Krasniqi: Qeveria bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor të fyer e të lënduar

Aktuale

Krasniqi: Qeveria bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor të fyer e të lënduar

Më: 2 tetor 2022 Në ora: 18:08
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i lumtur që fëmijët po kthehen nesër në bankat e shkollës.

Mirëpo, ai tha se është edhe i shqetësuar për modelin qeverisës që po instalohet.

“Në kohën kur nxënësit do të shkojnë kokëlartë në shkollë, Qeveria e Kosovës, përmes sulmeve të shumta, për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar”, tha Krasniqi.

Kreu i opozitës theksoi se përtej propagandës, mësimdhënësit mbeten një ndër kategoritë më të respektuara të shoqërisë sonë.

“Por, ata meritojnë edhe trajtim të drejtë që e ruan dinjitetin e tyre. Prandaj, kërkesat e tyre, me apo pa grevë, duhet të adresohen dhe të plotësohen sa më shpejt”, tha Krasniqi.

Duhet theksuar se greva në sektorin publik të Kosovës është pezulluar. Pezullimi i grevës mundëson që mësimi të nisë më 3 tetor.

Kreu i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, tha në një konferencë për media më 1 tetor se greva nuk është mbyllur, por është pezulluar deri në janar të vitit 2023.

Ai porositi Qeverinë që ta shfrytëzojë këtë kohë për dialog me sindikalistët dhe mos ta marrë “si fitore, sepse nuk ka fituar askush”.

Ndërkaq, kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, tha se greva nuk ishte akt individual ose një grupi individësh, por tha se ishte mjet i veprimit sindikal, duke shtuar se greva e tyre ishte e ligjshme.

Greva në arsim dhe në administratën publike në nivelin lokal dhe qendror, nisi më 25 gusht.

Deri te pezullimi i grevës u tha se erdh pas votimit të anëtarësive të sindikalistëve. Në sindikatën e arsimit, 54.88 për qind e anëtarësisë ka votuar për pezullimin e grevës deri në janar.

Për shkak të grevës, për gati pesë javë, mbi 300.000 nxënës mbetën jashtë bankave shkollore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat