveç tjerash mbahet mend se krijoi “Kmerët e kuq”, një nga formacionet më famëkeqe vrastare në botë.

Image
Miqësia iluzore e regjimit hoxhist me Kamboxhian komuniste

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat